Ekonomia

Ibrahimaj: Reforma e pagave krijon kushtet për një administratë kompetitive, ja si e garanton rritja ekonomike

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj prezantoi sot në Kuvend projektligjin që i hap rrugën rritje së pagave për administratën.

Ibrahimaj bëri të ditur se, reforma e pagave në administratë krijon kushtet e duhura për ta bërë administratën kompetitive.

“Synojmë të përmirësojmë hierarkinë, për të tërhequr e mbajtur në administratë punonjësit e kualifikuar. Realizojmë një lidhje të drejtpërdrejtë midis pozicionit të punës dhe përgjegjësisë përkatëse me pagën. Po japim një pagë më të mirë për pozicionet e punës dhe do të presim një punë më të mirë për çdo pagë”, tha ajo.

Ministrja bëri të ditur se, kjo reformë mundëson që për çdo dy lekë që mblidhen në buxhet, nga tatimet dhe taksat, një lek shkon për transferta direkte te qytetarët.

“Ky në fakt është ndryshimi më i madh i politikës buxhetore dhe fiskale. Është ndryshim historik, i cili e sjell politikën buxhetore më shumë në shërbim të qytetarëve. Për çdo dy lekë të ardhura nga taksat dhe tatimet, një lek shkon për transferta direkte, paga, pensione ndihmë, ekonomike. Gjysma e parave të buxhetit të shtetit shkon drejtpërdrejtë të qytetarët, gjysma tjetër për përmirësimin e shërbimeve, investime dhe të tjera aktivitete buxhetore”, shtoi ajo.

Sipas saj, në 10 vitet e fundit paga mesatare është rritur me 140 %, ndërsa e zhveshur nga inflacioni paga reale ka shënuar rritje me 115 %.

“Ne kemi vite që duam të realizojmë këtë reformë, por për të implementuar të tilla reforma duhet të përmbushen kushtet ekonomike. Sot ekonomia na e jep këtë mundësi. Na jep mundësinë, pasi ne ndër vite kemi implementuar reforma strukturore që po japin rezultate. E nisëm reformën e pagave me ato sektorë që kishin më tepër nevojë. Ndër vite kemi ndërhyrë në pagat e sistemit shëndetësor. 26 % janë rritur pagat e infermierëve, 22 % të mjekëve dhe 7% të mësuesve”, u shpreh ministrja.

Sipas ministres, reforma që prezantohet sot i vë kapakun diskutimit të rritjes së pagave, pasi ndër të tjera ligjëron edhe indeksimin e pagave me normën e inflacionit në administratën publike.

“Sot paga minimale ka shkuar në 40 mijë lekë, kur në vitin 2013 ishte 22 mijë lekë. Rritja ekonomike në vitin 2013 ishte 1 %, në vitin 2022 ishte 4.8 %. Gjetëm një normë papunësie 16.4 %. Në vitin 2022 ajo ra në 10.8 %. Gjetëm nivelin e borxhit publik 70.4 %, ndërsa sot është në nivelin 63.27 %. Gjetëm PBB për frymë në nivelin 3325 dollarë, sot ka shkuar në 6418 dollarë“, deklaroi ministrja.

Ibrahimaj theksoi se, përmes reformës synohet të krijohet një piramidë e nivelit të pagave për disa institucione të pavarura kushtetuese, e cila do të jetë në përputhje me rëndësinë dhe përgjegjësinë e tyre.

“Paga bruto e Presidentit nga 257 mijë lekë aktualisht, shkon në 425 mijë lekë ose 65.3 % më shumë. Paga e Presdentit nga viti 2013 nuk kishte ndryshuar. Mjekut specialist i shkon paga bruto 174 mijë lekë ose 115 mijë lekë në muaj më shumë se në 2013-ën, mjekut të përgjithshëm i shkon paga 137 mijë lekë, ose 77 mijë lekë më shumë se në 2013-ën, infermierit i shkon paga në 87 mijë lekë, ose 25 mijë lekë më shumë se në 2013-ën, mësuesit në arsim parauniversitar i shkon paga 99 mijë lekë, ose 40 mijë lekë më shumë se në 2013-ën”, u shpreh Ibrahimaj.

Ministrja tha se, paga në arsim u rrit me 72.4 %, në shëndetësi 99.2 %, në Policinë e Shtetit, paga e një komisari shkon 105 mijë lekë, ose 36 mijë lekë më shumë se në 2013-ën. Ndërsa inspektori i parë i Policisë së Shtetit do të përfitojë një pagë prej 90 mijë leksëh në muaj, ose 37 mijë lekë më shumë se në 2013-ën.

Ministrja u dal dhe në debatin e fundit për rritjen e pagës së Presidentit, deputetëve dhe ministrave.

“Niveli i rritjes së tyre është më i ulët se pjesa më e madhe e rritjes së pagave të funksionarëve publike të domosdoshëm”, u shpreh Ibrahimaj.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button