FA, ndërhyrje pas 50 vitesh në urën e Orgockës. Kodheli: Lidh 5 zonat më të rëndësishme
Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë përfunduan riparimin e urës monument kulture të Orgockës në Ersekë.
Për të inspektuar përfundimin e punimeve në këtë urë, ishte edhe ministrja e Mbrojtjes, znj. Mimi Kodheli, e cila u shpreh shumë e kënaqur që vinte të shihte punimet e FA-ve në një nga zonat siç e quajti ajo më të jashtëzakonshme dhe të mrekullueshme të Shqipërisë.
Më tej ministrja Kodheli foli për rëndësinë që ka kjo urë për banorët e zonës. “Kjo lidh 5 fshatra, por ajo çka është më e rëndësishme, është e çuditshme, por e vërtetë, lidh 5 zona të rëndësishme të Shqipërisë.
Kjo nuk shërben vetëm për blegtorinë këtu. Përgjithësisht fshatrat, lëndën e parë e marrin nga një anë e urës dhe e përdorin nga ana tjetër e urës. Por sigurisht është një pikë kyçe që bën të mundur lëvizjen e banorëve në këtë zonë të rëndësishme për jetën e tyre, por më shumë sesa kaq flas për gjithë zonat përreth.”- u shpreh ministrja Kodheli.
Gjithashtu, zonja Kodheli falenderoi xhenierët e Forcave të Armatosura për punën dhe përkushtimin e treguar gjatë punimeve në këtë urë. “I falenderoj Forcat e Armatosura për mundin, për përpjekjet, për saktësinë me të cilën kanë punuar, për cilësinë me të cilën kanë punuar. Ura mban rreth 10 ton dhe shpresoj të mundësojmë edhe disa kërkesa të tjera që zona ka, sigurisht me ndihmën e Forcave të Armatosura për aq sa ne mund të bëjmë në shërbim të komunitetit, por sigurisht dhe në shërbim të lëvizjes së lirë së Forcave të Armatosura dhe trupave tona kur kjo është e nevojshme”,- theksoi zonja Kodheli.
Ndërhyrja e fundit në këtë urë është bërë në vitin 1966 nga Forcat e Armatosura. Sërish pas 50 vitesh, janë po Forcat e Armatosura që bënë të mundur riparimin e saj.
Ura e Orgockës mbi lumin Osum lidh fshatrat Orgockë, Kurtes, Qinam, Radovickë dhe zonën e Frashërit në Përmet. Xhenierët e FA riparuan në total 21 metra nga gjatësia e kësaj ure, duke garantuar një peshëmbajtje prej rreth 10 tonësh.