Libri

461 vjet nga përfundimi i shkrimit të librit të parë shqip, “Meshari” nga Gjon Buzuku

dDom Gjon Buzuku shkruan:”Ndë vjetët M.D.L.IV. (1554) njëzet dit ndë mars zuna nfill, e mbarova ndë vjetët një M.D.L.V. (1555) ndë kallënduor v (5) dit”

Më 5 janar 1555, prifti katolik shqiptar dom Gjon Buzuku e përfundoi së shkruari ‘Mesharin’ e tij, që deri më sot njihet si vepra e parë e llojit dhe njëkohësisht si i pari monument letrar i botuar në gjuhën shqipe. Vetë autori, dom Gjon Buzuku, shkruan në parathënien e ‘Mesharit’ se e mbaroi “së shkruami” veprën më 5 janar 1555.

Prifti shqiptar, dom Gjon Buzuku duke pa nevojën e madhe që kishin besimtarët e krishterë shqiptarë për të dëgjuar e kremtuar Fjalën e Zotit, Liturgjinë e Sakramentet e Shenjta në gjuhën amtare, vendosi të përpilonte këtë vepër që shërbente për meshtarët e kohës gjatë kremtimeve të ndryshme liturgjike në gjuhën e popullit. Për të plotësuar këtë nevojë shpirtërore e kombëtare, dom Gjon Buzuku e nisi veprën e tij më 20 mars të vitit 1554 dhe e përfundoi më shkurt të vitit 1555. Me sa merret vesh, po atë vit u krye dhe shtypja e librit. Këtë të dhënë e gjejmë në Meshar, ku dom Gjon Buzuku shkruan:”Ndë vjetët M.D.L.IV. (1554) njëzet dit ndë mars zuna nfill, e mbarova ndë vjetët një M.D.L.V. (1555) ndë kallënduor v (5) dit”.

Siç pohuam, deri më sot, nuk njihet një tjetër libër më i vjetër, i shtypur, në gjuhën shqipe, veç kësaj vepre, shkruar e botuar në rrethana që ende sot nuk janë mjaft të plotësuara. Sidoqoftë ‘Meshari’ mbetet monument i përpjekjes së klerit të krishterë shqiptar për ta shpëtuar popullin e atdheun nga rreziku i tjetërsimit e humbjes së identitetit kombëtar e shpirtëror, për ta mbajtur të lidhur fort me dritën e Shëlbimit të Krishtit dhe me dritën e qytetërimit perëndimor.

Meshari i dom Buzukut, siç thekson vetë autori, u botua sepse “gjuha jonë nukë kish gjaa të endigluem en sëh shkruomit shenjtë” – nuk kishte, pra asnjë përkthim të Shkrimit Shenjt”, por kryesisht “en sëh dashunit së botës sënë” – nga dashuria për popullin e vet. Kështu, dom Gjon Buzuku na jep të dhëna për kohën e tij se në gjuhën shqipe, pra në gjuhën e popullit, ndjehej mungesa e shkrimeve, libra e shkrimeve nga Bibla e mbi fenë e krishterë, për ta njohur e edukuar popullin në fenë e vet.

Prandaj, i nxitur nga nevoja e madhe shpirtërore, baritore dhe i frymëzuar nga llojet e librave liturgjike, që qarkullonin në kohën e tij, dom Gjon Buzuku bën një përgatitje dhe përpilon  një libër me pjesë të ndryshme të liturgjisë eukaristike, sakramentale, e pjesë të Biblës, që shërbenin në rend të parë për priftërinjtë, për kremtimin e Meshës, të Sakramenteve e ritet tjera të ndryshme, apo për lutjet e tyre të përditshme. Siç dihet, mjerisht, kësaj vepre, Mesharit, i mungojnë disa faqe: ato të fillimit e disa tjera aty këtu brenda vetë librit.

Meshari i dom Buzukut është kryesisht përkthim, por ka edhe pjesë autentike të shkruara nga prifti dom Gjon Buzuku. U përdor edhe nga priftërinjtë tjerë shqiptarë si dom Gjergji, dom Marku, dom Pjetri e tjerë, siç dëshmojnë brenda disa faqeve të kësaj vepre.

Meshari i Buzuku është libër liturgjik të cilin mund ta krahasojmë me vepra liturgjike të Kishës Universale e, këndej mund ta quajmë  COMES, apo Epistolar, Leksionar, siç i quanin liturgjistët e mesjetës librat që përmbanin pjesët e Biblës, ritet e Sakramenteve e lutjet tjera që shërbenin gjatë vitit liturgjik kishtar për kremtimet e Meshës, të Sakramenteve e të riteve tjera liturgjike, çka përmban edhe ‘Meshari’ i dom Buzukut. Në të vërtet në këtë vepër kemi: Oficen e Zojës, Shtatë Psalmet pendestare, Litanitë e Shenjtorëve, disa pjesë të Ritualit (mbi Sakramentin e Martesës), Urdhërimet e Zotit dhe pjesë tjera të katekizmit e Meshët, për tërë vitin e liturgjisë kishtare, ndër festa të luajtshme e të paluajtshme.

Siç dihet, ‘Meshari’ u zbuluar aty nga viti 1743, nga imzot Gjon Kazazi (1702-1752), prej Gjakove, asokohe kryeipeshkëv i sapoemëruar i Shkupit, e po kthehej në Romë nga një vizitë e tij apostolike që kishte bërë në Bullgari e vise tjera të Lindjes. Imzot Kazazi gjendej në Vatikan për të njoftuar Selinë e Shenjtë Apostolike, për gjendjen e rëndë të besimtarëve të krishterë, në zonat që kishte vizituar, e në mënyrë të veçantë mbi situatën e rëndë të besimtarëve katolikë shqiptarë, të pushtuar nga osmanët. Gjatë qëndrimit të tij në Vatikan, ai  e gjeti Mesharin në Kongregatën e Vatikanit të Propagandës së Fesë, e përmes një letre njoftoi menjëherë Rektorin e Seminarit Arbëresh të Palermos, atë Gjergj Guxetën (1682-1756).

Po është vështirë të përmbledhësh në pak rreshta, vlerën e një libri, me histori të veçantë, prej të cilit ka mbetur vetëm një kopje, që ruhet ende sot në bibliotekën Apostolike të Vatikanit, tashmë i restauruar, së cilës studiues të shumtë i kanë kushtuar studimet e tyre si Atë Justin Rrota, M. Roques, G. Schiro, G. Petrotta, N. Jokli , , E. Çabej, I. Zamputi, C. Tagliavini, N. Resuli, M. Camaj , E. Sedaj, V. Putaneci, T. Lladani, Bardhyl Demiraj, Evalda Paci e shumë të tjerë.

Radio “Vatikani”

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button