Opinion

Adhurues she abuzues të karrikeve pushtetmbajtëse

Nga PETRO DHIMITRI

Qenka në natyrën njerëzore ta adhurosh, ta duash e ta shtrëngosh fort deri në abuzim karrigen apo kolltukun e Kryeministrit ose të Presidentit.  Deri  në abuzim shkojnë pak politikanë dhe vetëm në vendet ku nuk ka demokraci ose ajo është në gjysmake.

    Për të shmangur këtë ” ves” njerëzor vendet më të zhvilluara kanë hartuar dhe ligjet përkatëse që nuk lejojnë as edhe një politikan të jetë i pa zëvendësueshëm. Në  kushtetutën e SHBA-së  as edhe një President në asnjë lloj rrethane nuk mund të zgjidhet më shumë se dy herë. Krejt natyrshëm ky komb kaq i civilizuar bën rrotacionin e elitës politike. Në Evropën Perëndimore, ku nuk kemi të bëjmë me sistemin dypartiak si në SHBA, kemi tjetër qasje. Kufizim ka vetëm për postin e Presidentit. Mund të zgjidhet vetëm për dy mandate. Për postin e Kryeministrit, me që garojnë për atë detyrë shumë parti, nuk është parë e udhës të vendosin cak kohor. Ama vetëm në raste të rralla pas Luftës së Dytë Botërore hasim me Kryeministra  që kanë qenë në detyrë në dy dekada ose dhe më shumë. Kemi rastin e De Golit 11 vjet dhe Mitteranit në Francë 14 vjet. Në Gjermani Kohli ishte 16 vjet mbajtës i asaj karigeje. U pasua nga Angela Merkel që drejtoi me zotësi Gjermaninë për 14 vjet rresht. Kemi dhe Mark Rutten në Holandë që ishte Kryeministër më shumë se 10 vjet. Në të gjitha vendet e tjera askush nuk ka mundur ta mbajë aq shumë atë karrige, sepse gara për pushtetin në sistemin shumëpartiak është tejet e fortë, për të mos thënë e ashpër, sa që rrotacioni bëhet krejt normalisht. Ka shpesh raste që Kryeministrat japin dorëheqje edhe para mandatit katërvjeçar. Shembull tipik është Franca e ditëve tona.
      Një praktikë krejt ndryshe kishin dhe kanë vendet komuniste. Stalini deri sa vdiq nuk e lëshoi drejtimin. Po kështu Mao Ce Duni në Kinë. Fidel Kastroja në Kubë dhe familja e Kim Ir Senëve në Korenë e Veriut që postin e udhëheqësit të vendit e ka kaluar në trashëgimi. Gjyshi ia la djalit, djali po djalit…Ata udhëheqës u kthyen ose kthehen në mbinjerëz që dinë dhe vendosin për çdo gjë. Janë njerëz që mbivlerësojnë veten, duke nënvlerësuar të tjerët. Lënë përshtypjen se vetëm ata dinë, vetëm ata janë të drejtë, vetëm ata mendojnë për të mirën e popullit. Kthehen në gjysmë perëndi që populli t’i adhurojë. Është një fetishizim masiv që i kthen këta në uzurpues të posteve (që u ka besuar populli) në mbinjerëz. Shembull tipik kemi Lukashenon e Biellorusisë. Ka 32 vjet që është ngjitur me tutkall në atë karrige dhe nuk e nuk e lëshon. Nuk bie më poshtë as Putini. Përmes manovrave të lojës për të qeshur  herë Kryeministër dhe herë President ai ka më shumë se 20 vjet që mban të shtrënguar fort pas vetes herë kolltukun e Kryeministrit dhe herë atë të Presidentit.
     Ndërsa në Evropën Perëndimore dhe në BE (përveç Urbanit të Hungarisë ish komuniste) rotacioni i Kryeministrave është një realitet i padiskutueshëm, në Shqipëri më ngjan se e kanë bërë lanet, siç thonë turqit. Duke i hedhur sytë historisë sonë gjejmë vetëm një Ismail Qemal që e la shpejt atë post. Të tjerët, le t’i shikojmë me radhë. Ahmet Zagolli,  me që nuk ishte i kënaqur me të mirat e postit kryeministror,  e shpalli veten mbret kur në tërë Evropën monarkitë po binin me radhë. Qëndroi në kolltuk 17 vjet deri sa iku me turp kur Italia fashiste na pushtoi më 7 prill 1939.
     Pas Luftës së dytë Botërore, kur populli i varfër dëshironte pak demokraci, na mbiu në derë fantazma: diktaturë komuniste. Enver Hoxha u bë adhuruesi më i madh i tërë kohërave. Për 44 vjet vetëm ai firmoste e vuloste. Vetëm ai ngrinte shpatën për të vrarë të gjithë armiqtë e tij imagjinarë borgjezë si dhe shokët e tij ”deviatorë” komunistë. Ne e brohoritnim. Ne këndonim me gëzim dhe krenari që të merrte ditë edhe nga jetët tona?! Nuk ishte vetëm Enveri. Presidenti Haxhi Lleshi e mbajti për 29 vite atë karrige. Mehmet Shehu 14 vjet Kryeministër. Adil Çarçani 10 vjet. Bashkë me detyrat si ministër atij i bëhen plot 31 vjet ngjizur pas kolltukut drejtues?!
       Menduam dhe dëshironim që me rrëzimin e diktaturës, me vendosjen e sistemit shumëpartiak, nuk kishim për të pasur më mbinjerëz të fetishizuar deri në budallallëk. Nuk na doli ashtu. Vetëm Majko, Fatos Nano dhe Meksi i lanë karriget normalisht. Pasuesit po vazhdojnë me zell të madh traditën e sistemit që e rrëzuam, traditën e PPSH-së së Enver Hoxhës. Ata po i fetishizojmë. Po na duken se vetëm ata dinë. Vetëm ata mund të na udhëheqin. Nuk kemi dhe aq faj. Tradita negative komuniste gjysmëshekullore na ka bërë që ata ti shikojmë pak si ndryshe nga ne, si shumë më të mirë, më të drejtë dhe të ndershëm, më guximtarë dhe më largpamës. Se po të mos jenë ata, kushedi çfarë e keqe ka për të na pllakosur…Nga njerëzit gjoja demokratë që po ecin në gjurmët e traditës komuniste janë disa, po më kryesorët janë dy. 1. Sali Berisha. 2.Edi Rama.
        Çfarë demokrati mund të quhet ish komunisti Sali Berisha që prej 36 vjetësh mban të ngërthyer postin e  kryetarit të  Partisë Demokratike?! Ka qenë Kryeministër dhe President, po përsëri deklaron se do të vijë në pushtet sërish si Kryeministër. Si nuk u ngop ai njeri me karrigen e pushtetit?! Si ka guxim të udhëheqë demokratët kur bashkë me familjen është shpallur NON GRATA  për korrupsion nga SHBA dhe Anglia?! Si nuk ka turp që, duke qenë vetë i korruptuar akuzon kundërshtarët për vjedhje! Kësaj i thonë: hajduti shanë hajdutin?! Mirë ai që nuk do ta lëshojë PD-në që e ka kapur fort prej gryke, po anëtarësia masive e kësaj partie pse bën të shurdhëtin dhe qorrin? Pse nuk ngrihen në protesta me parulla: Berisha largohu! Berisha jep dorëheqje! Ke 36 vjet që na thua të njëjtat gënjeshtra e shpifje, që na premton se kemi për të ardhur në pushtet!
      Po Kryeministri Edi Rama si mund ta quaj veten si ideator  evropian kur ka 21 vjet që është kryetar i Partisë Socialiste dhe 14 vjet Kryeministër?! Në cilin vend të Evropës aktuale e ka marrë ai këtë shembull? Kushedi dhe sa vite të tjera ka për të vazhduar ta mbajë  postin  e kryetarit për të garuar denjësisht me Sali Berishën?! Ku gjejmë në BE një kryeministër që drejton qeverinë për 4 mandate?! Nuk e kemi fjalën për aftësinë e këtij apo atij politikani. Me të drejtë mendohet se një njeri që drejton partinë ose shtetin  për 8 vjet nuk ka më çfarë idesh të reja të japi. Në tetë vite ka pasur tërë kohën në dispozicion për të plotësuar programin, planet dhe idetë e tija. Kur ato shterin, fillojnë edhe abuzimet për probleme nga më të ndryshmet. Kryeministri ose kryetari i partisë bëhet shumë autoritar. Vetëm zëri i tij dëgjohet. Vetëm ai vendos.  Dalin një nga një edhe hetimet  për besnikët që e kanë ”prerë” në besë dhe çfarë nuk dalin?! Po forumet e partisë dhe anëtarsia pse ulin kokën dhe heshtin?! Pse mjaftohem me thashethemet  midis tyre dhe nuk ngrihen t’i thonë me guxim: të faleminderit për punën e deri tanishme, por posti i kryetarit të partisë nuk është pa afat kohor…Nuk e bëjnë këtë për dy arsye.1. Se kemi më shumë se gjysmë shekulli që i fetishizojmë liderët. 2. Kemi frikë t’ia themi të vërtetën në sy nga që në të gjitha partitë kush ka ngritur krye, është mënjanuar ose përjashtuar. Interesi i shkretë vetjak mund interesin e përgjithshëm  shoqëror.
      Do të gaboja rëndë duke përmenduar vetëm dyshen Berisha-Rama. Fatmir Mediu që ka 29 vjet kryetar i PR-së, edhe pse i akuzuar për shpërdorim detyre në Procesin Gjyqësor të Gërdecit, jo vetëm nuk jep dorëheqje, por na mban fjalime edhe nga Washingtoni sikur të jetë kryetar i një partie të madhe, kur në fakt e ka katandisur si inekzistente. Republikanët pula vazhdojnë të kenë frikë për t’i thënë: nuk ke dëshmi nga hipoteka se je pronar i Partisë Republikane. Po kështu Idajet Beqiri ka mbi 30 vjet kryetar i Partisë së mbrotjejs së të Drejtave të Njeriut. Sabri Godo, kur e lanë forcat u detyrua t’ia kalonte stafetën Mediut.  Edhe  Skënder Gjinushi e shtrëngoi si shumë karrigen e kryetarit të PSD-së. Pra, kemi të bëjmë me një dukuri shqiptare: politikanët  me fjalë trumpetojnë demokracinë, për vete shtrëngojnë karriget siç ishim mësuar nga koha e diktaturës.
      Dukuria e uzurpimit të kolltuqeve partiake dhe kryeministrore mbase ka për  të ndryshuar për mirë kur një ditë kemi për të hyrë në BE?! Me drejtues të  tillë në Evropën e bashkuar Shqipëria do të dukej si dhi e zgjebosur.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button