BH – Nisin hetimet për rrëzimin e helikopterit ushtarak italian
ROMË, 30 tetor /ATSH-ANSA/ – Filluan hetimet për rrëzimin e një helikopteri ushtarak italian të tipit ”Chinook”, në Bosnjë-Hercegovinë, që shkaktoi vdekjen e katër personave dhe plagosjen e 11 të tjerëve.
Në bordin e helikopterit ndodheshin 15 persona, pjesë e misionit ndërkombëtar EUFOR Althea.
Mes viktimave janë dy ushtarakë të ushtrisë italiane dhe dy pjesëtarë të Kryqit të Kuq.
Sipas dëshmitarëve, helikopteri po fluturonte në lartësi të ulët, kur papritur nisi të rrotullohej në ajër dhe u rrëzua në një zonë rurale pranë fshatit Gorica.
Fatmirësisht, zona ishte e pabanuar dhe nuk pati viktima civile.
Shkaqet e aksidentit mbeten ende të paqarta.
Ndër hipotezat paraprake është edhe mundësia e përplasjes me kabllo të tensionit të lartë.
Autoritetet italiane dhe EUFOR kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Në vendngjarje ndërhynë ekipet e emergjencës, zjarrfikësit dhe forcat ushtarake.
Ndërkohë, Ministria italiane e Mbrojtjes ka dërguar një ekip mjekësor për të garantuar trajtimin e të plagosurve.
Ngjarja ka shkaktuar reagime dhe mesazhe ngushëllimi nga krerët më të lartë të shtetit italian, përfshirë presidentin Sergio Mattarella dhe kryeministren Giorgia Meloni, të cilët shprehën solidaritet me familjet e viktimave dhe të plagosurit./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.