2 mln euro për programin “Dyfisho sipërmarrjen tënde”, Rama: Gati të rrisim mbështetjen për bizneset deri në 1 miliardë euro, do t’i asistojmë për planet e financimit
Kryeministri Edi Rama prezantoi programin kombëtar “Dyfisho sipërmarrjen tënde”, një nismë e qeverisë për mbështetjen e bizneseve të vogla dhe të mesme, e cila synon të lehtësojë aksesin në financim dhe të nxisë rritjen e tyre.
Rama vlerësoi bashkëpunimin me Bankën e Shqipërisë dhe bankat e nivelit të dytë, duke theksuar se ky partneritet është thelbësor për suksesin e programit.
“Qeveria dëshironte të kishte bashkëpunimin e Bankës së Shqipërisë dhe më pas të bankave të nivelit të dytë, të cilat na garantuan se do të bëjnë pjesën e tyre ashtu siç duhet për suksesin e këtij programi. Bankat janë në një zonë komoditeti të jashtëzakonshëm. Ndërkohë që të gjithë luftojnë për të fituar, bankat fitojnë pa luftuar. Kjo na bën më kërkues ndaj tyre, pasi e vërteta është se nga ky program nuk dalin me humbje, por me një fitim modest. Fitimi afatgjatë do të jetë shumë më i madh, si për bankat ashtu edhe për bizneset, pasi synimi ynë është t’u japim krah bizneseve të vogla dhe të mesme që të dyfishohen”, tha Rama.
Rama deklaroi se qeveria është e gatshme të rrisë mbështetjen financiare deri në 1 miliardë euro, por theksoi se sipërmarrjet duhet të paraqesin plane të qarta dhe të besueshme biznesi.
“Ne jemi gati të shkojmë në 1 miliardë euro në mbështetje të biznesit, por ato duhet të kenë një plan që duhet t’ua miratojë banka. Për të marrë financimin, ne ofrojmë edhe asistencë që planet e tyre të biznesit të bëhen siç duhet, që më pas të mund të miratohen nga bankat”, tha Rama.
Ai bëri të ditur se për të ndihmuar sipërmarrjet që kanë ide të mira, por nuk kanë kapacitetet për të përgatitur projekte të financueshme, qeveria ka angazhuar grupe pune me ekspertë përmes Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).
“Planet e biznesit kanë një rol vendimtar për të siguruar financim. Për këtë arsye kemi angazhuar UNDP-në, e cila do të vërë në dispozicion ekspertë ndërkombëtarë për të asistuar bizneset që kanë ide interesante dhe një plan të besueshëm, por nuk kanë kapacitetin ta përkthejnë atë në një projekt bindës për bankat. Ky grup ekspertësh do të jetë në dispozicion të të gjitha bizneseve, ndërsa Ministria e Ekonomisë do të garantojë koordinimin e këtij procesi”, tha Rama.
Rama njoftoi gjithashtu se është krijuar një platformë online, ku bizneset mund të marrin informacion dhe të aplikojnë për programin, ndërsa në javët në vijim do të zhvillohen takime në të gjithë vendin për të prezantuar skemën dhe për të nxitur sa më shumë sipërmarrje të bëhen pjesë e saj.
“Kemi vënë në dispozicion një faqe online ku bizneset mund të aksesojnë informacionin dhe të marrin sqarimet e nevojshme. Gjithashtu kemi planifikuar një cikël takimesh në të gjithë territorin, për të kontaktuar drejtpërdrejt sipërmarrjet dhe për t’i nxitur të përfshihen në këtë program”, tha ai
Kryeministri njoftoi gjithashtu se do të ngrihet një task-forcë e posaçme, e përbërë nga përfaqësues të qeverisë, UNDP-së dhe shoqatave të biznesit, e cila do të monitorojë ecurinë e programit dhe do të propozojë ndërhyrje aty ku do të jetë e nevojshme.
“Do të ngremë edhe një task-forcë që do të jetë e përbërë nga përfaqësues të qeverisë, UNDP-së dhe shoqatave, për të analizuar në mënyrë periodike rezultatet dhe për të parë se ku programi ka nevojë për ndërhyrje”, tha Rama.
Duke u ndalur te ecuria e ekonomisë, Rama tha se, megjithëse treguesit janë pozitivë, pritshmëritë e qytetarëve janë rritur dhe kërkesa për më shumë zhvillim është bërë edhe më e madhe, duke iu referuar protestave në vend.
“Shifrat janë pozitive, por në këtë fazë kanë një problem të madh. Sa më pozitive të jenë, aq më shumë i acarojnë njerëzit. Sa herë thua që ekonomia është rritur në mënyrë të qëndrueshme, prodhon tension dhe pakënaqësi. Kjo nuk do të thotë se shoqëria nuk e kupton progresin, por se ajo kërkon më shumë progres, më shpejt dhe nuk do të dijë se nga vjen ai. Jemi në një fazë të re të zhvillimit të vendit, ku raportin e besimit e krijojnë pritshmëritë dhe jo vetëm arritjet”, tha Rama.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.