Kosova

Administrata amerikane ndan shqetësimet e njëjta me Kongresin për tensionet në veri të Kosovës

Një zëdhënës i Këshillit Kombëtar të Sigurisë i tha Zërit të Amerikës se administrata amerikane ka të njëjtat shqetësime sikurse edhe Kongresi për tensionet e rritura në veri të Kosovës.

Zyrtarët e qeverisë amerikane duke përfshirë Shtëpinë e Bardhë dhe Departamentin e Shtetit, kanë punuar ngushtë me partnerët e Bashkimit Evropian për të gjetur një zgjidhje diplomatike për ngjarjet e fundit. Ata janë angazhuar me udhëheqësit e Serbisë dhe Kosovës për të nxitur shtensionimin dhe përqendrimin e ripërtërirë në zbatimin e marrëveshjeve të normalizimit të nënshkruara në fillim të këtij viti”, tha zëdhënësi duke nënvizuar se “normalizimi i marrëdhënieve, pjesëmarrja në proceset demokratike dhe respektimi i sundimit të ligjit do të kontribuojnë në qëndrueshmërinë dhe sigurinë në veri të Kosovës”.

Ai i bëri këto komente duke iu përgjigjur Zërit të Amerikës rreth një letre që një grup senatorësh demokratë dhe republikanë i drejtuan presidentit Joe Biden, duke kërkuar që ta trajtojë me përparësi përkeqësimin e situatës së sigurisë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Senatorja Jeanne Shaheen bashkë me senatorët Chris Murphy, Chris Van Hollen, Ben Cardin, Pete Ricketts, Thom Tillis, Peter Welch dhe Dick Durbin, shprehën në letër shqetësimin me situatën në veri “ku dhuna e fundit serbe kundër Forcave të NATO-s në Kosovë plagosi rreth 40 paqeruajtës të NATO-s. Që nga ato sulme, ne jemi të alarmuar nga vendimet qeverisë së Kosovës dhe Serbisë, të cilat vazhdojnë të përshkallëzojnë dhe jo ulin tensionet”.

Në letër theksohet shqetësimi për sigurinë dhe mirëqenien e rreth 600 trupave amerikane që shërbejnë në kuadër të KFOR-it.

Ne vlerësojmë përpjekjet diplomatike të Shteteve të Bashkuara për të ulur tensionet, por këto përpjekje nuk kanë marrë përgjigje të ndërsjellë nga Kosova në veçanti. Si rrjedhojë ne jemi të përgatitur të shqyrtojmë ndryshimin e mbështetjes së Kongresit”, thuhet në letër.

Senatorët kanë përmendur rolin e Shteteve të Bashkuara për pavarësinë e Kosovës por edhe hapat për ndërtuar një marrëdhënie me Serbinë.

Ata shprehen të “tronditur” nga veprimet e fundit të qeverive të Serbisë dhe Kosovës duke i cilësuar “vendime provokuese që kërcënojnë të dëmtojnë mundësitë e përmirësimit të marrëdhënieve dypalëshe”.

Kriza në veri të Kosovës pasoi vendimin e autoriteteve për zbatimin e rezultatit të zgjedhjeve të 23 prillit, të bojkotuara nga partitë politike serbe. Në komunat veriore grupe qytetarësh serbë po vazhdojnë të kundërshtojnë vendosjen në zyrat komunale të kryetarëve shqiptarë.

Ne letrën e senatorëve shprehet mbështetja për propozimin e Bashkimit Evropian për uljen e tensioneve që përfshin: tërheqjen e kryetarëve nga ndërtesat komunale në veri të Kosovës; pezullimi i operacioneve policore në afërsi të ndërtesave komunale me përfundimin e njëkohshëm të protestave, shpalljen e zgjedhjeve të reja komunale me pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës; dhe një kthim në dialog për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, duke përfshirë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

Senatorët thanë se pa një përkushtim të vendosur për të ndërmarrë këto hapa, administrata amerikane duhet të shtyjë “çdo thellim të marrëdhënieve dypalëshe të në fushën e sigurisë me të dyja vendet”.

Duke theksuar se marrëdhëniet duhet të ndërtohen mbi vullnetin e mirë, bashkëpunimin kuptimplotë dhe vlerat e përbashkëta, senatorët theksojnë se “nuk e shohim këtë episod të fundit tensionesh si një shmangie të përkohshme në marrëdhëniet dypalëshe, por si një moment përcaktues në trajektoren e marrëdhënieve tona me të dyja vendet”.

Bashkimi Evropian paralajmëroi shpalljen e masave të reja ndëshkuese për Kosovën gjatë kësaj jave.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button