A duhet ta ndërrojnë femrat mbiemrin kur martohen?
Nëse një grua merr mbiemrin e bashkëshortit të saj në martesë, është kjo një shenjë e zotimit apo e pabarazisë? Sophie Coulombeau analizon praktikën historike të fenomenit dhe ato që i kanë bërë rezistencë
“Martesa e la mbiemrin tënd të vajzërisë të papërdorur”, shkroi Philip Larkin në një poezi në vitin 1955. Ai e përshkruan humbjen e mbiemrit të mikeshës së tij Winifred Arnott si një simbol të fshirjes së rinisë dhe iluzioneve seksuale, duke u kthyer kështu në një shtëpiake me detyrimin e mëmësisë.
Ndërrimi i mbiemrit, megjithatë, mund të jetë ose një transformim natyral i statusit të ri dhe shenjë mikpritje në krahët e bashkëshortit, ose një akumulim tragjik i identitetit personal.
Pavarësisht të gjithave, rëndësi ka që ndryshimi i mbiemrit nuk duhet të shpërfillet dhe të mos i jepet rëndësi.
Dilema e mbiemrit të ri dhe atij të vajzërisë, mundon çdo vajzë në prag martese. Avokatja Amal Alamuddin vendosi ta ndryshojë mbiemrin e saj kur u martua me George Clooney, gjë që u kritikua dhe po ashtu, u mbrojt me zjarr.
Ky paraqitet të jetë një problem edhe për këngëtaret apo femrat në karrierë që krijojnë njohje me mbiemrin e vajzërisë dhe pastaj u duhet të prezantohen te publiku me mbiemrat e bashkëshortëve, që i ndryshojnë jo pak herë.
Disa feministe kanë trumbetuar faktin se kur një grua në karrierë martohet dhe vendos në atë çast të përshtasë edhe mbiemrin sipas bashkëshortit, ajo dorëzon armët e saj dhe përqafon inferioritetin ndaj meshkujve.
Në kuadër të kësaj, a nuk është ‘ulje’ për një mashkull kur merr mbiemrin e gruas? Atëherë përse të mos jetë e njëjta gjë edhe nga ana tjetër?
Të tjerë e mbrojnë Amal Clooney dhe shoqet e saj kudo nëpër botë, duke pretenduar se mbiemri te femrat ka pak rëndësi, sepse ai është i huazuar nga babai gjithsesi, dhe se ndërrimi i tij përbën zotim për bashkëshortin e ri.
A nuk mund të hamendësohet në këtë pikë se kur burrat mbajnë mbiemrat e tyre, ata nuk qenkan zotuar ndaj martesës? Tradita e femrave që ndryshojnë mbiemrat, është tepër e lashtë dhe ndoshta ka ardhur koha të bëhet diçka për ta ndryshuar këtë.
Ideja e ndryshimit të mbiemrit nga ana e grave është e lidhur ngushtësisht me perceptimin e tyre si pronë e bashkëshortit të tyre. Dhe përpara martesës, si pronë e babait. Në shekullin e 13 mendohej se kur një grua martohet, ajo humbet çdo lloj citimi dhe i vetmi që mbetet është ‘gruaja e’.
Francezët i dhanë këtij fenomeni një tjetër koperturë bashkëshortore. Sipas doktrinës së shekullit të 15-të të francezëve, ndërrimi i mbiemrit nga gratë ishte i nevojshëm për arsye uniteti të martesës. Sipas juristit anglez, Henry de Bracton, ‘bashkëshortët bëheshin një person i vetëm, një mish dhe një gjak’.
Në shekullin e 17-të, një grua që dëshironte të identifikohej me mbiemrin e saj, konsiderohej ambicioze dhe e paturp. Për më tepër që mbiemrat në atë kohë ishin të lidhur ngushtësisht me historinë e meshkujve dhe nderin e tyre.
Gjërat ndryshuan me kulturën e shtypit të shkruar në shekullin e 18. Disa gra të pasura, me pushtet dhe të njohura, vendosën që të tregoheshin të forta dhe të mbanin mbiemrat e tyre derisa të vdisnin.
Një tjetër problem ishte edhe mbajtja e mbiemrit të ish-bashkëshortit. Për shkak të mllefit të eksperiencës jo të mirë të një martese të dështuar, disa gra vendosën të braktisnin “titujt” bashkëshortja e… dhe të ecnin përpara vetë.
Në fund të shekullit të 18-të, rreth 700 persona kërkuan të ndryshojnë mbiemrin në Britani, ku një e gjashta e tyre ishin femra.
Për fat të keq, siç vazhdon edhe sot, në shekullin e 19-të, gratë që merrnin mbiemrat e burrave të tyre ishin në numra të mëdha dhe vetëm disa vendosnin të mbanin identitetin e tyre. Megjithatë në Amerikë disa grupe të aktivisteve femra filluan një betejë të ashpër për të mbrojtur feminizmin dhe mbiemrat e tyre.
Lucy Stone është një prej aktivisteve më të njohura të kësaj kohe. Ajo u përball me shumë vështirësi për faktin që mbajti mbiemrin e saj. Zyrtarët ligjorë nuk e lejonin të blinte një tokë në emër të saj për shkak se duhej edhe mbiemri i bashkëshortit. Ajo bëri një deklaratë publike se nuk do ta ndryshonte kurrë emrin e saj dhe zjarri u bë më i madh në aspektin e feminizmit me shumë femra të tjera që vendosën t’i dilnin krah.
Në shekullin e 20-të filloi fuqishëm beteja ligjore në SHBA dhe Britani për t’u lejuar grave atë që sot e zotërojnë: të drejtën për të zgjedhur të mbajnë mbiemrin e tyre.
Pavarësisht se kjo e drejtë ekziston në shumë vende të botës tashmë, pak femra vendosin ta ushtrojnë. Shumica e tyre parapëlqejnë të mbajnë mbiemrin e bashkëshortëve, megjithatë numri i tyre po bie.
Debati rreth mbiemrit në martesë, vazhdon dhe duket se ka shumë punë për të bërë derisa shoqëria bashkëkohore të bindet për të ndërmarrë një veprim kaq të rëndësishëm nga njëra anë për individin, e nga ana tjetër për familjen.
*Burimi: Sophie Coulombeau/Guardian.