A janë siguruar gomat dimërore për veturat e Policisë? Flet ministri Sveçla
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka dhënë sqarime në Kuvendin e Kosovës lidhur me furnizimin e Policisë së Kosovës me goma dimërore për automjetet zyrtare.
Sveçla tha se, bazuar në analizat dhe raportet e Policisë, aktualisht janë në dispozicion goma për 73 për qind të automjeteve, ndërsa nevojat për furnizim për 27 për qind të automjeteve të tjera ende duhet të mbulohen.
Ai bëri të ditur se procesi i vendosjes së gomave dimërore që tashmë janë në dispozicion ka filluar.
Për të plotësuar nevojat e menjëhershme, Sveçla tha se Policia ka vendosur të zhvillojë një procedurë emergjente të prokurimit. Sipas tij, kjo procedurë është planifikuar të zgjasë gjashtë muaj dhe ka vlerë prej 81 mijë e 510 eurosh.
“Sipas analizave dhe raporteve, Policia ka në dispozicion goma për 73 për qind të automjeteve. Nevojat aktuale për furnizim me goma duhet të mbulohen edhe për 27 për qind të automjeteve. Procesi për vendosjen e gomave dimërore që janë në dispozicion veçse ka filluar. Për të plotësuar nevojat imediate, Policia ka vendosur të prokurojë me procedurë emergjente, të planifikuar për gjashtë muaj, me vlerë prej 81 mijë e 510 eurosh”, tha ai.
Këto komente Sveçla i bëri pas pyetjes së deputetes së PDK-së, Ganimete Musliu. /kp/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.