Abuzimi me pronat, Prokuroria e Vlorës sekuestron 44 mijë m2 tokë
Prokuroria e Vlorës ka vendosur në sekuestro preventive një sipërfaqe tokësore prej 44 mijë metra katrorë, në zonën bregdetare të Jonufrës.
Sipas një njoftimi për shtyp, sekuestrimi ka ardhur pasi dyshohet se toka, me vlerë tregu rreth 4.4 milionë euro, është përfituar ilegalisht nga një familje.
Sipas njoftimit, bëhet fjalë për familjen Gjonboçari, e cila e ka siguruar sipërfaqen përmes dokumentave të falsifikuara, nisur nga fakti se në letra ajo konsiderohet “tokë bujqësore”, ndërkohë që ndodhet në zonën bregdetare të Vlorës.
Për këtë rast prokuroria e qytetit bregdetar kishte nisur hetimet në muajin shkurt, duke përfshirë në to edhe disa funksionarë të zyrës së Hipotekës.
Bëhet fjalë për shtetasit Blerina Dhami, ish-juriste e Hipotekës dhe Kujtim Sulçe, ish-kryeregjistrues i institucionit. Ata dyshohet se kanë favorizuar familjen Gjonboçari, duke pranuar dokumenta të falsifikuara prej saj për të marrë nën kontroll tokën.
Nga hetimet ka rezultuar se shtetasi Ardian Gjonboçari ka depozituar në vitin 2009 në Hipotekë një fotokopje të njehësuar me origjinalin e një akti të marrjes së tokës në pronësi të lëshuar në vitin 1996.
Kjo është zbuluar pasi gjatë kërkimeve të prokurorisë, dokumenti origjinal i vitit 1996 nuk është gjetur në asnjë institucion dhe për rrjedhojë hetuesit kanë ngritur dyshime të arsyeshme se dokumenti i shtetasit Gjonboçari është i falsifikuar, duke urdhëruar kështu konfiskimin e tokës, kërkesë që është pranuar nga Gjykata e Vlorës.