“1984” i George Orwell, në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental
“1984”, kryevepra e shkrimtarit britanik George Orwell, vjen në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, në një bashkëprodhim me Teatrin “Migjeni”.
Vepra, me regji të Dino Mustafić dhe dramatizim të Jeton Nezirajt, do të shfaqet më 16, 17, 18 dhe 22, 23, 24, 25 tetor, në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.
E konsideruar si një nga veprat më të fuqishme letrare mbi kontrollin, lirinë dhe manipulimin e së vërtetës, “1984” rikthehet në skenë si një reflektim mbi realitetin bashkëkohor, ku mbikëqyrja, kontrolli i informacionit, manipulimi i gjuhës dhe teknologjia kanë marrë një rol gjithnjë e më të madh në jetën e përditshme.
Në qendër të historisë është Uinston Smith, punonjës i Ministrisë të së Vërtetës, detyra e të cilit është të rishkruajë historinë sipas versionit të kërkuar nga pushteti. Dyshimi, kujtesa dhe kërkimi i së vërtetës e vendosin atë përballë një sistemi që synon të kontrollojë jo vetëm veprimet, por edhe mendimet e individit. Dashuria e fshehtë me Xhulianën shndërrohet në një akt rebelimi dhe në përpjekjen për të ruajtur një hapësirë private në një shoqëri ku asgjë nuk konsiderohet më private.
Regjisori Dino Mustafić, nuk e trajton romanin si një ilustrim literal të ngjarjeve, por si një univers teatral ku një ansambël i vogël aktorësh ndërton përpara publikut botën e Orwell-it, duke kaluar nga qytetarë në autoritete dhe nga viktima në ekzekutorë.
Shfaqja vendos në qendër konfliktet mes kujtesës dhe fshirjes, së vërtetës dhe manipulimit, intimitetit dhe kontrollit, si dhe gjuhës dhe heshtjes.
“1984” sjell në skenë edhe pyetjen se sa nga liria e individit mbetet vërtet e tij kur mendimet, informacioni dhe e vërteta mund të vëzhgohen dhe manipulohen.
Kasti i aktorëve përbëhet nga Ema Andrea, Rafael Hoxhaj, Eva Gjika, Jozef Shiroka, Adriana Tolka dhe Nikolin Ferketa.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.