A nuk qenka korrupsioni më një krim?!
ANDREA STEFANI
Ditët e fundit, debatit për dekriminalizimin e politikës i është shtuar një syth i ri: A duhet trajtuar korrupsioni si krim dhe, për rrjedhojë, a duhet politikanë me rekorde korrupsioni të jenë objekt i dekriminalizimit? Maxhoranca e majtë ka kërkuar që rastet e politikanëve të korruptuar të jenë objekt i dekriminalizimit, ndërkohë që opozita e PD, po mban një pozicion kundërshtues ndaj këtij propozimi, por me deklarime krejt të mjegullta që në vend se të ofrojë argumente, përpiqet t’i bishtnojë sqarimit. Po përse të majtët në pushtet janë të gatshëm të përballen me antikorrupsionin në kuadër të dekriminalizimit ndërsa lidershipi i PD në opozitë jo?
***
Që në krye të herës duhet thënë se të flasësh për dekriminalizimin e politikës duke përjashtuar korrupsionin si krim, është një absurd që bie në kundërshtim me legjislacionin penal. Krime nuk quhen vetëm aktet e trafikimit të drogës apo qenieve njerëzore, por çdo veprim apo mosveprim që bie ndesh me ligjin dhe që është i dënueshëm nga ai. Në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë, dënohet me deri 5 vjet burg. Ndërkaq, “Kodi” dënon shumë rëndë edhe mjaft akte të tjera. Për shembull, në Kodin Penal, marrëveshja e bërë me fuqi apo me shtete të huaja për dorëzimin pjesërisht apo tërësisht të territorit duke cenuar integritetin e vendit, dënohet deri me dhjetë vjet burg. E si mund të mendohet që politikanë që janë bërë pjesë e marrëveshjeve të tilla (rasti i ujërave detare në marrëveshjen me Greqinë), të mos jenë objekt i dekriminalizimit? Si mund të mos jetë objekt i dekriminalizimit frymëzimi apo organizimi nga politikanë i kryengritjeve apo puçeve të armatosura (si ai i 14 shtatorit 2008) që dënohet me burgim të përjetshëm nga Kodi Penal i Republikës? Apo meqenëse në këtë rast rrezikohet statusi i politikanit Sali Berisha, duhet të mos e fusim puçin e armatosur si objekt të dekriminalizimit? Po a nuk do të qe ky selektim, një dhunim i barazisë para ligjit, një tjetër formë e pandëshkueshmërisë, një tredhje e dekriminalizimit dhe një rikonfirmim i një grupi të paprekshmish që qëndrojnë mbi ligjin? Dhe, meqë ra fjala, përse PD nuk është fare e interesuar që organizmi i përmbysjes me dhunë të rendit, si krim, të jetë pjesë e dekriminalizimit kur ajo ka hedhur akuza për Edi Ramën se paska organizuar një puç të armatosur (me thika të helmatisura e çadra pistoletë) në 21 janar? Një qëndrim që të bën të dyshosh se akuzat për puçin e 21 janarit, nuk i beson as PD dhe as vetë Berisha që i formuloi në publik. Ndryshe ata do jenë të parët që, në kuadër të dekriminalizimit, do kërkonin me forcë hapjen e dosjes së 21 janarit.
***
Përveç sa u shënua më sipër, përjashtim i korrupsionit nga dekriminalizimi është një gjakim për të “amnistuar” krimin më të përhapur mes klasës politike. Krimi më i përhapur mes politikanëve dhe qeveritarëve nuk është pjesëmarrja në trafikun e drogës apo të femrave, por përfitimi i paligjshëm i parave publike me korrupsion, nëpërmjet abuzimit me postin. Rastet e politikave të përfshirë në trafiqet e asaj që quhet “bota e krimit” numërohen me gishta, ndërkohë që perceptimi publik për korrupsionin e klasës politike, është shumë më i shtrirë. Prandaj, ta kufizosh objektin e dekriminalizimit vetëm te lidhjet e politikanëve me “botën e krimit”, do të thotë që të mos merresh fare me krimet e kryera më së shumti nga politikanët, do të thotë që pas dekriminalizimit ta lësh klasën politike dhe Parlamentin si edhe deri më sot, po aq të kriminalizuar me korrupsion dhe abuzime. Do të thotë që të vazhdojë pandëshkueshmëria. E bashkë me të, edhe korrupsioni që është një nga hallkat që e lidh politikën me botën e krimit. Do të thotë të mos arrish asgjë nëpërmjet dekriminalizimit, madje, të bësh të kundërtën, ta trukosh korrupsionin me dekriminalizim.
***
Dhe më në fund e ka radhën pyetja: Përse qeveria është e gatshme të përballet me antikorrupsionin, ndërsa opozita jo? Duket si një paradoks sepse, përgjithësisht, qeveritë janë ato që i tremben antikorrupsionit dhe jo opozitat? Përgjigjja është e thjeshtë: PD trashëgon nga 8 vjet qeverisje shumë më tepër korrupsion të pandëshkuar nga sa mund të ketë akumuluar qeverisja e sotme vetëm për më pak se dy vjet. Sepse korrupsioni i përfolur i 8 viteve të qeverisjeve të dikurshme të socialistëve, është harruar fare. Madje, edhe vetë Berisha që u ngjit në pushtet në vitin 2005 duke u betuar për luftë kundër korrupsionit të qeverisë së Fatos Nanos, disa nga figurat e asaj qeverie që vetë i kishte stigmatizuar si të korruptuar, i ka sot aleatë. Me raste, edhe vetë Fatos Nanon!