Opinion

Liderët shqiptarë kundër SHBA

Petro Dhimitri

I pari lider i Shqipërisë që shpalli armike SHBA-në ishte diktatori komunist Enver Hoxha. Sa erdhi në fuqi, i preu marrëdhëniet diplomatike me SHBA-në dhe Anglinë, duke mbyllur ambasadat përkatëse. U largua edhe UNRA që furnizonte me ushqime Shqipërinë e drobitur nga lufta.  Ende e kujtoj kohën kur në shkollë hanim mëngjesin që na jepte UNRA.

 Pse mori Enver Hoxha atë masë ekstreme, kur si Moska dhe të gjitha ish demokracitë komuniste kishin marrëdhënie diplomatike me Washingtonin?!  Historikisht dihej që Presidenti Willson kishte vënë veton, kur Europa pas Luftës së Parë Botërore,  kishte përgatitur hartat për t’u dhënë Serbisë Veriun, Italisë Vlorën, ndërsa Greqisë zonën e Gjirokastrës.
 E kishin katandisur Shqipërinë si kokoshin një thelë, siç thotë populli! Prezenca e amerikanëve dhe anglezëve kishte për të minuar  karriken e Hoxhës. Kishte për të qenë faktor ndihmës për të gjithë ata që ishin kundër mizorive të komunistëve.Diktatori i paskrupullt nuk do të mund ta mbante të mbyllur për 50 vjet kufirin të rrethuar me klon dhe popullin martir si zogu në kafaz.
          Se sa dëm i shkatoi Shqipërisë armiqësia ireale e komunistëve ndaj SHBA-së, Anglisë dhe Perëndimit kjo nuk ka nevojë për koment. Të gjithë e dinë shumë mirë.Kjo ishte arsyeja që kur sekretari i shtetit, Xheims Beikeri erdhi në Shqipëri, mbarë populli e priti si shpëtimtar, duke treguar një dashuri të pa kufi ndaj Amerikës. Nuk i harroj ato çaste fatlume si dhe parrullën: KEMI 50 VJET QË PO JU PRESIM! Më dukej se tërë Tirana ishte mbledhur në qendrën e qytetit dhe në sheshin para monumentit të Skëndërbeut. Sa vetë ishin? Mbi 300 mijë.
           SHBA-ja ishte ajo që mbështeti fuqimisht lëvizjen popullore antikomuniste. Ishte ambasadori Ryerson, që ,duke anashkaluar  rregullat e diplomacisë, shoqëronte në mitingjet e Partisë Demokratike liderin e saj Sali Berisha. Qe një ndihmë fatlume për mbarë popullin. Më në fund, me shtysën e valës antikomuniste të Europës Lindore dhe mbështetjen e SHBA-së, diktatura komuniste u rrëzua. Nisi epoka e re e transformimeve vërtet demokratike. Ishte SHBA-ja shteti që Shqipërisë i shleu borxhin e madh që kishte marrë diktatori komunist Ramiz Alia, kur arka e shtetit shqiptar qe thuajse e boshatisur. Amerikanët me të gjitha forcat e mundësitë ndihmuan qeverinë e PD-së me specialistë, këshilltarë, me bursa për studentët shqiptarë. Erdhi edhe fondacioni Soros…Ne e dimë mirë që nuk i kishim kushtet, po SHBA na futi në NATO, duke na garantuar paprekshmërinë e kufijve tanë.Pak më e vonëshme, është lufta që i shpalli Presidenti Klinton Milosheviçit, kur ai nisi të zbatonte planin ogurzi të pastrimit etnik të Kosovës. Amerika u solli lirinë vëllezërve tanë dhe është garanti më besnik i pavarësisë së Kosovës… Ka edhe shumë e shumë gjëra të tjera për të thënë…
Pyetja se si e shpërbleu Sali Berisha SHBA-në për këto ndihma më se vëllazërore, më shtyn të shikoj zikzaket e rrugëtimit të kësaj miqësije.
        Në vitin e parë, donte nuk donte, Berisha u soll si nuse e bindur. Me kalimin e muajve brumi komunist që ruante fort në gji, nisi t’i lëvrinte. Me të përzihej edhe dëshira e fshehur e doktorit për të qenë aq i fuqishëm sa Enveri. Cilido që shfaqte një mendim pak ndryshe, u mënjanua nga forumet drejtuese ose dhe u përjashtua nga partia. Janë mbi 200 dhjetoristë që ai i sikterosi. Enveri i burgoste ose i vriste. Ky vetëm se i përjashtonte. I plotpushtetshimi ”demokrat” i la të lirë bashkëluftëtarët e tij  të pasuroheshin sa më shpejt dhe sa më shumë. Korrupsioni galopant iniciuar prej tij nisi të lulëzonte.Ligjin për kthimin e pronave e bëri gjysmak. Toka nuk vajti te i zoti. Të burgosurve dhe të përndjekurve politikë nuk u dha ndihmën që duhej. Deputetët opozitarë protestues i rrahu para 15 katëshit. Ai dha urdhër të digjej gazeta Koha Jonë dhe të qëllohej me hekur në kokë Edi Rama.Ishte ai që  me tanket e Gardës së Republikës pushtoi RTSH-në dhe Kryeministrinë. Nano, për të mos rënë viktimë, u detyrua të largohej. Në drejtësi emëroi militantë të PD-së me 6 muaj kurs? Gjykatat ranë në duart e militantëve të tij që vetëm drejtësi nuk jepnin… Para tërë këtyre thagmave të  shmangies nga  normat e demokracisë  SHBA-ja, partneri ynë më i ngushtë dhe miku më besnik i shqiptarëve, nuk mund të heshtëte dhe as të mbyllte sytë. Ambasadorët e nderuar të asaj Amerike që Berishën e kishte benjaminin e saj, bënë vërejtje dhe filluan të mbanin qendrim. Po ku donte t’ia dinte komunisti Berisha?! Ai iu kundërvu keqas përfaqësuesve të SHBA-së demokratike. Si  partnerë që ishin me ne, amerikanët nuk mund të pranonin deformimet që i bënte ai normave të demokracisë dhe porosive të tyre. Doktori nga Viçidoli arriti deri aty sa t’i quante ata  ambasadorë të Edi Ramës?! Ai u ankua pse ambasadori Donald Lu kishte shkuar në zyrën e tij dhe i kishte kërkuar të shkarkonte kryeprokurorin Adratik Llalla pse u rezultonte i korruptuar. Jo vetëm e quajti ndërhyrje në punët e një vendi tjetër, po, përmes Adriatik Llallës, e akuzoi zotin Donald Lu për korrupsion të rëndë. Sipas Berishës dosjen që mbante ambasadori ia kishte përgatitur Sorosi?! Populli shqiptar tashmë e di se kush nga këta të dy ishte  korruptuari i rëndë. Ambasadori Lu që, kur mbaroi mandatin, u emërua në një post të rëndësishëm sërish si ambasador, apo prokurori Adriatik Llalla që u dënua nga gjykata për korrupsion. Mundi të arratisej dhe e mbajti frymën në Itali si azilkërkues?!
       Për të fshehur antiamerikanizmin e tij Sali Ram Berisha doli me versionin utopik, që nuk mund ta besojnë as kalamajtë, se ai nuk është kundër SHBA-së, po vetëm kundër ambasadorëve të saj që kanë bërë politikë personale në dëm të tij dhe të vet Amerikës?! Nuk janë një apo dy ambasadorë që paskërkan gabuar aq rëndë me të, po 7. Shtrirja kohore e shërbimit të tyre ka qenë 25 vjet. Pra, Mariza Lino, Jossef Limpreht, James Jeffry, John Wothers, Aleksandër Arvizu, Donald Lu dhe Juri Kim të gjithë së bashku paskan komplotuar kundër tij dhe PD-së?! Gjëpura të fantazisë së sëmurë Berishjane!
        Është koha të ndalemi pse me aq urrejtje dhe ligësi ai i është turrur zonjës Juri Kim.  SHBA konstatoi bindshëm që në Shqipëri sistemi i drejtësisë ishte i korruptuar .Të tillë ishin edhe politikanët e saj. Shqipëria po shkiste nga binarët e demokracisë. Kjo ishte arsyeja pse ata, për të ndihmuar popullin shqiptar, vendosën të ndërmerrnin Reformën në Drejtësi. Ata e iniciuan dhe ata kërkuan ta zbatonin, duke e financuar direkt dhe duke e shpallur se atë reformë, pra SPAK-un, e drejtojnë ata. U përzunë me lopatë prokororët dhe gjyqtarët e korruptuar të  proceseve të manipulura të kohës së Berishës. U fol se disa prej atyre proceseve kishin për t’u rihapur. Nuk mund të kalonin pa ndëshkim vrasjet me urdhër të 21 janarit, as 26 viktimat e Gërdecit të familjes Berisha. Po ashtu disa procese të tjera ku janë të implikuar si Berisha dhe Meta. Vetëm këto që përmenda, plus shpalljes NON GRATA) mjaftojnë për të justifikuar egërsinë e sulmeve të Berishës ndaj ambasadores Juri Kim si dhe gjendjen depresive të tij. Doktori ka kaluar çdo masë kur ambasadoren aq aktive dhe dashamirëse të Shqipërisë, zonjën Juri Kim e quan guvernante. ”Ajo ka bërë akt të madh korruptiv kundër meje”është shprehur ai. Doktori shkon dhe më tej, si të ishte një grua e keqe,  dhe thotë se ka video erotike të saj?! Turp, shumë turp për një burrë aq më tepër për një malësor! Megjithatë Berisha ”këmbëngul” që nuk është kundër SHBA-së?!Në demostrata na nxjerr dhe flamurin amerikan! Nuk e besojnë as fëmijët e moshës së kopshtit se një njeri që hap proces gjyqësor kundër sekretarit të Shtetit Antony Blinken dhe që anatemon të gjithë ambasadorët e SHBA-së, na e paskërka shumë xhan Amerikën?! Po, po, xhan si një jago, xhan si xhaxhi Enveri, idhulli i tij.
          Po Kryeministri Rama si i ka marrëdhëniet me SHBA-në? Pse flitet për një plasaritje?!
           Kurrësesi  nuk mund të bësh krahasim midis Berishës dhe Ramës për qendrimin ndaj Amerikës. Rama dhe sociaslistët marrëdhëniet me SHBA-në i kanë ngritur në shkallën më të lartë që ka patur vendi ynë. Jemi partnerë të besueshëm të tyre. Ishte Amerika që na mbështeti për t’u bërë Shqipëria anëtare e përkohëshme e Këshillit të Sigurimit. Ishte Kryeministri Rama që menjëherë, për të mos thënë i pari, që iu përgjigj thirrjes së SHBA-së për të strehuar përkohësisht refugjatët afganë. Po Rama qe ai që menjëherë u tregua i gatshëm për të strehuar muhaxheidinët iranianë.Ishte dhe është SHBA që po na ndihmon për të shmangur sulmet kibernetike të Iranit. Ka edhe shumë aspekte të tjera të këtij partneriteti shëmbullor. Atëhere pse gojët e liga flasin për një plasaritje midis Ramës dhe Washingrtonit?
        Më kanë zënë veshët se amerikanëve nuk u ka ardhur mirë që Rama e dënoi me  një vit për shpërdorim në detyrë,( pa përvetësuar as edhe një qindarkë) ,drejtorin e RTSH-së, zotin Thoma Gëllçi që është shtetas amerikan. Përkundrazi ai i kurseu shtetit  60000 dollarë?! Një javë para se Rama ta shkarkonte, Ambasadorja Juri Kim bëri një viztë në RTSH dhe foli fjalë të mira për atë institucion. Kjo është një vogëlsirë, mund të thotë kushdo. Ashtu është për ne, po jo për Washingtonin  që i mbron me vetmohim shtetasit e vet kur ata kanë të drejtë. Veç rastit Gëllçi  kemi edhe dy tre konstatime të tjera. Nga më kryesoret është që Rama, në një çast nervozizmi ku ai nuk mundi t’i mbante të kyçura fjalët në gojë, në një transmetim televiziv tha se Juri Kim është bërë si sekretarët e partisë. Mos, i nderuar Kryeministër, se e shkele! D.m.th. ju mendoni se ajo vepron si komuniste?! Deri sa dihet që çdo ambasador zbaton urdhërat e Washingtonit, na del se dhe SHBA përdorka praktikat komuniste?! Nuk mendoj se ky qendrim tejet i gabuar publik i kryeministrit tonë nuk është regjistruar në Washington për të keq.
         Një rast tjetër që  nuk i ka s t’i ketë pëlqyer Washingtonit, është kur Rama foli në Bruksel. Dakort edhe për vërejtjet që kishte ndaj Europës në lidhje me ne. Po si i mori koka erë dhe nga ajo tribunë bëri avokatin e Vuçiçit dhe të Serbisë?! I kërkoi Botës Perëndimore ( SHBA-së Europës së Bashkuar Anglisë), që mos t’i bënin shumë presion Serbisë nga që ajo ka marrëdhënie historike specifike me Rusinë?! Pra, të mjaftoheni me faktin që Serbia e dënoi agresionin e Rusisë. Sa për sanksione të tjera ajo e ka shumë të vështirë. I nderuar Kryeministër, është mirë që ju keni miqësi edhe me zotin Vuçiç. Nga miqësia nuk i vjen njeriut dhe shteteve as edhe një e keqe. Ju nuk ishit më në rolin e drejtuesit të OSBE-së. Ishit thjeshtë zëri i Shqipërisë, i një shteti të vogël sa një pikë në oqean. Kush ju autorizoi dhe ju pyeti që t’i jepni mend Amerikës dhe Europës se si ata duhet të veprojnë me Serbinë?! Shkodranët sharjen më të rëndë kanë: ” Të hyftë vetja në qejf” që do të thotë: bëfsh aq gabime sa të qeshin edhe pulat.
            E fundit, që gjithashtu flet për plasaritjen me zonjën Juri Kim:  përpara se Senati Amerikan të njoftonte  caktimin e ambasadorit të ri në Tiranë, lajmin e dha Ministria e Jashtme e Shqipërisë?!
            Çdo shqiptari të ndershëm do t’i bëhet qejfi të mos ketë as edhe një plasaritje midis Ramës dhe Washingtonit. Edhe në qoftë ajo sado pak, urojmë që Kryeminstri ynë të gjejë forca për të vijuar së treguari respektin, mirënjohjen që ka ai dhe populli shqiptar për SHBA-në, shpëtimtaren tonë, çliruesen e Kosovës martire.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button