Ekonomia

Aeroporti i Kukësit: Wizz Air, Adria Airways dhe Ryanair kanë shprehur interes

Flet Krislen Keri, Drejtor i Projekteve në Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës

Krislen Keri, i cili ka qenë edhe pjesë e grupit negociator në Ministrinë e Transporteve dhe Infrastrukturës për të ndryshuar marrëveshjen me koncesionarin e Rinasit, përveç drejtorit të projektimit në këtë ministri thotë se duhen 3 milionë euro investime Aeroportin e Kukësit. Ai nuk e përjashton mundësinë edhe të dhënies me koncesion të operimit të tij, pasi ngritja e një enti shtetëror do të donte sërish një buxhet më të shtuar.

Në çfarë faze është vënia në funksion e aeroportit të Kukësit?
Me miratimin e marrëveshjes ndryshuese të kontratës koncensionare të TIA, për heqjen e ekskluzivitetit të fluturimeve të Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, filloi menjëherë puna për vlerësimin e gjendjes së aeroportit të Kukësit dhe grumbullimi i dokumentacionit teknik ekzistues për këtë aeroport, si dhe identifikimi i nevojave për studime të mëtejshme dhe ndërhyrje të nevojshme për vënien në funksion të këtij aeroporti.

Mund të specifikoni në vija të përgjithshme restaurimet dhe investimet kryesore që duhen për këtë projekt?
Nga vlerësimi paraprak, nëpërmjet edhe matjeve fizike, rezulton se aeroporti i Kukësit ka nevojë për dy ndërhyrje kryesore, njëra me natyrë fizike (infrastrukturore) dhe tjetra me natyrë administrative.

Në vlerë monetare, sa fond i nevojitet Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës për të bërë rregullimet e tij?
Ndërhyrjet infrastrukturore konsistojnë në nivelimin e pjesëve anësore të pistës së këtij aeroporti, pasi standardi ndërkombëtar kërkon që hapësira në të dy anët e pistës të jetë e sheshtë për të lejuar manovrimin e avionëve në rast emergjencash; dhe ndërhyrja tjetër infrastrukturore është ndërtimi i rrugës perimetrale përgjatë gjithë perimetrit të aeroportit. Nga situacioni paraprak rezultoi që për këto ndërhyrje ka nevojë për një fond limit rreth 3 milionë euro.

A ka një projekt qeveria për dhënien më koncesion të operimit të tij?
Ndërhyrja administrative ka të bëjë me vendimmarrjen për mënyrën e operimit të këtij aeroporti. Mundësitë janë dy, ose aeroporti të menaxhohet nga një ent i posaçëm shtetëror, që do të kërkojë krijimin e tij në formën e një shoqërie tregtare publike, proces i cili do të kërkojë alokimin e një fondi për mundësimin e krijimit të strukturës dhe marrjen në punë të njerëzve për operimin e tij. Kjo alternativë duhet të parashikojë që shoqëria e re publike duhet të ketë gjendje financiare të mjaftueshme për të blerë pajisjet e nevojshme për operimin e aeroportit, që nga shkallët lëvizëse për aksesin në avion, mjetet borëpastruese etj. Alternativa tjetër konsiston në dhënien me koncesion të menaxhimit të këtij aeroporti. Alternativa me koncesion duhet të parashikojë që subjektet private të interesuara të bëjnë ndërhyrjet e nevojshme infrastrukturore, si dhe të krijojnë shoqërinë për operimin e këtij aeroporti, përfshi fondet e nevojshme për blerjen ose marrjen me qira të pajisjeve për operimin e tij. Vlera e pajisjeve për operimin e tij do të jetë atribut i shoqërisë së re, e cila do të bëjë dhe menaxhimin e aeroportit.

A kanë shprehur kompanitë e fluturimit interes për këtë aeroport?
Kompani ajrore kanë shprehur interes për të operuar nga ky aeroport, pasi do t’u ofronte atyre mundësinë e munguar të modelit low-cost, ku këto kompani do të kishin mundësinë të ofronin bileta me çmim të ulët për udhëtarët nga ky aeroport. Kompanitë që kanë shprehur interes janë kompania Wizz Air, kompania Adria Airways dhe Ryanair. Theksohet se këto janë kompani fluturimi dhe jo kompani menaxhimi të aeroporteve; që këto kompani të vijnë të fluturojnë nga Aeroporti i Kukësit duhet që ky aeroport të bëhet operacional, sipas një prej alternativave të shprehura më sipër. Gjithashtu, kanë shprehur interes dhe janë duke bërë vlerësimet e tyre edhe kompani menaxhuese aeroportesh, që shpresohet të shprehin interes zyrtar shumë shpejt.

Nga ana teknike, fluturimet, kanë probleme në uljen dhe ngritjen e avionëve?
Përpara fillimit të ndërtimit të këtij aeroporti, është bërë një vlerësim paraprak, i cili nuk ka rezultuar të ketë probleme teknike për uljen dhe ngritjen e avionëve. Gjithashtu, si pjesë e kolaudimit të punimeve në këtë aeroport, ka pasur ulje dhe ngritje të avionëve, të cilët kanë verifikuar cilësinë e pistës, pas të cilëve në atë kohë aeroporti, nga ana ndërtimore, u kolaudua.

Sa fluks mendohet të ketë sipas viteve në këtë aeroport?
Në parashikimet tona, të përdorura gjatë negociatave me TIA, na ka rezultuar se në vitin e parë të operimit, aeroporti i Kukësit do të akomodojë rreth 150,000 pasagjerë në vit dhe do të ketë një rritje me 10% nga viti në vit deri në 2025, vit kur rritja do të jetë ajo e mesatares europiane 6-7%. Ky ritëm nënkupton një numër fluturimesh prej 4-6 në vit për 5 vitet e para të operimit.

A ka një llogari se sa mund të jetë norma e fitimit për firmat ajrore që vijnë në këtë aeroport?
Kjo është një llogaritje që bëhet nga kompanitë ajrore, por zakonisht fitimi për kompanitë low-cost rritet marxhinalisht me rritjen e numrit të pasagjerëve dhe duke konsideruar që kategoria e fluturimeve low-cost ka munguar në vendin tonë dhe gatishmëria e shumë pasagjerëve nga Shqipëria është e lartë për të pasur akses në këto fluturime edhe nga vendet e rajonit (si Shkupi, Podgorica por edhe Prishtina), pritshmëria për trafik nga ky aeroport është e lartë.

Afërsia e tij me Prishtinën ka probleme në uljen e interesit?
Në analizën tonë ka rezultuar që jo, pasi siç e dini edhe Aeroporti i Prishtinës, në vitin 2013 është dhënë me koncesion dhe struktura e tyre e tarifave nuk është shumë larg aeroportit “Nënë Tereza”, pasi dhe atje koncensionari ka kryer investime të konsiderueshme, rrjedhimisht është duke reflektuar këto shpenzime në tarifat aeroportuale kundrejt kompanive ajrore, të cilat me radhë këto i pasqyrojnë në biletat që shesin. Pra mund të themi që edhe Prishtina nuk është një aeroport loë-cost, por një aeroport premium. Në këto kushte, efekti do të jetë i kundërt, pra jo një ulje interesi, por do të ketë rritje të interesit të pasagjerëve nga Kosova për të përdorur aeroportin e Kukësit për fluturime me kosto të ulët.

Po kështu ishim të interesuar të dinim nëse përcaktohet qartë në kontratë përfitimi i shtesës së TIA-s në momentin që nuk kanë filluar operimet e aeroporteve të tjerë (siç është ai i Kukësit)?
Dokumenti ndryshues ka të qartë që dy vitet shtesë përfitohen nga TIA menjëherë me miratimin e marrëveshjes ndryshuese. Ndërsa pjesa e mbetur prej 4.5 viteve shtesë është e kushtëzuar me fillimin e operimeve të aeroporteve të mundshme në Jug të vendit. Ajo është në raport të drejtë me vitin që do të nisë operimin aeroporti i parë në Jug. Për shembull, në rast se aeroporti i parë i Jugut do të fillojë operimin në janar 2020, atëherë përfitimi shtesë për TIA do të fillojë efektet në atë vit dhe do të jetë 2.5 vite shtesë.

Nëse është e mundur, a ka një informacion për anulimin e shitjes nga ana e aksionerëve të Tirana International Airport?
Nuk kemi asnjë informacion për këtë çështje.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button