Opinion

Shqipëria me monizëm në demokraci!?

Petro Dhimitri

14 maji 2023 vërtetoi katërcipërisht se Shqipëria është shtet monist edhe pse në gjykatë janë regjistruar 126 parti politike. Si është e mundur që një vend me kaq shumë parti si kosheret e bletëve të katandiset në monizëm?! Duket pak si kontradiktore ose thjesht budallallëk, po ja që është krejt e vërtetë. Rezultati i zgjedhjeve vendore në përballjen e socialistëve me demokratët 53 me 7 dëshmon që e majta nuk ka patur kundërshtar ose, më saktë, një kundërshtar që lëngon në shtrat. Po të kishte ndodhur në basketboll që skuadra pretenduese për titull të humbte kaq thellë, menjëherë pas ndeshjes trajneri i saj do të jepte dorëheqjen. Përndryshe, të nesërmen klubi me tifozët kishin për ta larguar me ceremoni. Po për politikanët tanë si humbja dhe dorëheqja nuk njihen dhe nuk pranohen. As Berisha dhe as Meta nuk i bien kësaj këmbane. Kapen fort pas akuzave se bandat i kanë vjedhur zgjedhjet. Pavarësisht nga ç’trumpetojnë ata, le të shikojmë shkaqet e kësaj disfate kaq të madhe dhe të rëndë të  opozitës sonë:

          Ato nisin heret, që me krijimin e Partisë Demokratike, kur  Presidenti i Partisë së Punës Ramiz Alia thirri doktor Sali Berishën dhe i ngarkoi si detyrë të udhëhiqte lëvizjen studentore antikomuniste, që menjëherë u kthye në një lëvizje masive popullore kundër PPSH-së. Ishte porosi e Gorbaçovit që në drejtimin e partive të reja të viheshin po komunistë. Në këtë mënyrë ata do ta kishin gjendjen nën kontroll. Pra, që në zanafillë opozita jonë u minua duke e marrë drejtimin e saj një anëtar i vendosur i PPSH-së, madje edhe sekretar ekstremist partie. Se si mund të sillte demokracinë një komunist, për shumë njerëz të ndershëm kjo ishte një enigmë e madhe. Së prapthi Berisha e filloi me dënimin e byroistëve vetëm për perdet dhe televizorët e tepërt që kishin në shtëpitë e tyre?! Ai ju fali krimet monstruoze të luftës së klasave e deri vrasjet në kufi kur përpjekja për të ikur nga vëndi nuk quhej më tradhëti. Për këshilltar doktori pati një ish anëtar të ri të Komitetit Qendror dhe për Drejtor të RTSH-së vendosi po një komunist. Për kafaz diplomatik mbajti po atë njeri që kishte dhe diktatori Ramiz Alia. Se komunistët ishin shokët e tij. Edhe reformat që ishte i detyruar t’i ndërmerrte, i bëri gjysmake, sidomos ligjin për kthimin e pronave. Nga PD largoi të gjithë intelektualët që mund të kishin vërejtje ose që mund të mendonin ndryshe nga ai.Partisë i injektoi një frymë negative urrejtjeje për kundërshtarët politikë.Në vënd që të përpiqej për programe ambicioze zhvillimi, zbatoi dogmën komuniste se pushteti merret vetëm me dhunë.Me tanket e Gardës së Republikës dëboi Nanon dhe pushtoi RTSH-në. Organizoi mitingje me shashka , djegie makinash dhe dëmtim të fasadës së Kryeministrisë. Injektoi idhtarët e partisë që të ulurinin me sa fuqi që kishin thirrjen e çmëndur: ”RAMA IK!” Si për të mos mjaftuar të gjitha këto, dha urdhër që në 21 janar të qëllohej në mish?! I pa ngopur në makutërinë e vet, për t’u pasuruar si familje, ai ishte protagonisti kryesor i fatkeqësisë së Gërdecit ku humbën jetën 26 shqiptarë, viktima të familjes së tij. Në kohën e tij korrupsioni arriti maja kulmore dhe asnjëri prej stafit të tij nuk u dënua. Ishte komunisti Berisha që Lazaratin e ktheu në kështjellë të kultivimit dhe shitjes së drogës. Ishte ai që u tha kosovarëve të mos e firmosnin Rambujenë…
        Këto ishin vetëm disa nga arësyet pse shqiptarët nuk e votuan më. I zënë ngushtë, doktor mavria u detyrua të jepte dorëheqjen fallco. Them fallco,sepse për kryetar vuri një kukull të tij. Doktori drejtonte pas kuintave. Veprimet e tij antidemokratike  nuk mund të kalonin pa u vënë re nga SHBA dhe Perëndimi. Kur e panë të arsyeshme, ata e shpallën NON GRATA për korrupsion madhor dhe për zënien për gryke të drejtësisë. Nuk është gjë e vogël që si Washingtoni dhe Mbretëria e Bashkuar e Anglisë si atij dhe familjes së tij të korruptuar ia kanë ndaluar hyrjen në vëndet e tyre! Jo vetëm kaq. Amerikanët qenë gadi të shpallnin NON GRATA edhe PD-në, në qoftë se ata nuk do ta largonin doktorin nga grupi parlamentar! Ngjarjet pastaj rodhën me foltoren dhe sulmin atavist të Berishës kundër ambasadorëve të SHBA-së dhe Sekretarit të Shtetit, zotit Anthoni Blinken. Me kritikat dhe fyerjet kundër ambasadores Juri Kim ai kaloi çdo masë njerëzore. Ndërkohë, krejt natyrshëm ndodhi ndarja e PD-së në dy pjesë ose më mirë të themi: shkatërrimi i kësaj partie. Midis dy grupimeve nisi një urrejtje e shëmtuar e iniciuar nga Berisha. Ende populli i ka të fiksuara pamjet e turpshme kur Berisha me të vetët sulmoi ndërtesën e PD-së… Ka edhe shumë gjëra të tjera që duhen thënë për këtë njeri… po, edhe këto, mjaftuan që populli në 14 maj ( ku përfshihet kryesisht elektorati gri), të mos kishte më besim te PD-ja e sëmurë rëndë. Aq më shumë që Berisha doli haptas kundër SHBA-së dhe vajti  u bashkua me Partinë e Lirisë të Ilir Metës , të cilin populli dhe shtypi e ka përfolur për vjedhjen e floririt dhe korrupsion.Edhe Meta një politikan që e ka syrin jo aq nga Washingtoni dhe Europa, po nga Lindja komuniste. Në këto kushte shumë demokratë të ndershëm me të drejtë nuk kanë votuar. Disa, një pakicë, kanë votuar për PD-në zyrtare të Alibeajt. Vota e tyre nuk ngriti peshë. Dihet se si e djathta dhe e majta ka një elektorat stabël. Peshë ka ngritur vota e njerëzve pa parti, vota e elektoratit gri, që në këto zgjedhje kaloi tërësisht nga ana e Partisë Socialiste. Përpara një partije të përçarë: pjesa zyrtare me një drejtues jo karizmatik dhe pjesa tjetër me Berishën  e korruptuar dhe anti SHBA, elektorati gri 100 përqind votoi për Partinë Socialiste. Rama ka treguar se ka vizion, se punon me ngulm, se përpiqet për zhvillimin e vendit, se është me SHBA-në dhe Evropën e jo me Putinin e Kinën. A ka të meta? Doemos po. A ka bërë gabime? Patjetër. A e ka fituar luftën kundër korrupsionit të njerëzve të tij? Faktet tregojnë se jo. Megjithatë, duke mos patur alternativë tjetër, populli ka votuar për të dhe jo për dyshen e korruptuar demoniane Berisha-Meta që është anti SHBA dhe, përflitet, për lidhje të dyshimta pro Moskës.
              Kjo gjendje aspak normale bëri që sidomos këta dy vitet e fundit të dëgjohet këmbora vetëm e një partije. Jo pse ajo ka të gjitha pushtetet veç drejtësisë, po sepse vetëm atë parti po beson populli. I ka dhënë votën në dy zgjedhje Parlamentare si dhe e votoi unanimisht në 14 maj, që për socialistët mbetet historik. Kur një parti në pushtet, e mbështetur kaq fuqimisht nga populli, nuk ka konkurrentë ose i ka anemikë, sa për emër të rregjistruar në gjykatë, ajo sikur i mpak përpjekjet për zhvillim dhe për demokraci. Një opozitë e gatëshme dhe e përgatitur për të ardhur në pushtet, do ta detyronte të punonte edhe më shumë, edhe më mirë. Do të bënte që vetë socialistët të mos mbanin për 18-19 vjet një njeri në drejtim, por të nxirrnin drejtues të tjerë të cilët të keni si moto statutore drejtimin vetëm dy herë nga 4 ose pesë vjet.Në këtë mënyrë dukuria Berisha, Meta, Rama, etj. që janë aq të dashuruar pas pushtetit in extremis, të mos përsëritet më.
          Në këtë gjendje krejt të çakorduar  që është sot opozita te ne, edhe pas dy vjetësh ka rrezik që socialistët të votohen nga populli për të qeverisur për të katërtën herë rradhazi?! Pse? Sepse deri tani ajo është një parti e mirëorganizuar, ndërsa kundërshtarët janë bërë kashtë e koqe, siç shprehet populli.Ka pak shpresa që ata të shikojnë shpejt dritë në fund të tunelit. Këto parashikime jo të këndshme bëhen se uzurpuesi Berisha nuk po do ta lëshojë PD-në që e ka kapur për gryke. Anëtarësia e PD-së nuk po gjen vetveten  të ngrihet masivisht dhe vrullshëm në protesta në mbarë vendin për ta detyruar misionarin e Ramiz Alisë ta lërë të lirë më në fund Partinë Demokratike, shpresën adhuruese të popullit shqiptar. Ai ka pas vetes njerëz të korruptuar, njerëz interesaxhinj për poste, po edhe pak idhtarë që ende besojnë në karizmën e tij. Megjithatë këta nuk janë shumica e anëtarëve të PD-së. Shumica janë për një lidër të ri, për një PD pro amerikane dhe Europiane, për një PD me programe që qarta dhe të zbatueshme, për një PD që jo për hir të rrotacionit duhet të vijë në pushtet, por për programin dhe meritat e saja më të spikatura se ato të socialistëve.
       Le të shpresojmë se, për të mirën e Shqipërisë, kështu ka për të ndodhur!

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button