Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural: 862 fermerë janë kualifikuar përfitues
Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) njofton se 862 fermerë janë kualifikuar përfitues në tre masa mbështetëse të Skemës Kombëtare për Bujqësinë 2021.
AZHBR ka publikuar listat përkatëse të fermerëve përfitues, në tre masat mbështetëse përkatësisht; në Bletari ku 648 fermerët e kualifikuar përfitojnë nga 1,000 lekë për zgjua, për ferma me jo më pak se 50 zgjoje, por jo më shumë se 150,000 lekë për subjekt të mbarështimit të bletëve.
Për masën: Financime për zëvendësim plastmasi termik – Do të përfshihen në fond aplikimet deri në numrin rendor 188 fermerë. Të cilët përfitojnë 300,000 lekë/ha dhe 100,000 lekë/ha, por jo më shumë se 500,000 lekë për subjekt për zëvendësimin e plastmasës termike për serrat diellore ekzistuese për prodhimin e perimeve, rrushit për tavolinë dhe tunelet plastike për prodhimin e luleshtrydhes në vlerën respektive. Sipërfaqja e serrës apo e tunelit plastik të jetë jo më pak se 0.2 ha. Përfitues janë subjektet, të cilat nuk mund të mbështeten nga programi IPARD II.
Për masën Certifikimi Global Gap – Do të përfshihen në fond aplikimet deri në fund të listës për këtë masë 26 fermerët.
Kjo masë financon 50 % të vlerës totale të faturës tatimore, por jo më shumë 175,000 lekë, në perime, fruta, rrush, ullinj dhe agrume, në sipërfaqe jo më pak se 1 ha për implementimi dhe certifikimi Global GAP.
“Afati i dorëzimit të dokumenteve shtesë për aplikantët që ndodhen mbi vijën e financimit është deri më datë 18.5.2021. Dorëzimi përtej këtij afati do të rezultojë me skualifikim të aplikimit”, njofton AZHBR-ja.