220 vizita në ditë në urgjencë, turistët mes rasteve të traumave në Shkodër
Sipas shefit të Urgjencës, Ardian Dajti, numri i vizitave gjatë këtij sezoni ka shënuar rritje të ndjeshme, duke arritur në 200 deri në 220 raste në ditë. Ai e konsideron këtë një nga sezonet më të ngarkuara që prej nisjes së aktivitetit në spitalin e ri.
“Unë kam shumë vite që punoj këtu, qoftë edhe në drejtimin e urgjencës edhe të kirurgjisë dhe besoj se kjo ka qenë vera më e ngarkuar sa i takon vizitave. Ne fillimisht, kur e kemi filluar në spital të ri, kemi pasur fillimisht 70-80 vizita, mandej u bënë 100, filloi u shtua aktiviteti i turizmit, 150 u bë normale, dhe tashmë kemi mbërrit në 200-220 vizita, e cila ishte një mbingarkesë realisht”, tha Ardian Dajti, shef i urgjencës në Shkodër.
Mes rasteve të trajtuara në urgjencë kanë qenë edhe turistë që kanë pësuar dëmtime gjatë eksplorimit të zonave malore të veriut. Sipas Dajtit, në ditë të caktuara është paraqitur më shumë se një turist i aksidentuar.
Drejtuesi i Urgjencës thotë se pjesa më e madhe e traumave lidhet me rrëzime dhe rrëshqitje në terrene të vështira. Sipas tij, disa turistë lëvizin pa shoqërim apo orientim nga persona që e njohin zonën, duke rritur rrezikun e aksidenteve.
“Kryesisht shofim që ndër traumat, pjesën dërrmuese e zënë jo vetëm aksidentet rrugore, por kemi plot raste të pjesës së turistëve, të cilët duket duke lëviz pa drejtues apo shoqërues, kanë aksidente, bien nga lartësitë, rrëshqasin, pra shumica janë fraktura. Ka më shumë se 1 mesatarisht në ditë”, shtoi Dajti.
Për përballimin e fluksit të shtuar është rritur edhe numri i forcave në repart. Mjekët kërkojnë më shumë kujdes gjatë lëvizjeve në zonat malore, veçanërisht nga turistët që zgjedhin të eksplorojnë terrene të panjohura.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.