Kryeartikull

A është publikimi i dosjeve një “eksploziv social”?

Eksperienca gjermane në trajtimin e dosjeve të ish-policisë sekrete, STAS-i, mbetet tërheqëse për autoritetet dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile në Shqipëri.

Miratimi para pak kohe nga Kuvendi i Shqipërisë i një ligji për aksesin e publikut në dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit ka nxjerrë në pah sfidat e zbatimit të tij. Për ekspertët miratimi nga deputetët i ligjit është vetëm fillimi i një procesi shumë të rëndësishëm që lidhet me trajtimin e së shkuarës diktatoriale në rreth 4 dekada të sundimit komunist. Vazhdimisht në tryezat e diskutimit mes politikanëve ose përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe grupeve të interesit është përfolur eksperienca e zgjidhjes së këtij problemi nga Gjermania, mënyra institucionale se si u trajtuan dosjet e ish-STASI-t policisë sekrete në ish-Republikën Demokratike Gjermane. Për këtë qëllim së fundmi në Tiranë ishte dhe i ngarkuari Federal për dosjet e sigurimit të shtetit, Roland Jahn, i cili ka qenë mjaft aktiv në procesin e rrëzimit të diktaturës komuniste në ish-Gjermaninë Lindore dhe i angazhuar në mënyrë të vecantë me mbikqyrjen dhe trajtimin e inventarit të dokumentacionit sekret tëSTASI-t famëkeq.

Dosjet janë në interes të gjithë publikut

Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Hellmut Hoffmann, e shikon mjaft pozitivisht faktin e miratimit në Shqipëri gjatë muajit prill të ligjit për aksesin e publikut në dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit. Sipas tij, përvoja e Gjermanisë në këtë drejtim nuk do të thotë se po e njëjta gjë të aplikohet dhe në Shqipëri. “Shqiptarët duhet ta diskutojnë dhe ta vendosin vetë se si do të veprojnë me këtë çështje të rëndësishme”.

Zyra e Fondacionit Konrad Adenauer në Shqipëri prej kohësh është mjaft aktive në debatin për dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit. Drejtori i Zyrës, dr. Thomas Schrapel, shpjegon se fokusi kryesor në këtë angazhim ka qenë dhe vijon të jetë roli ndërmjetës mes kontributit të shoqërisë civile nga njera anë dhe politikës në anën tjetër. “Në trajtimin e së shkuarës diktatoriale nuk mund të themi që ka interesa të majta ose interesa të djathta, por interesi është i gjithë publikut”. Duke marrë si shembull mënyrën e zgjedhjes nga parlamenti gjerman të Roland Jahn me 93 përqind të votave të deputetëve, dr. Schrapel thekson rëndësinë që ka në këtë proces zgjedhja me konsensus e figurave që do të përfshihen, si garanci për besim dhe seriozitet në kryerjen e detyrave të ngarkuara.

Albanien Deutschland Geheimdienstakten Kommunismus
Podiumi diskutumi orgnizuar në Ambasadën e RFGJ në Tiranë, 02.06.215

A është publikimi i dosjeve një “eksploziv social”?

Roland Jahn, i ngarkuari Federal me Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, duke diskutuar me autoritetet dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile në Shqipëri mbi procesin e trajtimit të së shkuarës, thotë se ka kaluar shumë kohë ndaj nevojitet që të përshpejtohen rritmet. Sipas tij, ky është një proces që nuk duhet të ketë “kujdestar”, por secili të ndjehet dhe të ketë lirinë e vet. “Sipas eksperiencës në ish-Gjermaninë Lindore, me rënien e diktaturës, qytetarët ishin mjaft aktivë në mbrojtjen e inventarit të dokumenteve të policisë sekrete Stas-it, për të mos lejuar shfarrosjen nga njerëzit e regjimit. Ne ishim të bindur që atëherë se bërja publike e dosjeve do të frenonte procesin e helmimit të shoqërisë edhe pas rënies së diktaturës. Ka pasur shumë debate për hapjen e dosjeve, kishte fluks mendimesh që shpesh ishin dhe të kundërta mbi përzgjedhjen e mënyrës se si do të veprohej me to. Atëherë pyetej, se a do të ishte publikimi i dosjeve një ‘eksploziv social’, pasi njerëzit do të mësonin të vërteta të hidhura për jetët e tyre perosnale dhe të familjeve në kohën e diktaturës? Kishte që ngurronin, kishte që ishin të qartë se një gjë e tillë duhej bërë. Ishte një debat i gjatë qytetar për dilemën nëse ishte mirë a po bëhej dëm”.

Ish-gazetari Jahn nënvizon faktin se nga reagimi dhe presioni qytetar u bë i mundur që në akordin për bashkimin e dy Gjermanive të përfshihej edhe hartimi i një ligji për dosjet e STASI-t, që do të sanksiononte rrugën që duhej ndjekur. “Prej rreth 23 viteve ligji po zbatohet me sukses, duke siguruar transparencë për procesin, për veprimtarinë e shtetit, të policisë, për mbrojtjen e të dhënave personale për ata që prekeshin. Bëhet fjalë për një punë kolosale. Mjafton të përmendim se STASI ka lënë një dokumentacion që po të mendohej në gjatësi do të ishte 111 kilometra, me rreth 40 milion dokumentave në formën e letrave, fotove, filmave etj. Ky ishte arkivi i STASI-t përmes të cilave organizohej represioni në popullatë. Për një pjesë të mirë të arkivit u bë sistemi dhe skedimi për ta bërë sa më të dobishëm në shfrytëzim, por dhe të organizuar, që ato të mos ‘plagosnin’ askënd”.

Trajtim multidimensional në bërjen e transparencës

Sipas Roland Jahn trajtimi i së shkuarës nuk është thjesht punë shqyrtimi dosjesh, pasi në qendër janë njerëzit, janë viktimat e prekura, që atyre t’u garantohet një impakt pozitiv nga procesi. Nëse nuk bëhet kjo atëherë lind natyrshëm pyetja: përsa na vlen hapja e këtij dokuemtacioni:

“Bëhet fjalë për rreth 2 milion njerëz të prekur nga sjellja dhe qëndrimet e STASI-t. Ne duhet t’i jepnim akses këtyre njerëzve për të njohur më mirë të shkuarën e tyre, në shumë raste edhe të tmerrshme e të paimagjinueshme. Kjo ishte një sfidë shumë e madhe për zbatimin e ligjit të dosjeve. Në hedhjen dritë mbi dosjet është dhe qasja shkencore, vënia në dispozicion për hulumtuesit, por dhe për mediat e prodhuesit kinematografikë. Pra, ka një trajtim multidimensional në bërjen e transparencës, që njerëzit të mësonin sa më shumë nga padrejtësitë e bëra nën diktaturë”.

Për të ngarkuarin Federal me Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, trajtimi i së shkuarës vlen dhe për pastrimin e administratës dhe shërbimit publik nga njerëzit me të kaluar kriminale. Kjo krijon besim te qytetarët për institucionet dhe rendin demokratik, që të mos depërtojnë në shërbimin publik ish-anëtarë të policisë sekrete. “Kjo përbën ende një objektiv madhor në punën tonë. Sa më mirë ta kuptojmë diktaturën aq më mirë formësojmë demokracinë.”

Albanian School of Political Studies in Tirana
Erjon Tase, drejtor i Shkollës së Studimeve Politike në Tiranë

Më tepër dritë mbi mekanizmin e shtypjes së diktaturës

Erjon Tase, drejtor i Shkollës së Studimeve Politike në Tiranë, që mbështet nga Këshilli i Europës mendon se hapja e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit vazhdon të mbetet një çështje e kundërshtuar në Shqipëri në këto 25 vite, jo vetëm nga ata që mund të zbulohen si ish-bashkëpunëtorë, por edhe nga vetë ish-viktimat, që i druhen zbulimit të fakteve të manipuluara nga shërbimi sekret. Duke folur për Deutsche Welle-n, Tase kujton aktivitetin e dy komisioneve të pastrimit të figurave të politikës dhe drejtuesve të tjerë të lartë, siç dhe janë njohur si komisioni “Mezini”, apo më pas komisioni “Bezhani”.

“Vërtet që synimi i këtyre komisioneve ka qënë largimi nga skena politike e personave të përfshirë si ish-bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit, por në fakt procesi i pastrimit të politikës dhe zyrtarëve të tjerë të lartë nuk ka arritur të prodhojë një proces pajtimi të shoqërisë sonë. Nuk kemi ende mëkatarë që t’u kërkojnë falje viktimave të tyre, ndërkohë që vetë ata që u persekutuan dhe familjarët e tyre, nuk kanë arritur të mësojnë të vërtetën. Pikërisht këtë qetësim të shpirtrave, apo siç e ka quajtur me të drejtë Roland Johan ‘një rikthim të jetëve të mbyllura në këto dosje të njerëzvee të përgjuar nga shërbimi sekret’, synon të sjellë përvoja gjermane. Nëpërmjet hapjes së dosjeve për vetë ish-viktimat e Sigurimit do të hidhet më tepër dritë mbi mekanizmin e shtypjes së diktaturës dhe moralin e shoqërisë sonë përballë kësaj diktature”.

Sipas Tases të rinjtë shqiptarë vazhdojnë të ngrenë pyetjen se si prindërit e tyre ishin të vetmit në Evropën Lindore që nuk u ngritën kundër diktaturës për 50 vite, ndërsa nostalgjikët e së kaluarës, vazhdojnë të shfajësojnë udhëheqësit komunistë, si zbatuesit e legjislacionit të kohës për të persekutuar shqiptarët.

“Pra kemi dy qëndrime ekstremisht të kundërta, një ndarje të shoqërisë që vazhdon të transmetohet tek të rinjtë, e cila e shikon të kaluarën të deformuar dhe rrezikon më pas që të përsërisë të njëjtat gabime të së kaluarës. Një proces i tillë pastrimi dhe qetësimi moral të të gjithë shoqërisë mund të ndihmojë më pas në largimin e atyre mëkatarëve që vazhdojnë të jenë aktivë në politikë dhe pozicione të tjera drejtuese”- thotë për Deutsche Welle-n Erjon Tase, drejtor i Shkollës së Studimeve Politike në Tiranë.

Nga Arben Muka

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button