Afera 5 milionë euro CEZ-DIA, zhduket dëshmitari kyç
Kastriot Ismailaj ka bllokuar në seancën e sotme gjyqësore dëshminë e Elvis Matajt, ish-drejtor ekzekutiv i kompanisë DIA. Sipas prokurorit të çështjes, prej disa kohës Mataj nuk ndodhet në Shqipëri dhe se nuk i dihet adresa.
Ndërkohë, Ismailaj ka kërkuar me çdo kusht që dëshmitari ‘kyç’ të paraqitet në seancë, për të dëshmuar për të katërtën herë. Nga ana tjetër administrator i DIA-s kërkoi edhe përjashtim të trupit gjykues.
Ismailaj, akuzohet për “Mashtrim me pasoja të rënda” dhe “Pastrim të parave”, vepra këto të kryera në bashkëpunim me persona të tjerë. Sipas organit të akuzës, Ismailaj me anë të falsifikimit e mashtrimit ka arritur të përvetësojë nga kompania CEZ-shpërndarje rreth 5 mln euro. Mataj “braktisi” mbrojtjen e posaçme policore dhe “zhduk” pa gjurmë rreth muajit prill të këtij viti.
DËSHMITARI ‘KYÇ’
Elvis Mataj u vu në mbrojtje policore, pasi pretendonte se kishte fakte e prova që do të hidhnin dritë mbi skandalin CEZ-DIA, ku bëhej fjalë për një skemë të pastër mashtrimi në mbledhjen e borxheve të CEZ. Në fakt, ai asnjëherë nuk mori statusin e bashkëpunëtorit apo dëshmitarit të drejtësisë, pasi prokuroria nuk e konsideroi dëshminë e tij me shumë interes për procesin.
Mbrojtja policore iu garantua për shkak të dyshimeve se i kanosej rrezik për jetën, pas dëshmisë që kishte dhënë në gjykatën e Arbitrazhit, ku ndër të tjera kishte rrëfyer marrëdhëniet e tensionuara me biznesmenin Kastriot Ismailaj dhe kërcënimet që ky i fundit i kishte bërë për jetën.
PROCESI NDAJ ISMAILAJT
Pas një hetimi prej më shumë se njëvjeçar, Prokuroria e Tiranës e akuzoi Kastriot Ismailajn se përmes një skeme mashtrimi kishte përvetuar shumën prej 5 milionë eurosh sipas një kontrate të kompanisë DIA me CEZ për mbledhjen e borxheve të kompanisë çeke.
Ismailaj, një pjesë e pasurisë së të cilit është konfiskuar me vendim gjykate, akuzohet edhe për pastrim parash, pasi nëpërmjet kompanisë tjetër ADC, të krijuar po prej tij, ka transferuar shuma të konsiderueshme parash drejt vendeve që konsiderohen si “parajsa fiskale”.
Aktualisht në Gjykatën e Tiranës vijon procesi ndaj biznesmenit Ismailaj, të cilit iu refuzua kërkesa për gjykim të shkurtuar. Prokuroria do të vijojë me paraqitjen e provave shkresore si dhe me dëshmitarë. Sigurisht një prej provave që ndodhet si pjesë e fashikullit të gjykimit është edhe dëshmia e Matajt.