Opinion

Ku dallon liria demokratike e fëmijëve tanë nga robëria jonë e deridjeshme?

Kim Mehmeti

Fëmijërinë time e shënuan pamjet rrëqethëse në stacionin hekurudhor të Shkupit, ku lotonin ata që shkonin në Turqi dhe ne që i përcillnim dhe mbetëm këtu. Dhe s’kishte kush na ngushëllonte as neve që nuk e braktisëm vendlindjen, as ata që shkuan atje ku nuk i priste njeri.

Në ballinën e viteve të pjekurisë sime, mbetën të pashlyera skenat rrëqethëse të të dëbuarve nga Kosova, që ne i prisnim në Bllacë dhe i ngushëllonim me betimin se deri sa të ketë kulm mbi kokat tona, do ketë sofër edhe për ata.

Pas skenave trishtuese të fëmijërisë, pas pamjeve rrëqethëse të vitit 1999 në Bllacë, shpresoja se toka shqiptare kurrë më nuk do i ‘abortojë’ fëmijët e saj.

Dhe e dija se do jetë e vështirë, e dija se lumturia gjithëpopullore është iluzion, por kurrë nuk e kisha menduar se do shihja pamjet trishtuese të të të rinjve që i braktisin “Shqipëritë” tona.

Shumë miq më pyesin pse ne, individët publikë, nuk dalim e t’i themi kësaj rinie të mos e braktisë atdheun!

Ja po ua them sepse-në time: ngaqë më vjen turp t’u dal përpara atyre që heshturazi i braktisin trojet shqiptare. Më vjen turp sepse që të dalësh të kërkosh nga ata të kenë më shumë durim e të flijojnë për popull e atdhe, duhet ta kesh larë borxhin që ke ndaj tyre: paraprakisht t’u kesh treguar se cilët janë ata që ua vranë shpresën dhe atdhetarinë, se cilët janë ata që me dekada janë duke na bërë ‘evropianë’, por në ndërkohë, duke e shkatërruar dhe duke  e plaçkitur popullin e tyre.

Andaj, mendoj se kjo rini që është duke e braktisur atdheun, paguan edhe çmimin e qyqarisë së prindërve të tyre, të mosguximit tonë që me kohë t’u ngjiteshim autobusëve që çojnë në Tiranë, Prishtinë e Shkup, që t’i mbushnim sheshet e atjeshëm dhe në mos më shumë, publikisht t’i lexonim emrat e atyre të cilët kurrë nuk e fshehën se jetonin në parajsën e ndërtuar mbi tokën e ferrit tonë, se janë të rrethuar me kopshte parajësiane të ujitur me lotët e varfanjakëve.

Dhe duke qenë të tillë, ne sot përballemi me pyetjen e fëmijëve tanë, e që u bë emblemë e turpit tonë: me çka dallon liria e tyre e sotme demokratike, nga robëria e jon e deridjeshme?!

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button