DANIMARKË – Frederiksen: Marrëveshja për naftën ruse dhe kufizimet ndaj Ukrainës dobësojnë aleancën perëndimore
– Aleanca perëndimore ndodhet sot në një pozicion më të dobët se disa ditë më parë, deklaroi sot Mette Frederiksen, raportoi agjencia daneze e lajmeve “Ritzau”.
“SHBA-ja po vepron kundër Ukrainës përmes marrëveshjes për blerjen e naftës nga Rusia, raportimeve për një armëpushim në fushën e energjisë dhe problemeve në shkëmbimin e informacioneve të inteligjencës, si dhe në aksesin në rrjetin satelitor “Starlink”. Kjo është një situatë shumë serioze”, tha Frederiksen përpara samitit të Bashkimit Evropian në Bruksel.
“Unë mendoj se aleanca perëndimore ndodhet sot në një pozicion më të dobët se disa ditë më parë”, tha Frederiksen.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i bëri thirrje sot SHBA-së, të mos mbajë anën e Rusisë, duke kërkuar gjithashtu “ndershmëri”.
Deklarata e tij erdhi pasi Ukraina u përball papritur me mungesat në informacionet e inteligjencës, të ofruara nga Uashingtoni dhe me kufizimet që lidhen me përdorimin e “Starlink”.
“Ne kemi nevojë për NDERSHMËRI nga partnerët tanë për këtë luftë. Është e rëndësishme që askush në Amerikë të mos mbajë anën e agresorit, por të mbështesë përpjekjet tona për të mbrojtur jetët, për t’i dhënë fund kësaj lufte dhe për të garantuar sigurinë”, shkroi Zelensky në rrjetin social X. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.