ArteEkspozita

61 artistë, shqiptarë e të tjerë, në kornizat e një ekspozite

T`i bësh bashkë, brenda kornizave të një ekspozite 61 artistë, shqiptarë, zviceranë dhe të tjerë, ka qenë me siguri detyrë e rëndë për një kurator. Por grafisti shqiptar nga Kosova, me qëndrim prej sa vitesh në Cyrih, Adem Dërmaku e ka pranuar këtë sfidë dhe, me përkrahje nga disa anë, ia ka dalë asaj me sukses.

“Ideja dhe koncepti, qëllimi kryesor ka qenë përfshirja në një ekspozitë kryesisht e grafikës së artistëve, shqiptarë, duke filluar që nga Gjelosh Gjokaj që ka qenë themeluesi i grafikës në Akademinë e Arteve në Prishtinë dhe për të vazhduar me pasuesit e tij e deri te më të rinjtë. Pastaj këtu kemi edhe një punim të bardit të pikturës shqiptare, Ibrahim Kodrës së ndjerë. Nga ana tjetër, pjesëmarrësit zviceranë në këtë ekspozitë janë nga ata me të cilët kemi kontakt ne si galeri dhe unë personalisht”, thotë për albinfo.ch kuratori i ekspozitës, Adem Dërmaku.

Gjithsej autorë shqiptarë, nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Lugina e Preshevës dhe Mali i Zi janë rreth 30 ose gjysma, pasi që këtu me punimet e tyre prezantohen 61 autorë”, sqaron ai në vazhdim.


Të pranishëm, edhe dhe kolosët e artit, Henry Moore dhe Ibrahim Kodra

Është me interes të përmendet se në këtë ekspozitë është edhe një punim i artistit britanik me famë botërore nga shekulli i kaluar, Henry Moore, të njohur më shumë si skulptor. Po kaq interesante është edhe rruga se si janë siguruar vepra të autorëve kaq të mëdhenj në këtë ekspozitë.
“Henry Moore ka shtypur dikur drejtpërdrejt punime të tij në punëtorinë tonë grafike. Sipas rregullit, një pjesë e kopjeve i ka takuar punëtorisë, gjegjësisht galerisë së saj, e cila ka fituar kështu të drejtën t`i shesë ose t`i ekspozojë. Dhe unë, si punëtor i kësaj punëtorie e kam të drejtën t`i ekspozoj ato në ekspozitën, kuratimin e të cilës e kam bërë”, sqaron Adem Dërmaku.

Tema e ekspozitës sheshohet përmes disa titujve: “Të njohur e të panjohur”, “Të rinj e të vjetër”, “zi e me ngjyra” si dhe nga: Veriu Lindja Jugu Perëndimi”.

Ndërsa ekspozita nuk ka ndonjë koncept tematik. Secili artist ka pasur të drejtë të zgjedhë vetë temën. Por, kusht ka qenë që asnjëri të mos ketë më shumë se nga një punim të ekspozuar. Pra këtu mund të shikohen gjithsej 61 punime.

Përkrahje financiare nga Ministria e Diasporës

Ministria e Diasporës ka dhënë përkrahje financiare për këtë ekspozitë përmes Qendrës Kulturore të Kosovës në Cyrih, tregon Dërmaku. Në mesin e sponsorëve është edhe Bruno Gentinetta nga Kupferdruckwekstatt Zürich (punëtoria e shtypjes në bakër) në lokalin e së cilës është hapur ekspozita.

Ndërsa një subjekt i ri, që për herë të parë shfaqet para publikut pikërisht në këtë ekspozitë, është shoqata e artistëve figurativë shqiptarë të Zvicrës “Bardh e Zi”.
“Kjo shoqatë e posathemeluar është bashkorganizatore e ekspozitës”, thotë kuratori dhe artisti pjesëmarrës në këtë ekspozitë, Adem Dërmaku. Ajo përbëhet nga shtatë artistë dhe së shpejti do të ketë edhe statutin dhe logon, për të formalizuar ekzistimin e saj.

I pyetur lidhur me sjelljen në Zvicër të artistëve shqiptarë qe kanë ekspozuar këtu, organizatori i saj thotë se kjo nuk është bërë pasi që do të kishte një kosto të papërballueshme financiare.


“Të fusim kulturën e blerjes së veprave artistike edhe te shqiptarët”

Ekspozita ka karakter shitës dhe çmimet janë të kapshme, mendon Dërmaku.

“Ka qenë edhe një qëllim yni që përmes këtyre çmimeve të fusim në kulturën e bashkatdhetarëve tanë blerjen e punimeve artistike gjegjësisht stolisjen e banesave të tyre me vepra artistike. Mjerisht, nga përvoja e deritashme mund të them se të gjitha punimet e shitura të ekspozitave tona janë blerë nga zviceranët dhe pothuajse fare nga shqiptarët.

Ekspozita e hapur solemnisht më 7 maj do të mund të vizitohet deri më 22 maj, nga e marta deri të shtunen prej orës 13 deri ne orën 18. Adresa: Galerie Werkstatt, Eglistrasse 8
8004, Zürich


Këshilltari në Ministrinë e Diasporës inkurajon artistët

Në hapjen e ekspozitës e mori fjalën edhe këshilltari i lartë i ministrit të diasporës, Kushtrim Sheremeti. Ai, duke folur ne emrin e ministrit, Valon Murati, ka përgëzuar artistët për iniciativën e hapjes së kësaj ekspozite. Më tutje ai ka inkurajuar artistët që të shfrytëzojnë resurset e Qendrës Kulturore të Kosovës në Cyrih për të zhvilluar aktivitetet e tyre kulturore dhe artistike. Sheremeti ka ftuar po ashtu artistët që të aplikojnë në Ministrinë e Diasporës për financimin e projekteve që mendojnë se janë me interes, pasi që kjo ministri ka një konkurs të hapur për këtë qëllim.
Të pranishëm në hapje të ekspozitës kanë qenë edhe ministri këshilltar në Konsullatën e Republikës së Kosovës në Cyrih, Islam Spahiu dhe ushtruesja e detyrës së drejtorit të Qendrës Kulturore të Kosovës në Cyrih, Shukrije Ramadani.

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button