Arte

Paci: Kultura nuk bëhet me fushata

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, dhe artisti Ardian Paci kanë qenë pjesë e panelit të Konferencës së Ambasadorëve që u mbajt në Tiranë, në një bashkëbisedim mbi diplomacinë publike dhe kulturore. Nën moton përtej diplomacisë klasike, Kumbaro dhe Paci kanë sjellë vizionin sesi lëvizjet kulturore mund të ndihmojnë në bashkëbisedimin më lehtë mes vendeve. Sipas Kumbaros, detyra e promovimit të një imazhi të favorshëm jashtë vendit i takon tradicionalisht diplomacisë kulturore, si një mjet i domosdoshëm për të siguruar një marrëdhënie të qëndrueshme me vendet e tjera, falë promovimit në nivel ndërkombëtar të jetës kulturore përmes mjeteve të diplomacisë tradicionale, si edhe gjithnjë e më shumë asaj publike dhe dixhitale. Problemi i parë me të cilin diplomacia jonë kulturore përballet është se si të prezantojë kulturën shqiptare jashtë vendit, duke pajtuar promovimin kombëtar me nevojat e reja që dalin nga globalizimi dhe progresi i integrimit europian. Ardian Paci ka folur për rolin e artistit në shoqëri e vende si i yni. “Një popull i nëpërkëmbur, ku shteti e ligji nuk respektohet, ku ndjenja e bashkësisë është copë- copë, ku drejtësia mungon e ku brutaliteti dhe arroganca dominon jetën dhe raportet sociale, mund të nxjerrë artistë apo këngëtarë me shumicë e prapëseprapë nuk mund të bëhet kurrë një popull i respektuar. Nganjëherë njerëzit e mëdhenj dalin pikërisht falë rrethanave aspak të favorshme si një nevojë për të kompensuar vuajtjen dhe dhunimin që realiteti nga vijnë u rezervon. Vlerësimi për to nuk mund të na bëjë të harrojmë se jo vetëm nuk kemi kurrfarë merite në suksesin e tyre, por nuk kemi asnjë arsye për ta ndjerë veten krenarë për faktin e thjeshtë se i përkasim të njëjtit komb”, ka thënë Paci. Sipas tij, rreziku që ne të jemi një popull përgjithësisht i parealizuar që e shfryen frustrimin e mossuksesit të vet në entuziazmin për një grusht njerëzish që aty këtu kanë bërë emër në botë është një rrezik real dhe ne mendoj se duhet të jemi të vëmendshëm që mos ta përdorim këtë entuziazëm, shpeshherë naiv, për të mbuluar mungesat sociale apo kulturore, të cilat kanë nevojë për impenjim të thellë shtetformues, politik, juridik, ekonomik, organizativ e kulturor. “Unë nuk mund të flas në emër të gjithë njerëzve të kulturës, por po të marrim vetëm artet vizive, mund të themi se këto 20 vite Shqipëria si asnjëherë tjetër në historinë e vet, ka pasur artistët e saj me ekspozita personale e kolektive në muzetë, galeritë, eventet më të rëndësishme të artit botëror. Asnjëherë si këto 20 vitet e fundit nuk është folur për Shqipërinë dhe artin dhe artistët e saj në ambientet më prestigjioze të artit nga Metropolitan Museum, në Tate Modern, nga New Museum, në Pompidou, nga Bienalet Europiane tek ato të Azisë apo Amerikës Latine”, tha Paci. Sipas tij, në suksesin e artistëve shqiptarë shteti shqiptar nuk ka pasur kurrfarë merite e ky nuk është një faj, mbasi nuk ka artistë të respektueshëm që e ndërton suksesin e vet nëpër korridoret e burokracisë shtetërore. “Nga ana tjetër mendoj se pjesë e diplomacisë kulturore është edhe një përkujdesje më kryeulët dhe pa shumë bujë që shteti shqiptar duhet t’u bëjë elementëve si të thuash të nëndheshëm, por të qenësishëm të kulturës shqiptare në botë duke filluar me mbrojtjen dhe mësimin e gjuhës shqipe në brezat e fëmijëve të emigrantëve e deri te format e agregimit kulturor dhe shoqëror mes njerëzish të thjeshtë që edhe pse jetojnë larg vendlindjes, kanë nevojë ta ndiejnë shtetin e tyre si një kujdestar të identitetit të vet kulturor”, tha Paci. Duke folur më tej, Paci tha se kultura nuk mund të bëhet me fushata e me aksione. “Ajo kërkon ndërgjegjësim se gjithsecili vë një gur të vogël në një ngrehinë që të tjerë na e kanë lënë ne të tjerëve do t’ua dorëzojmë. Vënia në dialog e kulturës shqiptare me atë botërore kërkon dyfishimin e kësaj ndjenje të modestisë, por edhe ngulmimin për ta mbushur atë boshllëk që për shumë vite e ndërpreu komunikimin normal mes nesh dhe pjesës tjetër të globit. Vendosja e këtyre urave të komunikimit mbetet akoma një sfidë për kulturën shqiptare dhe institucionet e shtetit shqiptar”, tha Paci.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button