Ekonomia

2016- Mbi 90 milionë euro financim vetëm për bujqësinë

Qeveria shqiptare bashkë me fondet e donatorëve, parashikon të disbursojë gjatë vitit 2016, mbi 90 milionë euro në mbështetje të zhvillimit të bujqësisë në vendin tonë.

Strategjia e ministrisë së Bujqësisë, për mbështetjen financiare të bujqësisë dhe agrobiznesit, përgjatë këtij viti, shënon një kthesë të rëndësishme si asnjëherë më parë, duke garantuar një rritje të fondeve të financimit për këtë sektor, nga fondet buxhetore të BE-së dhe BERZH-it.

Sipas ministrisë së Bujqësisë, përmes mekanizmave të rinj financiarë është siguruar një rritje e mbështetjes së drejtpërdrejtë të fermerëve për zinxhirin e prodhimit të vlerave që garanton një të ardhme zhvillimi për më shumë prodhim bujqësor vendas, punësim dhe përmirësim të ekonomisë rurale.

Programi me angazhime të reja financiare për bujqësinë, këtë vit parashikon 14 milionë euro fondin për subvencionimin që është kryesisht me fondet nga buxheti i shtetit. Ndërsa nga fondi i programit IPA, të Bashkimit Evropian adresuar bujqësisë shqiptare, (71 milionë euro deri në 2020) këtë vit do të lëvrohen 13 milionë euro grande për agrobiznesin.

Risi e kreditimit për bujqësinë këtë vit, do të jetë financimi i fondit të garancisë nga BERZH dhe qeveria shqiptare, përkatësisht 50 milionë euro dhe 15 milionë euro. Fondi prej 65 milionë euro do t’i vihet në dispozicion bankave tregtare në vend për të kredituar fermerët dhe agrobiznesin në zhvillimin e aktivitetit të tyre bujqësor.

Mbështetja financiare 2016 për bujqësinë synon të rrisë numrin e fermerëve përfitues në të gjithë vendin si dhe të përmirësojë rrjetin e pikave të grumbullimit, dhomave frigoriferike, dhe qëndrave tregtare bujqësore si komponentë të rritjes së konkurrueshmërisë dhe nxitjes së eksporteve shqiptare.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button