AGK: Gazetarët dhe mediat mbeten cak i sulmeve nga fjalori denigrues prej Qeverisë
Me rastin e 3 Majit, Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka mbajtur një panel diskutimi me temën "Ndikimi i profesionit në shëndetin mendor të punonjësve të mediave". Të pranishëm ishin gazetarë, psikologë e anëtarë të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës.
Me rastin e 3 Majit, Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka mbajtur një panel diskutimi me temën “Ndikimi i profesionit në shëndetin mendor të punonjësve të mediave”. Të pranishëm ishin gazetarë, psikologë e anëtarë të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës.
Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha tha se gazetarët në Kosovë ende me një numër sfidash për kryerjen e punës së tyre, e një prej tyre është “fushata pandërprerë në përpjekje për të delegjitimuar punën e gazetarëve nga ana e Qeverisë”. Me këtë rast, ai i bën thirrje qeverisë në detyrë që të mos pengojnë punën e gazetarëve.
“Në prag të 3 majit, ditës ndërkombëtare të lirisë së medias, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) shpreh shqetësimin për gjendjen e lirisë së medias në vend. Sot, në këtë ditë të 3 majit, kur në të gjithë botën theksohet rëndësia që kanë mediat e lira dhe të pavarura në shoqëri, gazetarët në Kosovë vazhdojnë të ballafaqohen me një numër sfidash për kryerjen e punës së tyre. Sfida kryesore vazhdon të mbetet një fushatë e pandërprerë në përpjekje për të delegjitimuar punën e gazetarëve nga ana e qeverisë së Kosovës dhe partisë politike në pushtet, Vetëvendosje. Gazetarët dhe mediat mbeten cak i sulmeve nëpërmjet fjalorit denigrues që ka për qëllim uljen e besimit të publikut në raportimin e tyre. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës i bën thirrje qeverisë në detyrë dhe Vetëvendosjes që të respektojnë dhe të mos pengojnë punën e gazetarëve si faktor kyç në zhvillimin demokratik të vendit. Kjo thirrje në fakt shkon për të gjithë spektrin politik në Kosovë”, tha Rexha.
Psikogia klinike, Gresa Miftari u shpreh se gazetarët përballen me disa prej stresorëve më të mëdhenj që mund të ballafaqohen njerëzit në përditshmëri, përfshirë këtu afatet kohore dhe orari i pacaktuar.
“Gazetarët, sidomos në Kosovë, ballafaqohen me një kontekst të vështirë, edhe që jashtë ndoshta mundet me u simulue i tillë, por unë kam punuar gjatë përvojës sime gjashtëvjeçare si kineast me grupe të ndryshme të profesionistëve edhe mundem me thënë lirisht, pa hyrë në detaje, që gazetarët vërtet ballafaqohen me disa prej stresorëve më të mëdhenj që mund të u ballafaqohen profesionistët ose njerëzit në përditshmëri. Ku përfshihen padyshim, domethënë afatet së pari, sistemi ynë nervor e kemi përmendur edhe gjatë trajnimeve, nuk i dallon domethënë stresin prej cilit stimul po vjen, po e dallon presionin dhe atë që e përmende këtë herë, që shndërrohet në stres kronik. Pastaj puna me orar jo të caktuar, domethënë të pacaktuar ose të… që nuk është arbitrar, që kjo paparashikueshmëri edhe kjo mungesë ose pamundshmëri për me prioritizu se çka është e rëndësishme edhe për me nda jetën personale prej jetës profesionale krijuar një stres të vazhdueshëm”, tha Miftari.
E pranishme në panel ishte edhe Pascale Roussy, Drejtoresha e Departamentit për Demokratizim, Misioni i OSBE-së në Kosovë, e cila u shpreh se mediat në Kosovë kanë bërë progres, megjithatë gjetjet e fundit nga organizatat ndërkombëtare vënë në dukje disa shqetësime serioze.
“Sot, ne njohim progresin e bërë nga peizazhi mediatik në Kosovë në forcimin e profesionalizmit dhe pluralizmit. Publikimi i fundit i Indeksit Botëror të Lirisë së Shtypit për vitin 2026, që tregon se Kosova është ngritur për 15 vende, është natyrisht një zhvillim i mirëpritur pas dy viteve regres. Megjithatë, ky progres duhet parë me kujdes. Gjetjet e fundit nga organizatat ndërkombëtare për lirinë e medias vazhdojnë të vënë në dukje shqetësime serioze. Këto përfshijnë: Presionin politik dhe retorikën armiqësore ndaj gazetarëve, shqetësimet rreth iniciativave legjislative që prekin pavarësinë e Komisionit të Pavarur të Mediave, presionet financiare dhe editoriale mbi mediat publike. Sfida të tilla dobësojnë institucionet dhe gjithashtu prekin jetën e përditshme, pavarësinë profesionale dhe mirëqenien e gazetarëve”, tha Roussy.
Ndërsa gazetarja Venera Xhoxhaj e cila u sulmua gjatë vitit 2023 në veri të Kosovës nga forcat serbe, tregon për vështirësitë që ka hasur.
“Nëse dikush i vëren këto ndryshimet fonetike, e vëren se ka dridhje zëri. Jo pse kam emocion para kamerave, sepse është punë që e bëjmë çdo ditë, por vetë tema e rikthimit te ngjarjet e vitit 2023, normalisht që për mua nuk është e tejkaluar plotësisht mendoj unë. Ditët e para të cilat, pas asaj dite kur ne raportuam, sepse sulmi ka qenë dita e fundit e… nëse nuk gaboj, pas asaj dite më nuk ka pasur as thirrje protestash e as sulme nëse nuk gaboj. Ajo ka qenë kulmi edhe ka qenë ngjarja ndoshta më e rëndë dhe pastaj ka pasur të tjera zhvillime, derisa kemi mbërritur në një pikë kur kemi raportuar disa ditë rresht, unë bashkë me kolegët që kishim shkuar për t’i përcjellë protestat dhe jemi ballafaquar me sulme fizike, me dëmtimin e pajisjeve të punës dhe të tjera”, tha Xhoxhaj.
Njësoj u shpreh edhe kolegia e saj Ardiana Thaçi e cila ishte përballur me kërcënime ndaj grupit “Albkings” dhe “Discord”.
Në fund, gazetaret potencuan faktin se kanë hezituar të marrin trajtim nga psikogët nga frika se mos iu respektohet dhe ruhet konfidencialiteti.
3 Maji është Dita Botërore e Lirisë së Shtypit që nga viti 1993 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.