AAB: Kreditë me probleme zbritën në nivelin 19.9%
Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB) bëri të ditur se, gjatë muajit nëntor 2015, kreditë me probleme zbritën në 19.9%, nivelin më të ulët të katër viteve të fundit.
Sipas të dhënave nga AAB-ja, stoku i kredive me probleme në fund të Nëntorit ishte rreth 116.4 miliardë lekë, nga 119 miliardë lekë që pati qenë një muaj më parë.
Statistikat tregojnë se parashikimi i Bankës së Shqipërisë për uljen e kredive me probleme poshtë nivelit të 20% brenda vitit është drejt përmbushjes. Ulja e kredive me probleme ka ndihmuar në përmirësimin e performancës financiare të bankave.
Fitimi progresiv i sistemit bankar për 11-mujorin ka prekur vlerën e 14.1 miliardë lekëve, në rritje të mëtejshme nga vlera e 13.5 miliardë lekëve e 10-mujorit. Në raport me 11-mujorin e vitit 2014, fitimi i sistemit bankar rezulton në rritje me 36%.