14 vatra zjarri në 10 orët e fundit, 7 mbeten aktive
Ministria e Mbrojtjes bën të ditur se gjatë 10 orëve të fundit në vend janë raportuar 14 vatra zjarri, nga të cilat 7 vijojnë të jenë aktive. Operacionet për izolimin dhe shuarjen e flakëve po zhvillohen në disa qarqe të vendit, me angazhimin e forcave të mbrojtjes civile, zjarrfikësve, Forcave të Armatosura dhe mjeteve ajrore.
Sipas Ministrisë, përmes koordinimit të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, prefekturave, njësive të qeverisjes vendore dhe Forcave të Armatosura, në terren janë angazhuar 29 automjete zjarrfikëse, 246 forca operacionale, 90 efektivë të Forcave të Armatosura, një helikopter dhe një avion “Air Tractor” i Forcës Ajrore.
Në zonën e Dajtit vijon puna për shuarjen e zjarrit, me pjesëmarrjen e forcave të MZSH-së, ADZM-së, 50 efektivëve të Forcave të Armatosura dhe një helikopteri të Forcës Ajrore. Autoritetet bëjnë të ditur se nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Situata më problematike paraqitet në fshatrat Riban dhe Ngraçan, në bashkinë Mallakastër, ku zjarri ka marrë përmasa dhe po punohet për të frenuar përhapjen e tij drejt zonave të banuara. Në operacion janë angazhuar forca zjarrfikëse nga disa bashki, 35 forca bashkiake, 40 efektivë të Forcave të Armatosura dhe avioni “Air Tractor”.
Në qarkun e Elbasanit vijon puna në vatrat e Shqiponjës, malit të Dardhës dhe fshatit Mjekës. Zjarret në Shqiponjë dhe Mjekës janë vendosur nën kontroll, ndërsa nuk raportohet rrezik për banesat.
Në zonën malore mes Stegopullit dhe Selckës, në bashkitë Libohovë dhe Dropull, zjarri ka kaluar në majën e malit, duke rritur intensitetin brenda një zone të mbrojtur. Edhe në këtë rast nuk raportohen rreziqe për zonat e banuara.
Ndërkohë, në Penkovë të bashkisë Selenicë, zjarri është shuar plotësisht pasi preku rreth dy hektarë pyll me pisha dhe 40 automjete të braktisura. Në Gumenicë vijon puna për shuarjen e një vatre me shkurre, ndërsa në Vërzhezhë të bashkisë Skrapar situata është vendosur nën kontroll.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.