Ekonomia

Tabaku: E indeksuar me inflacionin, rritja e pagës reale rreth 25% në 9 vjet

Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku gjatë fjalës së saj në seancën e sotme plenare u ndal te zgjedhjet vendore të 14 majit duke theksuar se Shqipëria dhe shqiptarët humbën shansin për një rotacion lokal, ku harta kishte pak a shumë të njëjtën pamje që kishte katër vjet më parë.

Tabaku tha se se “pas zgjedhjeve të 2021 largimi i shqiptarëve nga këto troje është rritur e përshpejtuar sa jo pak herë vrikemi të justifikojmë dhe me pak siklet se çfarë ndodh; kush janë arsyet; se pse sot ka më pak shpresë dhe pse shqiptarët largohen”

“Kur pashë shifrat që thuajse 300 mijë shqiptarë kishin vendosur të qëndrojnë në shtëpi atë të dielë, atëherë e kupton që kjo pafuqi është shprehur dhe me refuzimin për të votuar. Ndërkohë, një pjesë e jona akoma pretendon supremaci. Ku është supremacia? Ku është fitorja? Ku është krenaria? Në humbje, pa nder”, u shpreh ajo.

Sipas saj, ka një ndjenjë të thellë frustacioni që rinia e tyre është marrë peng nga një elitë politike që i bën të ndjehen të pafuqishëm për të ndryshuar për mirë vendin.

“Rritja ekonomike e parashikuar nga qeveria shqiptare vitin e shkuar prej 4.84% nuk do të jetë më e tillë; pritshmëria tejet optimiste e qeverisë shqiptare në fakt do të përfundojë në 2.2%.  Mbi 70% e shqiptarëve vuajnë një krizë ekonomike, krizë pagash të ulëta dhe krizën e inflacionit socialist si pasojë e politikave të skaduara që kanë ndërtuar një sistem të skaduar dhe një kënetë të madhe ekonomike që qytetarët dhe të rinjtë e kuptojnë. Xhepat e qytetarëve, sidomos ato që kanë marrë kredi në banka, do të paguajnë gjithnjë e më shumë para në këstet e tyre. Sot, një shqiptari do t’i duhet të punojnë mbi 14 vite për të paguar një kredi hipotekore për një shtëpi. Çmimet e konsumit për shportën e ushqimeve janë rritur me mbi 20% ndërkohë që inflacioni bazë i përllogaritur nga Banka e Shqipërisë është duke shkuar në 9% ndërsa në vendet e BE inflacioni bazë (core inflation rate) është tek 6.3% në Janar ndërsa në Shqipëri ka qenë 8.4%”, tha Tabaku.

Duke u ndalur te projektligji për rritjen e pagave, deputetja e PD-së, tha se “nga viti 2019 deri më 2022, paga minimale në vend është rritur me ritme dy herë më të larta se paga mesatare. Gjatë këtij harku kohor, paga minimale u rrit me 30% dhe paga mesatare, me vetëm 15%.

“Vetë paga mesatare nga 45.5 mijë lekë bruto në 2014, arriti në 66 mijë lekë pas 9 vitesh në 2022-n, me një rritje të pa indeksuar me inflacionin prej 45%. E indeksuar me inflacionin, rritja pagës reale është vetëm rreth 25% në 9 vjet!  Për dhjetë vjet me radhë janë marrë mbi 4 Eurobonde, kontratat e PPP-ve kanë shkuar sa 50% e PBB-së ndërkohë që konkurueshmëria e pagave me rajonin e ka çuar Shqipërinë të fundit. Fuqia blerëse e një familje shqiptare që merr pagë minimale sipas EUROSTAT është më e ulëta në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Një ekonomi e tillë, nuk prodhon dot një rritje pagash pasi ekonomia e tregut i rrit pagat jo me urdhër partie, as me dëshirë kryeministrie por me kërkesë-ofertë tregu”, u shpreh ajo.

Sipas saj, të punësuarit në administratën publike e meritojnë rritjen e vonuar të pagave.

“E bashkë me këtë administrata publike sot ka nevojë të jetë e pakapur, ka nevojë të jetë jo-politike; ka nevojë të vazhdojë atë që nisi në 2013 po u shkel me këmbë një sistem ku promovohesh pa lidhje partiake.  Kur dëgjoj prezantimet e këshilltareve bashkiakë nëpër rrethe, janë të gjithë të punësuar në OSHEE, administratë, drejtori rajonale. I gjithë shteti është i lidhur politikisht! Prandaj largohen sot dhe të rinjtë, sepse duhet patjetër të jesh dikushi, ose familjar i dikushit, ose i lidhur me dikë që punësohet në shtet, që të kesh mundësi të arrish diçka”, tha Tabaku.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button