Daljet sekrete të Princeshës Diana, zbulohen detaje të panjohura

Princesha Diana dilte fshehurazi natën nga Pallati Kensington për të ndihmuar njerëzit në nevojë, përfshirë punonjëset e seksit dhe personat e pastrehë në Londër.
Këtë e ka zbuluar Dickie Arbiter, ish-zëdhënës i familjes mbretërore britanike, i cili ka punuar për vite me radhë pranë Dianës dhe mbretit Charles.
Në një intervistë për emisionin Palace Confidential të Daily Mail, Arbiter ka treguar se princesha udhëtonte me makinë në orët e vona të natës, duke u përpjekur të shmangte personat përgjegjës për sigurinë e saj.
Sipas tij, Diana dëshironte të shihte nga afër kushtet në të cilat jetonin njerëzit më të pambrojtur dhe t’u ofronte ndihmë financiare atyre që kishin nevojë.
Arbiter ka shpjeguar se princesha ndihej shpesh e vetmuar brenda mureve të pallatit. Edhe pse organizonte takime dhe priste njerëz gjatë ditës, mbrëmjet i kalonte shpesh pa shoqëri, pasi miqtë e saj hezitonin të përballeshin me procedurat e shumta të sigurisë për ta vizituar.
Sipas tij, Diana gjente mënyra për të dalë pa paralajmëruar truprojën e saj. Ajo i thoshte se nuk kishte ndërmend të dilte atë mbrëmje dhe se ai mund të pushonte, por më pas merrte makinën dhe nisej drejt zonave të Londrës ku jetonin persona të pastrehë dhe punonjëse seksi.
Arbiter ka thënë se këto dalje nuk lidhen vetëm me dëshirën e Dianës për të ndihmuar të tjerët, por edhe me vetminë dhe mërzinë që, sipas tij, ajo përjetonte në jetën e saj private.
Ish-zëdhënësi mbretëror ka folur gjithashtu për librin e ri të tij, On Duty with the Royals: The Inside Story of the Modern Monarchy, ku rrëfen përvojat gjatë 12 viteve të punës me familjen mbretërore britanike.
Gjatë intervistës, Arbiter ka komentuar edhe librin e ri të Charles Spencer, vëllait të Dianës, duke kundërshtuar disa prej pretendimeve të tij për mbretin Charles dhe reagimin e këtij të fundit pas vdekjes së princeshës në vitin 1997.
Sipas Arbiter, ai nuk e njeh Charles-in në përshkrimin që bëhet në libër dhe kujton se mbreti ishte thellësisht i tronditur pas vdekjes së Dianës.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.