Afati i fundit të shtunën; Kreditorët përgatisin planin B për mbrojtjen nga falimenti grek
Liderët e BE-së, pasi kishin dhënë shumë afate për Greqinë që të planonte një plan reformash për të zhbllokuar një ndihmë shpëtuese prej 7.2 miliardë eurosh, kanë vendosur të shtunën, si afatin e fundit për të arritur një marrëveshje, ose do të vënë në zbatim një plan B, që do të parandalonte që falimenti grek të dëmtonte pjesën tjetër të eurozonës.
Takimi i të shtunës së ministrave të financës së eurozonës u skedulua pasi grupi nuk arriti për herë të katërt në një javë të gjejë një gjuhë të përbashkët me Athinën, pavarësisht bisedimeve maratonë në Bruksel midis Alexis Tsipras, kryeministrit grek dhe krerëve të institucioneve kreditore.
Bisedimet dështuan të enjten në mëngjes, pasi monitoruesit e paketës shpëtuese— KE, FMN dhe ECB — i kërkuan z. Tsipras të pranonte një propozim kompromisi përpara takimit të ministrave të financave.
Shumë zyrtarë kanë thënë se nuk ka shanse që kreditorët të pranojnë propozimin e ri grek dhe ata po bëheshin gati të ngrinin gardhin për Greqinë, në mënyrë që çdo përkeqësim ekonomik, si rrjedhojë e falimentit, të mos përhapet. Këto plane besohet të përfshijnë kontrollet e kapitalit dhe madje dhe ndihmën humanitare.
Pa një marrëveshje këtë javë, nuk do të ketë kohë të mjaftueshme që reformat ekonomike të miratohen nga parlamenti Grek dhe të zgjatet programi, përpara se ai të skadojë të martën. Disa parlamente të eurozonës, përfshirë Bundestag-un gjerman, duhet të miratojnë çdo zgjatje të paketës shpëtuese.
Ministrat grekë kanë thënë se ata nuk do të jenë në gjendje të bëjnë një pagesë që i detyrohen FMN-së prej 1.5 miliardë eurosh deri të martën, kur është afati i fundit. Në rast se Athina nuk paguan, do të rritet presioni mbi ECB që të rimarrë në konsideratë huatë emergjente që ajo ka miratuara pavarësisht frikës për një largim të depozitave.