Abissnet Superiore: Vora-Dinamo dhe Teuta-Partizani mbyllin sot javën e 10-të
Java e 10-të e Abissnet Superiore, që transmetohet në RTSH, do të mbyllet sot me dy sfidat Vora-Dinamo dhe Teuta-Partizani. Natyrisht, më shumë vëmendje merr ndeshja që do të zhvillohet në Durrës, ku Teuta e vendit të dytë pret Partizanin në përpjekje për të dalë nga kriza.
Vora përballet me Dinamon në mesditë (ora 13:30), në një ndeshje që pritet të jetë e luftuar. Kryeqytetasit do të drejtohen në këtë ndeshje nga ndihmëstrajneri Renaldo Kalari, pasi trajneri Ilir Daja është i skualifikuar (u dënua me 5 ndeshje nga Disiplina).
Pas barazimit me Tiranën, blutë kërkojnë të reagojnë, duke u kthyer te fitorja. Vora në anën tjetër e ka pikë të fortë fushën e saj, ku do të përpiqet të përsërisë suksesin ndaj Vllaznisë.
Teuta pësoi humbjen e parë javën që kaloi, kur u mund në Rrogozhinë nga Egnatia. Për të mos humbur kontaktet me këtë të fundit në kreun e tabelës, skuadra durrsake synon vetëm fitoren përpara tifozëve të saj.
Partizani i humbjeve radhazi edhe me trajnerin e ri Karoglan nuk ka më çfarë të humbasë. Të kuqtë do të luajnë gjithçka për gjithçka në “Niko Dovana”, sepse 4 pikët në tabelën e klasifikimit shqetësojnë jo pak. Të dyja ndeshjet do të vijnë drejtpërdrejt në ekranin e RTSH.
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.