Kostreci sjell zhvillimet nga SHBA: Pjesëmarrje e konsiderueshme dhe interes i lartë për zgjedhjet
E ftuar në një lidhje të drejtpërdrejtë në “Now me Erla Mëhillin”, gazetarja shqiptare në SHBA, Keida Kostreci, solli zhvillimet e fundit nga zgjedhjet e mesmandatit në Shtetet e Bashkuara.
Ajo tha se në orët në vijim pritet të krijohet një panoramë më e qartë për disa prej garave, ndërsa theksoi se interesi për këto zgjedhje ka qenë i lartë dhe pjesëmarrja e konsiderueshme. Sipas saj, shumë amerikanë kanë votuar edhe përpara ditës së zgjedhjeve, përmes postës ose në qendrat e votimit.
“Për një ose dy orë do të kemi një ide më të qartë, të paktën për disa nga garat. Ka pasur interes të madh për këto zgjedhje dhe pritshmëritë janë të mëdha nga të dyja partitë. Pjesëmarrja ka qenë e konsiderueshme. Ka pasur edhe amerikanë që kanë votuar më herët, duke i dërguar fletët e votimit me postë ose duke votuar në qendrat e votimit. Ka qenë një numër i lartë amerikanësh që kanë përfituar nga kjo mundësi. Kemi disa gara që janë shumë të ngushta. Po përqendrohem te Senati, sepse demokratëve u duhet të marrin katër vende që sot i kanë republikanët, në mënyrë që të sigurojnë shumicën. Disa nga këto vende të Senatit janë në shtete që janë kryesisht republikane. Ka disa gara të rëndësishme, si në Teksas, në Alaskë dhe në Michigan. Në shumë prej këtyre garave, për momentin janë republikanët që e mbajnë vendin në Senat, por sondazhet kanë treguar se garat janë shumë të ngushta. Edhe sondazhistët u kanë dhënë republikanëve disa pikë më shumë, bazuar në faktin se në sondazhet e kaluara ata nuk kanë dalë siç ishte parashikuar”, tha ajo.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.