Politika

AFP, për zgjedhjet në Shqipëri: Test për qeverinë, opozitën dhe integrimin

Kryeministri Edi Rama i cilëson si zgjedhjet më të lira e të ndershme të mbajtura ndonjëherë në vend, por opozita ankohet për parregullsi në procesin zgjedhor të së dielës, të konsideruar si test për kredencialet demokratike të Shqipërisë, që këtë vjeshtë shpreson të marrë rekomandimin e çeljes se negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian.

Në komentin e saj pas mbylljes së votimit në të parat zgjedhje rajonale, pas reformës administrative në Shqipëri, agjencia franceze e lajmeve, AFP, thekson se, pavarësisht faktit që rezultatet paraprake nuk priteshin përpara të hënës, partia kryesore opozitare nxitoi të denonconte një sërë shkeljesh menjëherë pas mbylljes së qendrave të votimit. Ka pasur parregullsi, manipulime, presione e kërcënime ndaj votuesve të djathtë, citon AFP ligjvënësin demokrat Edi Paloka, duke theksuar se në deklaratën e lëshuar me këtë rast, deputeti ka pretenduar gjithashtu një fitore të qarte të partisë së tij.

Bindje për triumf në zgjedhje përcjell nga ana tjetër edhe koalicioni në pushtet, iniciuesi i reformës territoriale që e tkurri numrin e njësive vendore nga 373 në 61.

Që prej rënies se komunizmit, zgjedhjet në Shqipëri janë shenjuar përherë prej dhunës dhe akuzave të të gjithë kahëve për manipulime.

Këtë radhë, ato përbënin një test si për popullaritetin e socialistëve në pushtet, ashtu dhe për lidershipin e kreut të opozitës Lulzim Bashës, që këto votime i ka përshkruar si “referendum popullor kundër shumicës qeverisëse”.

Bashkimi Europian po e ndjek me vëmendje situatën dhe rezultatin e zgjedhjeve të monitoruara nga gati 400 vëzhgues të huaj e 5000 lokalë. Duke kujtuar se Shqipëria e siguroi vitin e kaluar statusin e vendit kandidat në BE, AFP thekson se kjo lëvizje e bllokut europian synonte inkurajimin e progresit të vendit drejt luftës kundër korrupsionit e krimit të organizuar dhe sundimit të ligjit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button