Ekonomia

Fibank: Sistemi bankar shqiptar ka treguar që është shumë i qëndrueshëm

Viti 2022 ishte viti më i mirë për Bankën e Parë të Investimeve – Shqipëri (Fibank Albania). Bozhidar Todorov, Drejtor i Përgjithshëm, thotë se banka shënoi fitimin më të lartë historik, një nga kthimet më të larta nga kapitali në sektorin bankar, duke regjistruar njëkohësisht ritmet më të larta të rritjes së portofolit të kredisë.

Sipas tij, fokusi i Fibank, edhe për vitin 2023, do të jetë zgjerimi i inovacionit dhe ruajtja e ritmeve të larta të rritjes, duke ndjekur objektivin strategjik afatmesëm për të arritur të zotërojë 5% të tregut bankar në vend.

Z.Todorov thotë se rezultatet e vitit 2022 dëshmuan, edhe një herë se, sistemi bankar shqiptar është shumë solid, edhe falë një strukture konservatore që ndihmon në stabilitetin e tij edhe në kohë vështirësish.

 Si do ta vlerësonit ecurinë e Fibank Albania vitin e kaluar? Cilat ishin zhvillimet më të rëndësishme në bankën tuaj dhe më gjerë në veprimtarinë e sistemit bankar shqiptar?

Jam jashtëzakonisht i kënaqur të përsëris për disa vite rresht pothuajse të njëjtën fjali; “se ky ishte viti ynë më i mirë”. Dhe me të vërtetë, viti 2022 ishte absolutisht viti më i mirë i Fibank Albania deri tani! Treguesit e performancës së Fibank Albania ishin më të lartët në sistemin bankar, me ROE prej 20% dhe ROA prej 2%. Gjithashtu, ajo që e bën 2022 vitin më të suksesshëm për ne ishte fitimi neto i Fibank prej 7.7 milionë eurosh, më i larti i regjistruar ndonjëherë dhe rritja e portofolit të kredisë me 30%, gjithashtu më e larta në sistemin bankar. Rritja me më shumë se 25% në secilin nga tre komponentët kryesorë, totali i aktiveve, depozitave dhe kapitalit ishte një tjetër tregues i qartë i rritjes së qëndrueshme të Fibank.

Ne vazhdojmë të kemi rezultate gjithnjë e më të mira vit pas viti dhe është mbresëlënëse se si ky fakt ndikon pozitivisht në frymën e ekipit tonë, partneritetet tona dhe marrëdhëniet me klientët tanë. Vitet e fundit, sistemi bankar shqiptar ka përballuar me sukses krizat dhe sfidat e mëdha ekonomike globale. Bashkimet në pesë vitet e fundit e kanë konsoliduar më tej atë dhe për rrjedhojë, të gjitha bankat janë shumë aktive pavarësisht nga madhësia.

Të dhënat e publikuara për vitin 2022 tregojnë se bankat po vazhdojnë përpjekjet për të forcuar pozicionin e tyre në treg dhe për të përmirësuar performancën e biznesit në disa aspekte.

Vitin e kaluar, ekonomia u përball me inflacionin më të lartë në dy dekada dhe një rritje të shpejtë të normave të interesit. Si u reflektuan këto zhvillime në ecurinë e sektorit bankar?

Sistemi bankar shqiptar ka treguar që është shumë i qëndrueshëm, madje një përkufizim më i mirë do të ishte “vërtet solid!”.

Sektori bankar në Shqipëri ka një strukturë konservatore, e cila ndihmon shumë në stabilitetin e tij, edhe në kohë vështirësish, kjo edhe për shkak të politikave të duhura të Bankës së Shqipërisë.

Inflacioni është një fenomen normal ekonomik dhe pjesë e cikleve të biznesit që janë të pashmangshme.

Rritja e normës së inflacionit ishte e pritshme, duke pasur parasysh normat e interesit jashtëzakonisht të ulëta në vitet e fundit. Normat e interesit janë rritur muajt e fundit dhe do ta quaja që po i afrohen një niveli normal.

Inflacioni i lartë dhe rritja e çmimeve dhe kostove mund të jetë një situatë sfiduese për bizneset, dhe pikërisht këtu bankat mund të ndihmojnë, në mënyrë që klientët të kapërcejnë çdo vështirësi të mundshme të përkohshme.

Bankat aktualisht po mbështesin bizneset dhe kam shumë besim se do të vazhdojmë ta bëjmë këtë, duke iu përgjigjur siç duhet dinamikës së ekonomisë shqiptare.

Ne jemi këtu, jo vetëm për të mbështetur me financim, por edhe për të këshilluar dhe për të qenë partnerë e për të krijuar një marrëdhënie të qëndrueshme dhe të besueshme me klientët tanë.

Sistemi bankar shqiptar është pjekur dhe është një faktor kryesor në ekonominë në zhvillim të vendit.

Fibank Albania ka qenë shumë aktive dhe ka pasur bashkëpunim pozitiv, kryesisht me klientët e saj të biznesit, për të përballuar këtë situatë, shumë prej të cilëve nuk janë përballur më parë.

Cilat do të jenë objektivat tuaja kryesore për vitin 2023 dhe cilat parashikoni të jenë sfidat kryesore për biznesin bankar këtë vit?

Objektivi ynë i qartë është një rritje e qëndrueshme e shëndetshme! Grupi Fibank ka synim të qartë dhe rrugën për të ndjekur, për një prani të fortë në Shqipëri me një bankë në rritje, që luan rolin e saj në sistemin bankar dhe ekonominë shqiptare.

Fibank Albania synon të ruajë treguesit e performancës, me gjithë oreksin tonë ambicioz për rritje dhe në periudhën afatmesme, të arrijë 5% të tregut.

Objektivat strategjike të bankës sonë janë që të fokusohet në përmirësimin e vazhdueshëm të përvojës së klientit, nëpërmjet kanaleve dixhitale apo personalizimit të përvojës, për të krijuar një marrëdhënie afatgjatë, dhe forcimin e bazës sonë të klientëve retail dhe dixhitalizimin e mëtejshëm të shërbimeve, për një përvojë inovative dhe sa më të avancuar për klientin.

Zhvillimet e mëtejshme në bankingun dixhital do të vazhdojnë të jenë në fokus.

Fibank po vazhdon të nxjerrë produkte dhe shërbime inovative, duke synuar të kombinojë karakteristikat më të mira për klientët e saj dhe t’u ofrojë atyre opsione të mundshme, për të menaxhuar sa më mirë financat e tyre, si për kursimet, edhe për investimet.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button