AGK dhe OBCT publikojnë Raportin Hije: Sulmet ndaj gazetarëve dhe presionet politike sfidojnë lirinë e medias në Kosovë
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), në bashkëpunim me organizatën Osservatorio Balcani Caucaso Transeuropa (OBCT), ka publikuar Raportin Hije për Lirinë e Medias dhe Sigurinë e Gazetarëve në Kosovë, i cili trajton zhvillimet dhe sfidat në sektorin medial nga janari i vitit 2025 deri në maj të vitit 2026.
Raporti u prezantua të martën në Europe House në Prishtinë, ku u evidentuan sfidat që vazhdojnë të ndikojnë në lirinë e medias, sigurinë e gazetarëve dhe pavarësinë e institucioneve përgjegjëse për funksionimin e sektorit medial.
Sipas raportit, ndër problemet kryesore mbeten sulmet, kërcënimet dhe gjuha denigruese ndaj gazetarëve, presionet politike dhe ekonomike ndaj mediave, si dhe vështirësitë në funksionimin e institucioneve që kanë përgjegjësi për rregullimin dhe garantimin e pavarësisë së sektorit medial.
Vëmendje e veçantë në raport i kushtohet Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) dhe Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), me theks te proceset e emërimeve, pavarësia institucionale dhe sfidat që kanë përcjellë funksionimin e tyre.
Raporti trajton gjithashtu kushtet e punës së gazetarëve, qasjen në dokumente publike dhe nevojën për mekanizma më efektivë për mbrojtjen e tyre gjatë ushtrimit të profesionit.
Ngjarja u hap me fjalët përshëndetëse të Nikola Gaon, shef i komunikimit dhe zëdhënës i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, si dhe Chiara Castaldo, zëvendësambasadore e Italisë në Kosovë.
Gjetjet kryesore dhe rekomandimet e raportit u prezantuan nga Getoarbë Mulliqi, drejtoreshë ekzekutive e AGK-së, dhe Serena Epis, përfaqësuese e OBCT-së.
Pas prezantimit u mbajt paneli me temën “Liria e Medias, të Drejtat dhe Siguria e Gazetarëve në Kosovë”, ku diskutuan Mexhide Demolli nga Lëvizja FOL, Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe Muhamet Hajrullahu nga Telegrafi. Paneli u moderua nga Xhemajl Rexha, kryetar i Bordit të AGK-së.
Raporti synon të ofrojë një vlerësim të pavarur të gjendjes së lirisë së medias në Kosovë, duke paraqitur gjetje dhe rekomandime që mund të shërbejnë për përmirësimin e politikave dhe praktikave në këtë fushë, si dhe për procesin e integrimit evropian dhe vlerësimet e Komisionit Evropian.
Publikimi është realizuar në kuadër të projektit ATLIB – “Transnational Advocacy for Freedom of Information in the Balkans”, me mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë. Ngjarja u organizua në Europe House Prishtina.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.