A e di Vjosa se cila është vlera e saj momentale në tregun politik?
Berat Buzhala
Ditën kur Presidentit Hashim Thaçi iu vunë prangat nga Tribunali Special, bashkë me të në paraburgim përfundoi edhe një pjesë e Vjosa Osmanit.
Zonja Osmani ka investuar shumë në z.Thaçin, saqë tash assesi nuk dëshiron të pajtohet me faktin që në momentin kur ajo u vesh me pushtet maksimal, duke i pasur të sajat dy prej tri pozitave kryesore në vend, obsesioni i saj politik u zhduk nga skena politike. Është pak a shumë sikur kur bëhesh gati të bësh një pyetje, por të njëjtën e bën dikush pak përpara teje. I ka mbetur vetëm Isa Mustafa, me të cilin, në një trajektore prej 10 vjetësh, herë është përqafuar, herë është sharë. Më shumë duket si një “love and hate relation” sesa një armiqësi. Nëse rastësisht edhe ky largohet, atëherë Vjosës i duhet ta rizbulojë veten nga e para. Duhet të ulet dhe ta pyes veten: Për çka qëndroj unë?
Duket një pyetje shumë e thjeshtë, që të mos themi banale, por nuk është e tillë.
Shpjegimi i vetëm logjik i saj do të ishte: “Unë qëndroj politikisht aty ku qëndron Albini, për momentin i kam adoptuar të gjitha qëndrimet e tij, madje unë edhe intervistat televizive i jap vetëm në ato studio ku i jep Albini. Ndihem më e sigurt. Opinionin do ta njoftoj me kohë, në momentin që do t’i gjëj disa qëndrime të reja”.
Vjosa, duke u marrë me Thaçin 24/7, madje edhe tash kur ai është në burg, praktikisht dhe teorikisht i parrezikshëm, i vendosur në një qeli, pa mjete të komunikimit me botën, ajo po e vazhdon luftën me të, jo pse ndoshta këtë po e bën më dëshirë, por sepse ndoshta vetëm këtë gjë di ta bëjë. Ne nuk e kemi parë atë në tjera kapacitete. Sigurisht që, para disa kohësh, kjo ka qenë një kauzë e mirë, ka qenë edhe një gjë e mirë, por tash kjo i takon të kaluarës. Paramendojeni atë gjatë fushatës së ardhshme zgjedhore: Do ta luftojmë Klanin Pronto. Ai tash nuk është më as klan e as pronto.
Janë disa politikanë, disa gazetarë, disa figura publike, që e identifikojnë veten vetëm me një temë. Jashtë saj, ata janë të humbur. Një gjë e tillë është shumë e mirë sikur të ishte, bie fjala, për njerëzit e shkencës, për mjekët, arkitektët etj., sepse do të bëheshin profesionistë të zotë, mirëpo, për një politikan, kjo është një vetëburgosje.
Pastaj, është mjaft ironike kjo, por Vjosa, duke u marrë vetëm me Thaçin, ka filluar edhe t’i përngjajë dhe ta imitojë atë. Impulsi i saj i parë është hakmarrja, kurse vesi më i madh është egoizmi. Nuk i zë besë askujt, kurse ajo është qendra e universit. Charles Darwin, në Teorinë e tij të Evolucionit thotë se nuk janë speciet më të forta ato që mbijetojnë, e as ato më inteligjentet, por janë ato që u përshtaten më së shumti ndryshimeve. Adaptohu ose vdis. Megjithatë, largimi nga skena i z.Thaçi duket të jetë adaptim i vështirë për Vjosën. Ajo e dëshiron atë gjithqysh në skenë, sepse ai ishte frymëzimi i vetëm i saj.
Saktësisht për shkak të këtyre veseve, ndonëse shumë e votuar dhe shumë popullore ose shumë populiste, ajo mbetet e vetmuar. I kishte 200 mijë vota në zgjedhje, por nuk i kishte as dy deputetë prapa vetes në partinë e saj. Një personazh i tillë, në momentin që bëhet kryetar i partisë dhe kryeministër, quhet “Hashimthaç”. Këtij të fundit kurrë nuk i janë dashur miqtë dhe bashkëpunëtorët, sepse nuk kishte të tillë, por i janë dashur vasalët dhe të nënshtruarit. Vjosa mbeti në tentativë, kurse Thaçi kishte arritur që t’i zbatonte në praktikë ambiciet e tij, meqë ishte edhe kryetar i partisë, edhe kryeministër. Të dytë janë vetjakë dhe rreth vetes shohin vegla dhe jo partnerë. Hulumtuesit ende nuk kanë arritur ta zbulojnë kohën kur këta të dy kanë falënderuar dikë për diçka. Për arsye populiste, e falënderojnë vetëm votuesin.
Pozitat që Vjosa momentalisht i mban më shumë e frustrojnë sesa e përmbushin. Ajo e di, thellë në vete, se, ndonëse është personi më i fuqishëm në vend, të dy pozitat i ka të falura. Atë organikën, kryetaren e parlamentit, e ka dhuratë nga LV’ja, shprehi e rrallë kjo e Vetëvendosjes, një dhuratë greke, le të themi, kurse të dytën – ah, kjo dhemb – e ka amanet nga Hashim Thaçi. Ndryshe, në krye të herës, Vjosa kishte aplikuar për një pozitë tjetër, atë të kryeministres, kishte investuar për këtë pozitë për një dekadë, por që – çfarë befasie kjo – ëndrra e saj u shkatërrua bash atëherë kur reputacioni i saj e kishte arritur pikën me të lartë. Këtë nuk do ta kishte besuar askush.
Pozicionimi i aktorëve politikë pas zgjedhjeve të 6 tetorit ishte i tillë. Për shkak të rezultatit të atyre zgjedhjeve, Vjosa, pasi i fshiu lotët, meritoi vetëm një mirënjohje për pjesëmarrje dinjitoze në zgjedhje. Ngushëllimi i vetëm i saj përpara partisë ishte se “unë humba më mirë sesa Avdullah Hoti”. Pra, nuk humbi me rezultat 3-0, por me rezultat 1-0. Sido që të jetë, humbjet e ngushta dhembin më shumë. Janë më të hidhura. Humbësi ka shumë “por”-a dhe “nëse” në kokën e tij. Ato do t’i sillen nëpër kokë deri në fund të karrierës. Pra, summa summarum, 3 pikët ose medaljen e artë i fitoi dikush tjetër.
Për shkak të dëshpërimit dhe frustrimit, Vjosa u nxitua që të merrte vendime të shpejta. Nuk thuhet rastësisht që emocionet janë këshilltaret më të këqija për të investuar në ekonomi, e sigurisht edhe në politikë. Ajo e zgjodhi një lavdi momentale, që në të vërtetë edhe këtë e ka të falur, për t’iu hakmarrë partisë. Çfarë ajo nuk po sheh, ose çfarë nuk po dëshiron të shohë, është se për të po bëjnë tifo mbështetësit e ekipit kundërshtar, atij që e mundi në zgjedhjet e 6 tetorit. Ajo po i merr “llajkat” dhe duartrokitjet e Albinit ose të atyre që Albini po u bën shenjë, por ata “llajka” kurrë nuk do të përkthehen në votë për të, përveç nëse subordinohet në Lëvizje.
Për të kuptuar se sa është çmimi i tyre i vërtetë në treg, Vjosa le të bisedojë pak me Shpend Ahmetin. Edhe këtij të fundit, para disa viteve, ia patën ndërtuar një statujë, që rezultoi të kishte qenë prej letrës. Stuhia e parë e paloi për toke.
Nuk ka dyshim që Vjosa e di se cila është vlera e saj momentale në tregun politik. Fatkeqësisht, këtë e dinë edhe kundërshtarët e saj politikë. Nëse do të shërbehemi me gjuhën e shokut Mao, Vjosa është një tigër prej letre. Prandaj, siç ka thënë Ciceroi, oratorët janë më së shumti të ashpër atëherë kur kauzat i kanë të dobëta. Ai është momenti kur ata përdorin gjuhë brutale, kur kërcënojnë me padi ndaj të gjitha medieve, por që, sa më e ashpër të jetë gjuha e tyre, aq më pak njerëz frikësohen prej saj.
Sido që të jetë, ajo që ka kërkuar vazhdimisht të jetë në krye të listave, që të jetë e para, shumë shpejt do ta kuptojë peshën e saj të vërtetë. Përballja me të vërtetën do të jetë e hidhur. Kurdo që do të mbahen zgjedhjet, ajo do ta kuptojë të vërtetën e hidhur. Listat zgjedhore për të mbeten të hapura, ajo do të ketë mundësi që të bëhet pjesë e tyre, por vendet e para në lista janë të zëna. Ndërkohë një listë e përbërë nga njerëzit e saj është mision i pamundur. Vjosa do ta ketë të pamundur që t’i gjejë 120 njerëz për kandidatë për deputetë, ndonëse i kishte mbi 200 mijë vota. Krejt qarku i saj përbëhet prej dy vetave, dorën në zemër, të dytë doktorë – ajo vetë dhe Dr. Haxhi Avdyli. Mund të themi që janë të armatosur mjaft mirë me tituj shkencorë, por vetëm kaq.
Dr. Osmani dhe Dr. Avdyli e dinë që krijimi i një liste zgjedhore vetëm nga ata të dy do të ishte një ruletë ruse, por që brenda revoles nuk mungon asnjë fishek. Atëherë, ajo, në vend të ruletës ruse, quhet vetëvrasje.
Në postimin e saj të fundit në Twitter, Vjosa Osmani kishte prerë një pjesë të fjalimit të Margaret Thatcherit nga seriali “The Crown”. Në atë pjesë, zonja Thatcher, gjatë një audience teMbretëresha Elizabetë, është duke treguar për jetën e saj dhe numrin e armiqve që ka krijuar. “Nëse nuk ke asnjë armik, e vogël është puna që ti e ke bërë”. Është qesharake figura politike të cilën Vjosa e ka zgjedhur ta parafrazojë. Një grua krejtësisht pa ndjenja, që e urren dhe e përbuz gjininë e saj. Një grua që, për arsye të ndryshme, shkon aq larg, sa pa u menduar dy herë tregon se cilin fëmijë të saj e ka të preferuar. A ndoshta Vjosa nuk e ka shikuar filmin të plotë?
Sidoqoftë, ajo çfarë është e rëndësishme është që zonja Thatcher aty flet si kryeministre e jo si humbëse. Në një moment të caktuar, “Zonja e Hekurt” e detyron edhe vetë mbretëreshën që të tërhiqet nga lufta me të, dorën në zemër, për motive të palavdishme. Vjosa le ta dijë që mbreti i saj nuk është Isa, është Albini.
Aktualisht, Vjosa është duke notuar në ujëra krejt të cekëta dhe të parrezikshme. Qeveria që ajo e sulmon është jopopullore. Betejat që ajo i zgjedh për t’u përfshirë janë të lehta. Megjithatë, nuk është e largët dita kur asaj do t’i tregohen disa rregulla të reja të lojës. Ka mundësi që asaj do t’i bëhet me dije që citimi i zonjës Thatcher nuk është i mirëseardhur.
Politikisht, Vjosa Osmani në muajt e fundit ka ecur shumë përpara. Mori shumë vota dhe shumë pozita. Sidoqoftë, ajo tash ka përfunduar në majë të shkallëve të cilat përfundojnë aty. Nuk e ka as Thaçin afër që ta ndihmojë.