21 janari, turpi i drejtesisë shqiptare

21 janar 2011. Demonstratë e fuqishme, pjesërisht e dhunshme, po pa flakadanë, bomba molotov , dëmtim të derës së Kryeministrisë dhe nxirrje të fasadës së saj. Partia Socialiste e organizoi atë, sepse, i ndjeri, ministri i ndërtimit D. Prifti publikoi një video-akuzë kundër Ilir Metës, Ministrit të Jashtëm dhe Zëvendëskryeministër i kabinetit të PD-LSI-së, që i kërkonte me ngulm më shumë se 750 mijë Euro. Korrupsion i përmasave të mëdha!
Si iu përgjigj shteti që drejtohej nga Sali Ram Berisha protestës masive të socialistëve? Kur demonstrata ishte drejt shpërndarjes dhe sheshi ishte i qetë, u vranë 4 protestues të pa armatosur : Aleks Nika, Hekuran Deda, Ziver Veizi dhe Faik Myrtaj. Kanalet televizive transmetuan direkt si protestën dhe vrasjen e njerëzve të pafajshëm. Shqiptarët u shokuan kur live dëgjuan krismat dhe panë të vrarët nga plumbat e Gardës së Republikës! Një vrasje e protestuesve të pa armatosur
dhe të qetë nuk kishte ndodhur kurrë në Shqipëri. Ishte një krim i rëndë, shumë i rëndë. Po a do të vihej përballë drejtësisë ai (ose ata) që dhanë urdhër për të marrë katër jetë, duke plagosur edhe shumë të pafajshëm të tjerë?
Po të ishte drejtësia e pavarur hetimi i atij krimi kishte për t’u zbardhur shumë shpejt. Do të kontrolloheshin armët e gardistëve. Kishte për t’u gjetur se cilët kishin qëlluar atë ditë. Do të analizoheshin edhe plumbat dhe kishte për të dalë se kush ishin vrasësit. Do të vazhdohej për të ditur kryesoren:
kush dha urdhër për të qëlluar në mish: skuadërkomandanti, komandanti
i kompanisë, shefi i shtabit, Komandanti i Gardës, Ministri i Brendshëm, Kryeministri apo dhe Presidenti. Kriminelit do t’i viheshin prangat.
SHTETI NË MROJTJE TË KRIMIT ?!
Në atë kohë Sali Berisha kishte pushtet absolut: drejtonte qeverinë, kishte shumicën në Parlament, ishte i pari i Drejtësisë. Edhe Presidenti ishte i PD-së. As një vendim , qoftë edhe pak i rëndësishëm, nuk merrej pa pëlqimin e tij. Kjo ishte arsyeja që njerëzit e ndershëm nuk besonin se personi që dha urdhër për të qëlluar kishte për t’u prangosur. Kjo e vërtetë e hidhur u duk qartë që në orët e ditët pasuese të 21 janarit të paharruar. Sali Berisha filloi serinë e gënjeshtrave monstruoze të tij. Tha se protestuesit u vranë brenda turmës me pistoleta çadër, se përgjegjës për krimin është Edi Rama. Pikërisht ai që organizoi atë grusht të dhunshëm kundër shtetit. Madje shkoi edhe më tej kur një funksionari amerikan i tha se në se Edi Rama të nesërmen do t’i afrohej Kryeministrisë dhe nëse vetëm një gjethe do të prekej, 5 snajperë do ta qëllonin. Për të Garda e Republikës kishte bërë detyrën në mbrojtje të shtetit. Me mburrje tha se urdhrat e lëshuara nga Prokuroria e Përgjithshme për 6 drejtuesit e lartë të Gardës së Republikës nuk do të zbatohen në mënyrë absolute, në bazë të Kodit të Procedurës Penale. Ndërkohë, nga Kryeministria u zhdukën pamjet filmike të 11 kamerave si dhe serveri. Veprimet për të zhdukur gjurmët e krimit kurrsesi nuk mund të bëheshin pa urdhrin e tij. Po të ishte Berisha i pafajshëm, pse do të fshinte filmimet e çdo bisede apo urdhri të asaj dite të kobshme? Pse do të zhdukte çdo gjurmë? Pse, pse u revoltua nga veprimet korrekte konformë ligjit të Prokurores së Përgjithshme Ina Rama dhe e quajti juristen e ndërgjegjshme ” putanë bulevardi”? Vetëm pas 18 ditësh lejoi të pyeteshin ata që duheshin hetuar që më 12 janar?! 18 ditë janë një kohë më se e mjaftueshme për të fshehur të vërtetën. Berisha kishte ndikim të jashtëzakonshëm te prokurorët dhe gjykatësit. Ata ishin urdhëruar ose të detyruar të prishnin provat. Plumbi që i mori jetën Aleks Nikës u dëmtua në atë mënyrë që të mos kuptohet se nga cila armë u qëllua. Pistoletës së Andrea Prendit i ndërruan një pjesë që të mos dilte që ai është një nga vrasësit. Dy mjekë u ”instruktuan”
të thonë se viktimat janë gjuajtur nga afër dhe me armë të lehta. Hetimi, po dhe gjykimi farsë më pas, shpiku versionin absurd estradesk se atë ditë është qëlluar në ajër, po plumbat bënë rikoshetë te degët e pishave dhe vranë protestuesit e pafajshëm. ( Atë ditë rikoshetë në gardhin e metaltë para ndërtesës së Kryeministrisë bënë vetëm 26 plumba që ushtarët e Gardës së Republikës qëlluan drejt protestuesve. Kushedi dhe sa të vrarë do të ishin po të mos ishte ai gardh fatlum! ) Për plumbat që pishat ”bujare” i kthyen te njerëzit, vrasjet e qëllimshme u etiketuan si ” vrasje nga pakujdesia”?! Andrea Prendi u dënua me 1 vit, ndërsa Agim Llupo me 3 vite burg?! Dënim i thënçin për 4 krijesa të vrarë pa bërë as edhe më të voglin faj si dhe për një mori të plagosurish?!
Njerëzit e arsyeshëm dhe populli nuk besonin që e vërteta e 21 janarit do të zbardhej nga që e dinin se ishte implikuar direkt Berisha. Shumë mendonin se po të vinte në pushtet Partia Socialiste kishte për ta zgjidhur enigmën e urdhrit për vrasje. Vetë Edi Rama premtoi që 21 Janari kishte për t’u rigjykuar, po…
PSE HESHTI SHUMË VITE EDI RAMA?
Me prokurorët dhe gjyqtarët e Berishës u pa qartë që drejtësia ishte ÇDREJTËSI. Kur Rama u bë Kryeministër dhe mund të emëronte prokurorë dhe gjyqtarë të tjerë, pse e mbylli gojën dhe heshti ? Ai, ashtu si populli, e dinte mirë se kush dha urdhër për të vrarë, megjithatë drejtësia vazhdoi ta mbante të arkivuar atë dosje, ndonëse për dy dëshmorë të asaj dite, Aleks Nikën dhe Hekuran Dedën, çështja nuk ishte gjykuar. Vrasja e tyre mbeti pa autorë?! Pse heshtën aq gjatë socialistët, kur i kishin të gjitha mundësitë për ta rihapur atë çështje? E kam të vështirë të hamendësoj përgjigjen. Shyqyr që po Rama dhe socialistët ishin protagonistë për krijimin e SPAKUT në bashkëpunim të ngushtë me SHBA-në, që te familjet e viktimave dhe në popull të lindte shpresa se drejtësia e re do ta zbardhte përfundimisht 21 janarin.
EDHE SPAK ÇUDITËRISHT NGUROI ?!
8 vjet pas 21 janarit 2011 u krijua SPAK-u. Objektivi i tij janë korrupsioni i çdo niveli, sidomos i elitës politike. Menduam se shumë shpejt ata kishin për ta rihapur dosjen që kishte zënë pluhur në Prokurorinë e Tiranës. I takonte atyre, sepse urdhrin për të vrarë e kishte dhënë vetëm një njeri i veshur me pushtet që deri tani kishte mundur të maskohej. Paskëshim qenë të gabuar. SPAK as deshi t’ia dinte se ekzistonte 21 janari?! Si ndodhi që situata ndryshoi? Kush e ka meritën që 21 janari tani po rihetohet dhe rigjykohet? Përgjigja është e thjeshtë. Nga familja e Aleks Nikës. Ata iu drejtuan Gjykatës së Mbrojtjes së të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Prej Evropës (ku duam të hyjmë) erdhi edhe vendimi i gjykatës evropiane:
21 JANARI KRIM SHTETËROR
Duhej të vinte vendimi nga Strasburgu që dosja e ” varrosur” e 21 janarit të rihapej , të shkundej nga pluhuri shumëvjeçar. Juristët e Evropës e cilësuan 21 janarin krim shtetëror. Strasburgu i bëri thirrje drejtësisë shqiptare të ndëshkojë ata që janë përgjegjës për krimin. Ata që urdhëruan të qëlloheshin protestuesit paqësorë dhe të pa armatosur. Çuditërisht juristët shqiptarë kishin ”harruar” të hetonin se kush e dha atë urdhër të kobshëm?! Duhej ky mësim të vinte nga Evropa që është më profesionale dhe jo partiake. Nuk është e vërtetë që prokurorët dhe gjykatësit e dosjes së 21 janarit janë mediokër të paaftë. Ata e dinin mirë që duhet të hetonin për personin autoritar që urdhëroi Gardën e Republikës të shkrepte armët në mes të bulevardit. Heshtën se qenë vasalët e tij kokëulur. Mbyllën gojën si pula të lagura duke hedhur baltë mbi gjakun e njerëzve që protestonin kundër korrupsionit të Zëvendëskryeministrit të qeverisë. I vunë një njollë të zezë të madhe praktikës sonë gjyqësore. Po, edhe pse nga Evropa erdhi ky vendim juridik brilant, kjo ndihmë profesionale se si duhet gjykuar 21 janari, drejtësia jonë, nuk po lëvizte. Thua se në Strasburg kishin rrahur ujë në havan kot?! U desh që Ministri i Drejtësisë i PS-së Ulsi Manja dhe sekretari i Përgjithshëm i kësaj partie Damian Gjiknuri të dorëzonin dy padi që kërkonin të hetohej vrasja e 4 dëshmorëve të demokracisë. Përgjigja nga SPAK ishte e paimagjinueshme. Shpalli: MOSKOMPETENCË a thua se po i kërkohej të vilnin domate apo bostan. Moskompetencë absurde kur SPAK është krijuar enkas për të hetuar politikanët e lartë. Ata e dinin mirë se urdhrin për të vrarë nuk mund ta jepte ndonjë shitës, që nuk u takon atyre ta gjykojnë, po një super pushtetar, në rastin konkret ishte trinomi: Basha- Berisha- Prendi, megjithatë bënë të paditurin. Ia kaluan çështjen Prokurorisë së Tiranës. Në atë institucion dosja e 21 janarit kishte 13 vjet që qëndronte pezull, as në qiell e as në dhe. U desh të urdhëronte Gjykata e Lartë që zoti Dumani të rifillonte hetimin?!
KUSH DHA URDHËR PËR TË VRARË?
Jo të gjithë shqiptarët besojnë se SPAK ka për ta gjetur se kush e dha urdhërin për të qëlluar popullin. Jo se ata nuk e dinë, por se nuk duan ta thonë. Ndofta e ruajnë personin si hajmalie. Të shumtë janë dhe ata që mendojnë se SPAK po bën një punë profesionale të ndershme. Thirrën ish Ministrin e Brendshëm Basha për ta pyetur afro një orë. Shpejt pas tij morën për afro dy orë në pyetje dhe ish Kryeministrin Berisha. Duket se hetimit po i vjen fundi. U desh pritur plot 14 vite që drejtësia të denjonte të pyeste njerëzit që kishin të drejtë të jepnin atë urdhër vrastar. Prokurorët nuk kanë nga të anojnë. 21 janari për drejtësinë Evropiane është vrasje e shtetërore. Me këtë cilësim ish Kryeministrit Berisha i takon të jetë përgjegjësi kryesor. Është qëlluar enkas për të vrarë. Kësaj nuk kanë si t’i bëjnë dredha prokurorët e SPAK-ut. Le të mos i paragjykojmë dhe të presim. Kur kemi duruar 14 vite, pak ditë ose muaj për rihapjen gjykimit të martirëve të demokracisë nuk mund të jetë shumë. Presim që e vërteta të dalë, që krimineli vrasës të dënohet sipas ligjit. Më e pakta është me 20 vite në qeli.
Petro Dhimitri


