Ahmetaj: I domosdoshëm rregullimi i auditimit ligjor të pasqyrave financiare
Rishikimi i ligjit “Për auditimin ligjor, organizimin e profesionit të ekspertit kontabël të regjistruar dhe të kontabilistit të miratuar”, të ndryshuar, përfaqëson një akt mjaft të rëndësishëm në kuadër të reformës së ndërmarrë nga ministria e Financave, në bashkëpunim me Bankën Botërore, për përmirësimin e raportimit financiar të shoqërive.
Në të njëjtën kohë, ky rishikim synon përafrimin me acquis communautaire, duke mbështetur kështu, angazhimet strategjike të vendit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Ministri i Financave, Arben Ahmetaj i pranishëm këtë të martë në komisionin parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, gjatë prezantimit të p/ligjit tha se këto ndryshime synojnë përmirësimin e implementimit të mëtejshëm të ligjit, duke përmirësuar dhe forcuar rolin e mbikëqyrjes së profesionit. Sipas tij, ndryshimet do të bëjnë të mundur rritjen e cilësisë dhe përgjegjshmërisë së audituesve ligjorë dhe shoqërive të auditimit, duke përmirësuar procesin e çertifikimit, mbikëqyrjes së cilësisë dhe forcimin e qartësimin e shkeljeve dhe masave disiplinore.
“Përmirësimi dhe rregullimi i auditimit ligjor të pasqyrave financiare të entiteteve ekonomike ka rëndësi të veçantë, për faktin se, nëpërmjet këtij procesi, sigurojmë pasqyra financiare të besueshme dhe transparante, të cilat janë të domosdoshme për të gjitha palët e interesuara si administrata shtetërore, sistemi bankar e financiar si dhe vetë bizneset. Në të njëjtën kohë, raportimi financiar i shëndoshë dhe transparent luan një rol kyç në rritjen e besimit të investitorëve të brendshëm dhe të huaj, si një kriter i rëndësishëm për inkurajimin e investimeve, inovacionit dhe rritjes ekonomike në vend”, tha Ahmetaj.
Ndërsa relatori i p/ligjit, deputeti i PS-së, Anastas Angjeli tha se ndryshimi i këtij ligji vjen edhe si nevojë për disa problematika të hasura gjatë zbatimit të ligjit aktual, si mbikëqyrje e dobët e profesionit, dublikimi i strukturave me rol mbikëqyrës të profesionit, masa të paqarta disiplinore, duke rezultuar në një aplikim joefektiv të tyre, etj.
Ditën e nesërme komisioni parashikon seancë dëgjimore me 4 shoqatat që ushtrojnë aktivitetin në fushën e kontabilitetit. Angjeli kërkoi paraprakisht që shoqatat të vijnë me qëndrime të unifikuara dhe jo të mbajnë qëndrime në interes personal. Lidhur me këtë, ministri Ahmetaj informoi se shoqatat janë njohur me ndryshimet ligjore dhe se ministria është e hapur për rekomandime që përmirësojnë kuadrin ligjor, por duke qëndruar në të njëjtën linjë me Angjelin, edhe ai kërkoi qëndrime që nuk lidhen me interesin e ngushtë të një organizate. “Pasqyrat financiare kanë probleme serioze” tha ai.
Ky projektligj u miratua vetëm me votat e maxhorancës, edhe në Komisionin e Ligjeve, pasi opozita prej javësh ka bojkotuar veprimtarine e Parlamentit.