Abissnet Superiore në RTSH, Dinamo-Teuta hap javën e shtatë të kampionatit
Java e shtatë e kampionatit Abissnet Superiore do të nisë të premten, 16 tetor, me ndeshjen Dinamo-Teuta, e cila do të luhet në Elbasan Arena, në orën 18.30. Takimi midis skuadrës së tretë dhe të parë në renditje do të transmetohet direkt në RTSH 1 dhe RTSH Sport.
Ky do të jetë një test i madh për secilën prej skuadrave që pretendojnë të fitojnë titullin në përfundim të këtij sezoni. Teuta ka 16 pikë, ka shënuar 12 gola, një më pak se Egnatia, dhe ka pësuar vetëm dy, duke qenë skuadra më e mirë deri tani në mbrojtje.
Blutë, me 12 pikë, kanë dhjetë gola të shënuar dhe gjashtë të pësuar. Dinamo vjen nga humbja 1-0 në Shkodër me Vllazninë, pas një paraqitjeje vërtet të zbehtë, e cila i ndërpreu serinë e katër fitoreve radhazi. Trajneri Ilir Daja është ende në pritje të kthimit të lojtarëve të dëmtuar. Deri tani janë Dita, Hoxhallari dhe Sembene që janë ende në dyshim dhe nuk dihet nëse do të përfshihen nga Daja për takimin.
Ndërkohë, Edlir Tetova duket se nuk ka probleme për formacionin dhe synon të ruajë pathyeshmërinë. Pas gjashtë javëve të para, Teuta ka një barazim pa gola me Partizanin, në start, e në vazhdim pesë fitore radhazi, duke qenë deri tani skuadra me ecurinë më të gjatë pozitive në këtë sezon.
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.