A do të nxisë dobësimin e dollarit lufta tregtare e Trumpit?
Të hënën, presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan mori pjesë në samitin e gjashtë të Këshillit Turkik në Kirgistan dhe propozoi “tregti me monedhat tona në vend të dollarit amerikan”, duke aluduar në varësinë e tregtisë ndërkombëtare ndaj dollarit.
Pavarësisht asaj që ndodh në vendet e largëta si Turqia, duket se kjo nuk pati efekt në Amerikën Latine, e vërteta është se ekonomitë në zhvillim në mbarë botën po përballen me sfida të veçanta. Normat e interesit në SHBA janë rritur dhe përballen me një perceptim më të madh të rrezikut, ndërsa investitorët po zgjedhin të tërheqin kapitalin e tyre nga tregjet në zhvillim.
Javën e kaluar, efekti flutur pati ndikim në monedhën e Argjentinës, e cila shkaktoi uljen e saj më të madhe që nga viti 2002, nga 32 në 40 pesos për dollar. Rritja e normave të interesit për shkak të inflacionit, deficiti i ngurtë fiskal dhe borxhi i jashtëm i lartë janë gjithashtu disa nga arsyet për rënien e vlerës së pesos.
– Valuta e re botërore
Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që ekonomitë ndodhen në një udhëkryq. Kina ka kërkuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar për më shumë se dhjetë vjet të reformojë sistemin ndërkombëtar të rezervave për të krijuar një valutë e cila do të ishte më e qëndrueshme me kalimin e kohës dhe që nuk varet nga një vend i vetëm, por kjo nuk është detyrë e lehtë.
Dollari amerikan u bë valuta rezervë “par excellence” në vitin 1944 në sajë të Marrëveshjes Bretton Woods, ku u vendosën rregullat e tregut transnacional dhe u themelua Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Sot, asnjë valutë nuk ka të njëjtin nivel të likuiditetit si dollari ose ndonjë treg i bonove të përmasave të tij. Madje edhe për arsye politike, shumë vende duan të vazhdojnë me dollarin amerikan si valutën e tyre referuese.
“Nga valutat e botës, dollari është i përfshirë në 86 për qind të transaksioneve ditore. Dy të tretat e rezervave të bankave janë në dollarë”, tha Alex Sierra, studiues i shkencave politike dhe internacionalist, i cili gjithashtu është edhe president ekzekutiv i Dhomës Kolumbiane për Azinë Juglindore dhe Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Biznesit Çeki-Kolumbi.
Megjithatë, duke kundërshtuar atë që gazetari i Hong Kongut, Henry C.K. Liu, në vitin 2002 e quajti “hegjemonia e dollarit amerikan”, sot shumë vende kanë filluar të negociojnë transaksione me juanin kinez.
Në mes të gushtit, Bangladeshi miratoi juanin si valutën referuese për aktivitetet tregtare me Kinën. Pakistani, nga ana e tij, ka lejuar përdorimin e valutës për importet, eksportet dhe kryerjen e transaksioneve financiare që nga janari, ndërkohë që India, ekonomia e tretë më e madhe e Azisë, ka lehtësuar rregullat e borxheve duke u lejuar kompanive të rrisin borxhet e tyre në juanë.
“Me sanksionet që ka imponuar Donald Trump, po krijohet një atmosferë e mosbesimit që shihet nga vendet që renditen si lojtarë të klasës botërore siç është Kina. Dhjetë vjet më parë, ky vend ishte në një situatë që pak kush mund ta imagjinojë, kurse sot ajo mban pothuajse gjysmën e rezervave të dollarit në botë (me rreth 3,16 trilion dollarë)”, tha Giovanni Reyes, profesor dhe hulumtues në Universitetin Rosario në Bogota.
Megjithatë, Nelson Vera, kreu i hulumtimeve makrofinanciare në Shoqatën Kombëtare të Institucioneve Financiare të Kolumbisë (ANIF), tha se për të folur për një shtrirje të juanit, së pari duhet të bëhet liberalizimi i llogarisë së kapitalit të Kinës dhe duhet të kufizohet mbivlerësimi ekzistues mbi normat e interesit.
“Kjo nuk është diçka që ju mund të shihni gjatë pesë viteve të ardhshme. Është normale që përderisa PBB-ja e Kinës arrin lartësi të konsiderueshme me një kontribut të lartë të importeve, ajo mund të lejojë përshpejtimin e marrëdhënieve tregtare, por nuk duhet harruar se llogaria e kapitalit është ende e mbyllur dhe konvertibiliteti i juanit nuk do të lejohet të jetë një valutë rezervë ashtu siç është edhe dollari amerikan. Kjo mund të shihet lehtë në zotërimet e valutave në rezervat e bankave qendrore kryesore, ku rreth 80 ose 90 për qind përbëhen nga dollari, euro dhe asetet e kursimit ‘par excellence’ në Azi, që është jeni japonez”, vlerëson Vera.
Duke pasur parasysh faktin se janë duke u krijuar blloqe të reja ekonomike që përdorin valuta të ndryshme kombëtare, Sierra arriti në një përfundim të ngjashëm me atë të Vera-s.
“Valuta në një integrim të mundshëm rajonal ose bllok nuk mund të ndahet nga modeli aktual funksional i sistemit kapitalist, meqenëse shumica dërrmuese e operacioneve dhe rezervave të saj janë në dollarë, prandaj India, Rusia dhe Kina do të kishin një tranzicion të madh, por kjo do të ndikonte në tregjet dhe do t’i bënte ato të paqëndrueshme. Përveç kësaj, vendet në zhvillim dhe fuqitë e zhvilluara ekonomike gjenerojnë më shumë se 75 për qind të PBB-së botërore në dollarë, ndërsa pjesa tjetër e përqindjes është në valuta të tjera”, thotë Sierra.
Mbetet për t’u parë nëse juani ose valutat e tjera lokale mund të largojnë dollarin nga froni i saj, ndërkohë që ekonomitë në zhvillim vazhdojnë të përballen me vendimet e furishme të Trumpit në një luftë të paparë valutore.