Home / Ekonomia / Eurosig drejt finalizimit të kontrollit mbi UBA, Orfea Dhuci emërohet Drejtor i Përgjithshëm i bankës

Eurosig drejt finalizimit të kontrollit mbi UBA, Orfea Dhuci emërohet Drejtor i Përgjithshëm i bankës

Kompania e sigurimeve Eurosig ka rritur më tej pjesëmarrjen në Bankën e Bashkuar të Shqipërisë, duke blerë edhe 4.3% të aksioneve prej bankës nga Bahreini Ithmaar Bank.

Paketa aksionere është blerë kundrejt një çmimi prej 405 mijë dollarësh amerikanë ose sa 0.67% e vlerës së tyre nominale.

Me blerjen e kësaj pakete të re aksionesh, pjesa e kontrolluar nga UBA arrin në 55% të kapitalit aksioner. Megjithatë, Eurosig ende nuk ka mundur të ushtrojë mazhorancën vendimmarrëse në UBA, për shkak se Banka e Shqipërisë deri në korrik të këtij viti nuk e kishte miratuar rritjen e mëparshme dhe më të rëndësishme të përqindjes së Eurosig në UBA.

Në gusht 2021, Eurosig regjistroi në Qendrën Kombëtare të Biznesit kontratën e shitjes së aksioneve, përmes të cilave bleu edhe 30% të aksioneve në UBA nga ortaku kryesor, Banka Islamike për Zhvillim, duke e rritur pjesëmarrjen nga 21.02% në 51.017%.

Banka e Shqipërisë nuk e kishte miratuar këtë transaksion, duke qenë se Eurosig nuk është investitor me përvojë në sektorin bankar.

Megjithatë, për shkak se aksioneri tjetër kryesor, Banka Islamike për Zhvillim, nuk ka qenë më e gatshme të injektojë kapital në UBA, Banka e Shqipërisë u “dorëzua”, duke i hapur rrugë shitjes.

Në korrik të këtij viti Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të japë miratimin për këtë transaksion, por me kusht që Eurosig të kontribuojë me likuiditet në një rritje kapitali të UBA në shumën e tre milionë eurove, brenda datës 31 dhjetor 2022.

Rritja në fjalë e kapitalit nuk është regjistruar ende në QKB, por megjithatë burime nga banka shprehen se pritet që ajo të finalizohet brenda afatit të vendosur nga Banka e Shqipërisë. Shtimi i kapitalit me tre milionë euro pritet ta rrisë më tej pjesëmarrjen e Eurosig, në mbi 70% totalit të aksioneve.

Marrja e kontrollit nga Eurosig do të sjellë ndryshime edhe në menaxhimin e lartë të bankës. Drejtori i Përgjithshëm, Amel Kovaçeviç është larguar pas afërsisht tre vitesh në krye të bankës. Drejtimin e UBA-s e ka marrë Orfea Dhuci, bankier shqiptar me një eksperiencë të gjatë në Alpha Bank Albania, fillimisht si Drejtues i Njësisë bankare të Biznesit dhe më pas si këshilltar ekonomik.

UBA është aktualisht banka më e vogël në sektorin bankar shqiptar. Mbështetur në të dhënat e Shoqatës Shqiptare të Bankave, në fund të tremujorit të tretë të vitit UBA zotëronte rreth 0.7% të tregut bankar në Shqipëri, për një total aktivesh prej rreth 12.6 miliardë lekësh.

Megjithatë, shifrat e paaudituara nga Shoqata Shqiptare e Bankave tregojnë se UBA këtë vit është një nga bankat që po regjistron ritmet më të larta të rritjes. Në fund të muajit shtator, aktivet e bankës rezultonin në rritje me 15.7%, rritja e dytë më e lartë brenda sektorit bankar, pas Tirana Bank

Leave a Reply

%d bloggers like this: