Opinion

Për kë të votojmë?

Petro Dhimitri

-Bisedë midis tre shokësh-

       Besimi, Skënderi dhe Zefi janë shokë që nga kopështi, fillorja, tetëvjeçarja dhe gjimnazi. I ndau vetëm universiteti. Besimit për shkak të biografisë nuk iu dha e drejta të hynte në Universitet. Skënderi mbaroi për matematikë-fizikë bërthamore dhe Zefi për arkitekturë. Shoqërinë e kanë ruajtur si dikur. Çdo javë takohen të enjteve për të pirë bashkë kafe. Rrallë edhe shkojnë në ndonjë birrari. Krejt rastësisht u ndodha fare ngjitur me tavolinën e tyre  te kafja ”Mulliri i vjetër”. Kur erdhën i përshëndeta dhe vazhdova punën me laptopin tim.
         Doja nuk doja fjalët e tyre më vinin në vesh. Folën se si i kishin punët. Vazhduan me motin dhe dolën te sporti. Kur u erdhi kafeja, sa Besimi piu gllënkën e parë, pa nga Skënderi dhe ngau bisedën duke pyetur:
          – Që thoni ju, që nuk po flisni hiç, PD-ja është bërë lomsh. Është ndarë jo vetëm më dysh, po të dy grupimet po shikohen si armiq, edhe pse janë gjoja demokratë?! Kjo më dhëmb në zemër. Një muaj e pak ka mbetur për zgjedhjet. Nuk di se për kë do të votoj?! Nga njëherë natën më del dhe gjumi. Si mendoni ju, vëllezër?
          SKËNDERI: Ta kemi qarë hallin, Besim. Ti je anëtar i PD-së që me krijimin e saj. Jo vetëm anëtar, po je si valutë e saj.
           BESIMI: Fillove nga furçet, o profesor!
           SKËNDERI: Jo, jo. Nuk janë furçe. Ty të dhëmb zemra për atë parti. Të them të drejtën, edhe pse nuk jam anëtar i saj, ti e di mirë se ne të tre në të gjitha zgjedhjet  për Berishën kemi votuar. Po tashti ajo parti u shkërmoq. Në këtë ditë halli e çoi Berisha. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Një komunist i vendosur si ai në udhëheqje të së djathtës nuk mund ta çonte përpara partinë. Ai njihte marksizmin dhe praktikën e Enverit. Ashtu si diktatori hëngri shokët e vet më të ngushtë, edhe Berisha i hoqi një nga një të gjithë dhjetoristët. Po ti, o Besim vëllai, nuk ke pse pyet për kë të votosh. PD-ja ligjore është ajo e Alibeajt. Atë njeh ligji.
             BESIMI: E di, vëlla, e di, po ai nuk ma mbush synë. Tjetër Berisha! Me atë më duket se janë shumica?
             SKËNDERI: Si thua, vëlla, tjetër Berisha?! Akoma vazhdon ta adhurosh atë? Kot nuk e shpallën amerikanët bashkë me familjen NON GRATA. Puro shqip do të thotë hajdut. Një hajdut që vuri dorë edhe mbi drejtësinë. Sa herë kemi folur për aferat e tij. Kur i dimë ne, si mos t’i dinë amerikanët dhe anglezët?! Prandaj mos u siktelos fare. Voto për kandidatin e PD-së.
             BESIMI: Ti flet mirë, o profesor, po hajt thuaj kaptinës sime! More sikur të mos ishte bashku me partinë e hajdutit të floririt, për ata të foltores kisha për të votuar. Bashkimin me atë komunist të fëlliqur nuk po e honeps dot. Pyes veten ç’duam ne të djathtët që të bëhemi bashkë me të majtët, si i thonë. Unë vazhdoj t’i quaj komunistë. Janë këlyshët e saj partie që më vrau gjyshin, pastë rahmet. I vunë prangat se kujtonin që kishte florinj. U mbeti në dorë gjatë torturave. Për 50 vjet na shikonin si armiq. Edhe pse isha ndër të parët e klasës, dera e universitetit m’u mbyll.
            Në bisedë ndërhyn dhe Zefi:
             – Për këto që thua, Besim, nuk ke arësye të vuash. Ti nuk ke për të votuar për kandidatët e  martesës  së dy komunistëve. Të dy janë kundër Amerikës që t’i e do aq shumë dhe thua:” Ia lumsha asaj!”
            BESIMI: Jo, kundër Amerikës kurrë! Ama edhe për të majtët asnjëherë edhe pse Rama nuk ka qenë komunist. Ama të vetët të gjithë rrënjët te partia e Enverit i kanë. Mirë, vëllezër, po e shikoj që, dua nuk dua ,për Roland Bejkon kam për të votuar. Nuk më pëlqen vetëm se është nga Jugu. Do të doja që kandidati ynë të ishte me rrënjë 24 karatsh nga Tirona. Po ti, profesor që ke një barrë mend, për cilin ke për ta dhënë votën?
            SKËNDERI: Nga analiza që i bëj rrethanave politike më del se nga një anë kemi disa parti apo koalicione partishë të vogla, gati si pa emër, po që janë të djathta. Këtu fus dhe PD-në, që shumë e rrudhur po vjen në këto zgjedhje. Ndërsa përballë kësaj të djathte krejt të paorganizuar janë krahu komunist ” Bashkë do të fitojmë” që gjithashtu është jo vetëm rrumpallë, po dhe kundër SHBA-së dhe Europës e pro Putinit dhe Kinës. Nuk besoj se ata kanë për të patur sukses. Vetëm Bashës dhe Metës iu deshën paratë e Putinit. Populli nuk do t’u dëgjojë emrin si atij dhe komunistëve kinezë. Besoj se edhe populli e ka fshirë Metën nga defteri. Të majtët realë, ata të Ramës,( në të vërtetë janë më të djathtë se pasuesit e Berishës), më duken shumë të organizuar. Janë përpjekur të bëjnë shtet. Është hera e parë në jetën time që i shikoj me objektivitet arritjet e tyre. Ta lemë mënjanë diskutimin e do apo nuk e do Ramën. Të shikojmë se ç’kanë bërë dhe po bëjnë ata në këto 10 vjet. Nuk kanë bërë pak. Nuk mund t’ua mohojmë. A mund të bënin më shumë dhe më mirë?! Patjetër, se përsosmëria nuk ka fund. Unë e shikoj punën e tyre edhe në lagjen ku banoj. Kur vajta te kryetarja e Bashkisë së lagjes për një problem, ajo më priti mirë. E di si dreqi që jam simpatizant i PD-së. E dini ç’më tha: Profesor Skënderi unë këtu jam për t’u shërbyer si të majtëve dhe të djathtëve pa dallim.Do ta verifikojmë me ndershmëri kërkesën tuaj.” Pas dy javësh më njoftuan se kërkesa m’u plotësua. Si thoni ju, a mund të mos votoj unë për këtë njeri që punon me përkushtim dhe ndershmëri?!
           BESIMI: Ti mund të votosh për atë, se nuk ta kanë vrarë gjyshin. Unë, për atë qiell e për këtë dhe s’më bën zemra dhe dora  të votoj për një kandidat të majtë, qoftë ai ose ajo flori. Më dhemb zemra.
           SKËNDERI: Për kryetarin e Bashkisë do të studjoj kandidatët. Belind Këlliçin e komunistëve Meta-Berisha e skualifikova që kur tha gënjeshtrën e madhe që transportin urban në Tiranë do ta keni falas?!  Si në Amerikë dhe në Europë  nuk kanë dalë gënjeshtarë aq të mëdhenj sa t’i thonë elektoratit që do ta bëjnë transportin urban falas. Duhen fonde të jashtëzakonëshme. Lind pyetja se si i lindi zotit Belind kjo ide? Është e vërtetë se në Europë janë 17 qytete që këtë shërbim e kanë falas. Vetëm Luxemburgu, Mançesteri, Amsterdami dhe Gjeneva janë relativisht qytete të mëdha. 13 të tjerat janë qytete ose qyteza të vogla. Një gënjeshtari të tillë, aq më shumë që është kandidat i kryegënjeshtarit më të madh në botë me emrin Sali Berishë, populli nuk mund t’i besojë karriken e kryetarit të Bashkisë. Aq më pak tani që zyrtarisht ka hyrë në çadrën e Metës!
             BESIMI: Po ti, Zef për cilin ke për të votuar?
             ZEFI: Unë jam arkitekt dhe i shikoj qartë transformimet e Tiranës. Nisën kur ishte Rama kryetar i Bashkisë dhe vazhduan me Erion Veliajn. Ndërtime po, unaza dhe rrugë të reja po. Shkolla gjithashtu. Ndërtimet për tërmetin shumë cilësore. Spitali Qendror ” Nënë Tereza” tejet modern. Pastërtia në qytet e pëlqyeshme. Nuk ka më Park Rinia të mbushur me kioska dhe klube. U çlirua Lana nga ndërtimet e shëmtuara, me leje apo pa leje, të kohës së Berishës. Për mua Veliaj nuk ka punuar keq. Duke e krahasuar me kandidatët e tjerë, votën time pa asnjë mëdyshje do t’ia jap atij. Është hera e parë në jetën time pas rënies së komunizmit që do të votoj majtas. Pse, do të thuash, Besim vëllai?  Më rezulton që e djathta është e zezë si bloza.
             BESIMI: Dreq o punë, m’u bënë vëllezërit të majtë! Unë nuk kam shkollën tuaj, se elektriçist u bëra. Që kur Berisha më ktheu pronat kam marketin tim që nuk është as i madh e as i vogël. Nuk qahem për fitimet që kam. Jetoj më mirë se edhe kur ishte kryeministër Berisha. Nuk mund të them se Rama më ka bërë ndonjë të keqe. Më vret Zoti, po të gënjej. Një gjë mezi jam duke e përtypur:  është hera e parë në këto vite pas diktaturës që po ndahemi për votime. Nuk mund të them se jeni në rrugë të gabuar. Argumentet tuaja janë të sakta. Edhe unë i kam bluajtur ato për një kohë të gjatë me mëndjen time. E kam kuptuar sakllam që ne demokratët jemi të tradhëtuar. Fajtor për këtë është vetëm Sala…Megjithatë besoj se do të më falni që nuk bashkohem dot me ju. Nuk mund të them se ju e keni gabim, jo. Them vetëm që nuk ju ndjek dot. Kur kujtoj çastet e fundit të gjyshit dhe persekutimin pesëdhjetëvjeçar që patëm si familje, tërë trupi më dridhet. E di që më kuptoni mirë dhe më jepni të drejtë, ashtu si ju jap edhe unë juve të drejtë. Ma thotë rradakja se kjo është  arsyeja që mbetemi shokë të pandarë.Partitë nuk mund të na ndajnë dot.
              Rrufiti me lezet dhe gllënkën e fundit të kafesë. Nuk dukej i mërzitur pse shokët si vëllezër mendonin ndryshe. U jepte të drejtë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button