Ekonomia

1-vjetori i aksionit të OSHEE-së, Çela: Nuk jemi më barrë e buxhetit

Në 1-vjetorin e nisjes së aksionit për mbledhjen e borxheve nga debitorët e energjisë elektrike, kreu i OSHEE-së, Ardian Çela tha se falë këtij aksioni dhe investimeve në rrjet, kompania që ai drejton është shndërruar nga barrë, në kontribuese në buxhetin e shtetit.

“Mbledhja e borxheve dhe ulja e humbjeve kanë pasuar një përmirësim të qëndrueshëm të treguesve ekonomikë dhe financiarë të kompanisë. Nëse në 2013 kompania ishte me humbje, këtë vit pritet një bilanc pozitiv me 10 miliardë lekë. Sot kompania nuk është më barrë e buxhetit të shtetit, por kontribuon me 3 përqind të të ardhurave doganore dhe tatimore”, tha Çela.

Kreu i OSHEE-së vlerësoi të suksesshëm aksionin për mbledhjen e borxheve, ndërsa tha se kompania është duke ndërmarrë një sërë investimesh të mëdha për uljen e humbjeve në rrjet.

Çela deklaroi se humbjet, nga mbi 40 përqind që ishin para dy vitesh, janë ulur në 25 përqind për muajin shtator dhe objektivi është vazhdimi i këtij trendi edhe në muajt në vazhdim përmes investimeve që do të modernizojnë rrjetin.

Ndërkaq, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri e ka quajtur aksionin kundër vjedhjes së energjisë elektrike si një qasje shtetformuese. Ai tha se ekipet e përbashkëta OSHEE- Polici kanë kryer mbi 164 mijë aksione, ku kanë evidentuar 2826 raste të vjedhjes së energjisë me 1210 persona të arrestuar.

“Sot kemi dëshminë më të mirë se si ky nuk ishte vetëm një aksion po një qasje shtetformuese për të vendosur dhe sanksionuar çdo veprim të administratës dhe drejtësisë, barazinë e shtetasve para ligjit. Sot që flasim ekipet e përbashkëta të punës të OSHEE de policisë kanë dëshmuar se lufta kundër Shqipërisë informale mund të ketë sukses. Çdo ditë kanë operuar në terren 145 grupe të përbashkëta, me mbi 164 mijë aksione të ekipeve të përbashkët të oshee dhe policisë, duke evidentuar mbi 2826 raste të vjedhjes së energjisë, me 1210 të arrestuar, 825 në kërkim dhe 842 në gjendje të lirë, nga të cilat 65 punonjës të OSHEE-së, të identifikuar për impliimi dhe punonjës policie që ose vidhnin vetë ose ndihmonin në vjedhjen e energjisë elektrike. Aksioni i parë që konfirmoi vetëdijen shtetformuese të qevrisë tonë kundër Shqiërisë informale që është armiku më i madh i qytetarëve të ndershëm”, tha ministri i Brendshëm Saimir Tahiri.

Aksione të tilla si ai i informalitetit, ndërtimeve pa leje etj., e kanë bërë Shqipërinë një vend më të sigurtë se më parë, tha ministri Tahiri.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button