Rajoni

1 Marsi dhe 3 Marsi, festat më popullore në bullgari: “Dita e Verës” dhe 144 Vjetori i Çlirimit

Muaji mars fillon me dy festa Kombëtare në Bullgari.  Sot është 1 Marsi dhe pas dy ditësh është 3 Marsi, janë dy festat më popullore në Bullgari. 1 Marsi është “Dita e Verës”, kurse 3 marsi është 144 vjetori i çlirimit të Bullgarisë, ku më 3 mars 1878 bullgarët u çliruan nga sundimi pesë shekullor turk.

***

1 Marsi, është festa Kombëtare e “Ditës së Verës” ose “Baba Marta” e përkthyer në shqip “Gjyshe Marta”. Më 1 Mars, Bullgaria ndriçohet me ngjyra të bardha dhe të kuqe. Të vegjëlit dhe të mëdhenjtë zbukurohen me fije të ndërthurura të bardha dhe të kuqe. Dielli ndriçon më fort, dita bëhet më e gjatë, njerëzit buzëqeshin më shumë. Dimri po largohet, ndërsa pranvera po vjen, lind shpresa për më shumë shëndet, mbarësi dhe bereqet. 1 Marsi, ose “Gjyshe Marta”, festohet vetëm në Bullgari. Këtë ditë madje Google është zbukuruar me ngjyra të bardha dhe të kuqe për nder të bullgarëve!

Sipas gojëdhënës popullore, “Gjyshe Marta” është është një grua e moshuar apo një vajzë e re dhe e bukur, por në të dyja rastet ajo përfaqëson diellin dhe pranverën. Besohet se më 1 Mars ajo viziton njerëzit dhe të korrat, e veshur me një fustan të kuq, çorape të kuqe dhe një shami të kuqe. Gjithashtu tradita e do që në oborr të vendoset një copë me ngjyrë të kuqe, sepse njerëzit mendojnë se kjo do ta bënte të lumtur Baba Martën dhe do të shkaktonte mirësinë e saj ndaj shtëpisë dhe banorëve të saj.

Ngjyrat e martenicës mbajnë simbolikën dhe magjinë e lashtësisë. Fija e kuqe është lidhur me forcën, gjakun, diellin dhe ngrohtësinë. Në fakt e kuqja përdoret shumë edhe në kostumet popullore bullgare dhe në qëndisjet bullgare. Nga ana tjetër, fija e bardhë është fillimi i mirë dhe drita. Sipas traditës verorja hiqet dhe vihet nën ndonjë gur të madh kur shohim lejlekun e parë. Pas nëntë ditësh duhet të shohim se çfarë insektesh ka nën gur. Sa më shumë janë ato, kaq më i madh do të jetë bereqeti i vitit. Sipas një besimi tjetër, veroret hidhen në lumë, që të na ecë mbarë. Ka dhe një zakon tjetër. Çdonjëri duhet të zgjedhë një ditë nga 1 marsi deri më 22 mars. Në varësi të motit ne këtë ditë, i tillë do të jetë edhe fati i njeriut gjatë tërë vitit. Në qoftë se moti është me diell dhe i ngrohtë, njeriu do të ketë fat të mirë, në rast se është i keq-do të ketë një vit të veshtire.

Ka disa legjenda për prejardhjen e verores bullgare, por të gjitha ato janë lidhur me protobullgarët dhe me themeluesin e shtetit bullgar-Hanin Asparuh. Një prej tyre na kthen rreth 1300 vjet prapa, kur Hani Asparuh kërkonte troje të reja për bullgarët, pasi Hunët e kishin shpartalluar atdheun e tij dhe e kishin zënë robinjë të motrën, Huba. Pasi mbërriti në trojet e sotme bullgare Hani Asparuh i dërgoi motrës së tij një lajm me anë të një sokoli, ku e informonte atë për trojet e gjetura nga ai në jug të lumit Danub, ku kishte si qëllim të themeloje shtetin e ri bullgar. Huba arriti të ikë, i lidhi sokolit një fije prej mëndafshi, që ta lajmërojë vëllanë për mbërritjen e vet. Sokoli e çoi vajzën në tokën e re, por një shigjetë armiku e goditi shpendin, ndersa gjaku ngjyrosi fijen. Pas lajmit të mirë për shpëtimin e motrës së tij hani Asparuh filloi ta griste fijen e lidhur në këmbën e sokolit dhe t’ua lidhte duarve të ushtarëve të tij, duke dhënë urdhër që këto dy ngjyra të jenë gërshetuar gjithmonë në këtë mënyrë, si simbol i unitetit bullgar. Kjo ndodhi më 1 mars të vitit 681. Që nga atëherë deri më sot fija e bardhë dhe e kuqe simbolizon unitetin e bullgarëve dhe na kujton udhëheqësin e parë bullgar Asparuh. Që nga viti 2017, simboli i Ditës së Verës, u bë pjesë e trashëgimisë kulturore botërore jomateriale nën kujdesin e UNESCO-s.

 ***

Edhe 3 Marsi është Festa Kombëtare e Bullgarisë, ku 144 vjet më parë Bullgaria u çlirua nga pushtimi pesë shekullor i perandorisë Osmane. Me 3 mars te vitit 1878 u nënshkrua Traktati i Shën Stefanit i cili i dha fund luftës ruso-turke dhe sundimit turk mbi trojet bullgare. Data 3 marsi i vitit 1878 u bë kufiri midis dy epokave, midis robërisë dhe lirisë.  Ndaj data 3 Mars festohet çdo vit si Festë Kombëtare, si dita e Çlirimit të Bullgarisë, këtu e 144 vite më parë.

Por çlirimi i popullit bullgar nga robëria pesë shekullore turke nuk ishte një rastësi. Ajo erdhi pas luftës së zhvilluar në vite, pas përpjekjeve dhe gjakut të derdhur nga heronjtë e dalë nga populli bullgar.

Si pararendëse e çlirimit nga perandoria osmane evidentohet Kryengritja e prillit e vitit 1876, pra dy vite përpara Traktatit të Shën Stefanit. Si beteja të rëndësishme shënohen betejat për majën Shipka e quajtur si “Termopilet bullgare”, ajo në malin Stara Platina ku në muajin gusht, ushtarët rus dhe bullgarë luftuan kundër ushtrisë së Sulejman Pashës, apo beteja tjetër e rëndësishme për qytetin Pleven në Bullgarinë Qendrore Veriore, zhvilluar në nëntor të vitit 1877.

Lëvizja bullgare për çlirim pati mbështetje nga personalitete botërore si shkrimtarët Viktor Hygo, Turgenev e Dostojevski, politikanët perëndimorë si italiani Xhuzepe Galibardi, britaniku Uiljam Gladstoun apo gjermani Oto fon Bismark. Një kontribut të rëndësishëm ka dhënë gazetari amerikan Xhenjuaris Makgahani i cili shkruante për gazetën britanike “Daily News” dhe gazetën amerikane “New York Herald”. Nuk mund të lëmë pa përmendur faktin se erërat perëndimore, pavarësisht influencave ruso-turke, kishin filluar të frynin edhe në bullgari, ku ëndrra për pavarësi ishte edhe nën ndikimin e Revolucionit Francez, lidhur me ndërtimin demokratik të shtetit të ardhshëm.

Nuk është rastësi, që vetëm një vit pas çlirimit, pikërisht që më 10 shkurt 1879, pra 143 vjet më parë, Kuvendi i Madh Popullor i shtetit të çliruar bullgar nga zgjedha osmane, hapi për herë të pare punimet. Në Kuvendin e Madh Popullor të shtetit të çliruar bullgar morën pjesë 229 përfaqësues të popullit të cilët brënda tre muajve miratuan Kushtetutën duke afirmuar vlerat demokratike të popullit bullgar.

Por Traktati i paqes i Shën Stefanit nuk e pati jetën të gjatë. Duke parë se Traktati i Shën Stefanit e rriste fuqinë ruse në Ballkan, vendet perëndimore sidomos Anglia dhe Austro-Hungaria nuk e njohën atë dhe për rishikimin e tij u mblodh pak muaj më vonë, Kongresi i Berlinit, në 13 qershor të vitit 1878. Kongresi i Berlinit e ndau në dy pjesë Bullgarinë, ku një pjesë (Bullgaria Veriore dhe qarku i Sofjes) u quajt Principata Bullgare e cila ishte vasale e Perandorisë Osmane, kurse pjesa tjetër (trojet në jug të malit Starapllatina) e konsideruar krahinë autonome: me emrin Rumelia Lindore. Por kjo ndarje ishte kundër interesave të popullit bullgar dhe hapi i parë ishte bashkimi i Principatës Bullgare me Rumelinë Lindore çka u deshën tre dekada përpjekje dhe luftë të vazhdueshme deri sa Bullgaria të shpallte pavarësinë në 22 shtator 1908.

Duket thënë Dita e Çlirimit të Bullgarisë dhe Pavarësia e saj pati ndikimet e veta pozitive edhe tek mendimtarët e Rilindjes shqiptare të cilët mërguan në Bullgari ku në Sofje patën mundësi të mëdha për punuar dhe për të artikuluar mendimin dhe përpjekjet për pavarësinë e Shqipërisë. Patriotët shqiptarë hapën shtypshkronjë, filluan botimin e librave dhe gazetave në shërbim të zgjimit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Tashmë Bullgaria është shtet modern, antare me të drejta të plota në organizmat rajonale dhe ndërkombëtare si: OKB, KE, OSBE, Organizata e Detit të Zi, etj. Bullgaria ka nënshkruar Traktatin e Anëtarësimit në Bashkimin Evropian më 25 prill të vitit 2005 dhe u bë antare e Unionit më 1 janar 2007. Ndërkohë Bullgaria u antarësua si vend antar i NATO-s me 29 mars 2004, krahas me disa vende të tjera të Europës Lindore të cilat më parë kishin qenë në Traktatin e Varshavës si: Sllovenia, Sllovakia, Rumania, Letonia, Lestonia dhe Estonia.

Viti 2022 shënon 100 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Bullgarisë dhe 29 vjetorin e nënshkrimit të Traktatit të Miqësisë dhe bashkëpunimit midis dy vendeve tona. Marrëdhëniet diplomatike midis Shqipërisë dhe Bullgarisë janë vendosur në vitin 1922 dhe më vonë janë hapur përfaqësitë diplomatike në të dy vendet. Bullgaria është ndër vendet e para që ka njohur në vitin 1914 pavarësinë e Shqipërisë të shpallur në Vlorë nga Ismail Qemali më 28 nëntor 1912. Ndërkohë Bullgaria është ndër vendet e para që ka njohur pavarësinë e Kosovës.

Në vitet pas Luftës së Dytë Boterore, kur të dy vendet u përfshinë në kampin komunist, marrëdhëniet dypalëshe kanë njohur zhvillim në të gjitha fushat.

Edhe pas viteve ’90, marrëdhëniet politike midis Shqipërisë dhe Bullgarisë janë të shkëlqyera çka shprehet edhe në njohjen para pesë vitesh të pakicës bullgare në shqipëri. Personalitetet më të larta zyrtare të dy vendeve si President, Kryetar Parlamenti, Kryeministër, Ministër i Jashtëm kanë zhvilluar vizita reciproke.

Selim Hoxhaj

Konsull Nderi i Republikës së Bullgarisë në Shqipëri

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button