Kronika

3140 persona të përgjuar nga Prokuroria gjatë vitit 2014. Cilët janë?

Pas kërkesës së gazetares Lindita Çela dhe Qendrës Res Publica, në bazë të Ligjit për të Drejtën e Informimit, kryeprokurori Adriatik Llalla zbulon se ka autorizuar 3140 përgjime proceduriale gjatë vitit 2014, pas një beteje të gjatë për të shpallur këtë informacion si jo-sekret.

Prokurori i Pergjithshem i Shqiperise Adriatik Llalla
Prokurori i Pergjithshem i Shqiperise Adriatik Llalla

Prokuroria e Përgjithshme deklasifikon numrin e përgjimeve proceduriale, pas një beteje ligjore të ndërmarrë nga gazetarja Lindita Çela dhe qendra Res Publica në Tiranë. Përmes një shkrese të firmosur nga Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla bëhet me dije se përgjatë vitit 2014 janë përgjuar 3140 persona për llogari të 689 çështjeve penale në Shqipëri.

Në të njëjtin dokument të siguruar nga BIRN, kryeprokurori Llalla pohon se gjatë vitit 2013 janë interceptuar 3112 persona, ndërsa gjatë vitit 2012, numri i të përgjuarve ka qenë 2315.

Kreu i Prokurorisë së Përgjithshme vendosi të deklasifikojë numrin e përgjimeve proceduriale, pasi kishte refuzuar më parë t’i jepte këto të dhëna me pretendimin se janë “sekret”. Kërkesa për informacion ishte bërë nga gazetarja Lindita Çela dhe qendra Res Publica.

Përveç Prokurorisë së Përgjithshme, kërkesa për të dhënat statistikore të përgjimeve iu dërgua edhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë dhe Shërbimit Informativ Shtetëror. Por gazetarja dhe qendra ligjore nuk morën asnjë përgjigje.

Pasi iu refuzua informacioni, gazetarja Çela dhe qendra Res Publica vendosën të vënë në lëvizje Komisionerin për të Drejtën e Informimit, zotin Besnik Dervishi, i cili realizoi të parën dëgjesë publike që prej themelimit të institucionit.

Në këtë dëgjesë, përfaqësuesit e tre institucioneve ngulmuan se të dhënat ishin klasifikuar si “sekret shtetëror”, por u kundërshtuan nga gazetarja dhe qendra Res Publica. Komisioneri për të Drejtën e Informimit u kërkoi tre institucioneve të rishikonin klasifikimin që i kishin bërë këtyre të dhënave.

Kryeprokurori Llalla iu përgjigj pozitivisht kësaj kërkese të Komisionerit, duke e riklasifikuar informacionin si jo konfidencial. Ky vendim i tij u përshëndet nga drejtori Ekzekutiv i qendrës Res publica, Dorian Matlija.

“Është një hap i rëndësishëm dhe i guximshëm përpara në zhvillimin e praktikës shqiptare në përputhje me standardet më të fundit të së drejtës ndërkombëtare për akses në informacione të klasifikuara dhe parimet Tshwane,” tha Matlija.

Ai theksoi gjithashtu rolin që Komisioneri për të Drejtën e Informimit mund të luajë për fuqizimin e gazetarëve dhe aksesin e shpejtë në informacion, duke ndikuar kështu rritjen e transparencës dhe përgjegjshmërisë së institucioneve.

Megjithatë, kjo betejë e shoqërisë civile nuk përfundon këtu. Prokuroria e Përgjithshme dhe Shërbimi Informativ Shtetëror nuk pranuan të deklasifikojnë të dhënat për numrin e përgjimeve parandaluese që kanë autorizuar, ndërsa Drejtoria e Përgjithshme e Policisë nuk ka kthyer ende përgjigje.

Gazetarja Lindita Çela thotë se ajo nuk do të tërhiqet, derisa të ketë siguruar të gjithë informacionin e kërkuar. “Është koha të nisim çmontimin e kulturës së sekretit që ende mbizotëron në institucionet shtetërore”, deklaroi ajo./

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button