A po paralajmëron Trump pasoja për Shqipërinë dhe vendet që dolën kundër Amerikës në OKB
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në OKB, Nikki Haley, ka bërë listën e shteteve që kanë votuar kundër ose kanë abstenuar ndaj rezolutës që kërkon anulimin e vendimit të Presidentit Donald Trump për Jerusalemin. Ajo ka thënë se shtetet që nuk votuan pro rezolutës, pra që mbajtën anën e SHBA-së, nuk kanë rënë pre e papërgjegjshmërisë. Haley, po ashtu, ka thënë se Trump-i e ka marrë shumë personalisht atë që ndodhi në OKB.
Ambasadorja e SHBA-së në OKB, Nikki Haley, vetëm pak orë përpara zhvillimit të një seance votimi kundër vendimit të Trump-it, iniciuar nga Konferenca Islamike dhe ideuar nga presidenti i Turqisë Recep Tayip Erdogan, kishte paralajmëruar shtetet për votimin.
“Do të raportoj te presidenti i SHBA-së emrat e të gjithë atyre që mbështesin një draft-rezolutë që hedh poshtë lëvizjen e SHBA-së në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Presidenti Trump e ka marrë personalisht këtë çështje… Ndërsa, konsideroni votën tuaj, ju inkurajoj që ta dini se presidenti dhe SHBA-ja do të marrë këtë votë personalisht. Presidenti do ta vëzhgojë këtë votë me kujdes dhe më ka kërkuar që të raportoj për ata që votojnë kundër nesh… Ne nuk presim që ata që kemi ndihmuar të na dalin kundër”.
Pavarësisht se votimi i djeshëm nuk ndikon fare në vendimin e SHBA-së për çështjen e Jerusalemit kryeqytet, duket se ai i ka shërbyer presidentit Trump, për të parë më qartë, se cilat vende bëjnë lojë të dyfishtë në marrëdhëniet me SHBA-në. Dhe fatkeqësisht ky lakmues nxori zbuluar edhe Shqipërinë e Edi Ramës.
Populli shqiptar këtu dhe në Kosovë “ka habitur” mbarë botën si më proamerikani, por duket se qeveria e Rilindjes pavarësisht se ka dalë nga votat e tyre është pozicionuar në mënyrë absurde në pamje të parë, kundër aleatit historik dhe strategjik më të madh, shkruan sot Shekulli.
Duket se votimi i djeshëm në Nju Jork është marrë me shumë seriozitet nga administrata Trump, dhe kjo ka qenë edhe arsyeja, që ambasadorja Haley menjëherë pas përfundimit të asamblesë ka nxjerrë në faqen e saj në Facebook listën e shteteve, që nuk ranë pre e papërgjegjshmërisë me votën e tyre.
Statusi i plotë i ambasadores Nikki Haley
Ne i vlerësojmë këto vende që nuk ranë pre e papërgjegjshmërisë së Kombeve të Bashkuara:
Antigua-Barbuda, Argjentina, Australia, Bahamas, Benini, Butani, Bosnja dhe Hercegovina, Burma, Kameruni, Kanadaja, Republika e Afrikës Qendrore, Kolumbia, Kroacia, Republika Çeke, Republika e Dominikanëve, Republika Demokratike e Kongos, Salvadori, Guinea Ekuatoriale, Fixhi, Gjeorgjia, Guatemala, Guinea Bissau, Haiti, Hondurasi, Hungaria, Izraeli, Xhamajka, Kenia, Kiribati, Letonia, Lesoto, Malavi, Ishujt Marshall, Meksikë, Mikronezi Polonia, Rumania, Ruanda, Samoa, San Marino, Sao Tome dhe Principe, Sierra Leone, Ishujt Solomon, Sudani Jugor, Shën Kits-Nevis, Shën Lucia, Moldavia, Mongolia, Nauru, Palau, Panama, Paraguai, Sëaziland, Timor Leste, Togo, Tonga, Trinidad-Tobago, Turkmenistani, Tuvalu, Uganda, Ukraina, Vanuatu dhe Zambia.