Akademia e Shkencave përkujton arkeologun e shquar Hasan Ceka
Akademia e Shkencave e Shqipërisë përkujtoi sot arkeologun dhe studiuesin e shquar Hasan Ceka, në 28-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta, duke vlerësuar kontributin e tij në themelimin dhe zhvillimin e arkeologjisë shqiptare.
I lindur më 2 gusht 1900 në Elbasan, Ceka ishte një nga figurat themeluese të kërkimit arkeologjik në Shqipëri. Pas studimeve në Vjenë, ai u kthye në atdhe në vitin 1930 dhe nisi veprimtarinë e tij shkencore në Bibliotekën Kombëtare, ku krijoi edhe një koleksion arkeologjik. Më pas, përfaqësoi shtetin shqiptar pranë misioneve të huaja arkeologjike në Apoloni dhe Butrint.
Në vitin 1947 drejtoi ekspeditën e parë arkeologjike në Apoloni, ndërsa nga viti 1956 ia kushtoi një pjesë të rëndësishme të veprimtarisë së tij kërkimore këtij qyteti antik. Gjatë gërmimeve kontribuoi në zbulimin e komplekseve arkitektonike, nimfeut dhe monumenteve të tjera me rëndësi historike.
Një tjetër fushë e rëndësishme e studimeve të tij ishte numizmatika, veçanërisht monedhat antike të Dyrrahut dhe Apolonisë. Ndër botimet e tij të njohura është vepra “Probleme të numizmatikës ilire”, botuar në vitin 1965, si dhe studimi “Monedhat e Dyrrahut dhe Apolonisë”.
Njohës i greqishtes së vjetër dhe latinishtes, Hasan Ceka kontribuoi gjithashtu në përkthimin dhe përgatitjen në shqip të vëllimit “Ilirët dhe Iliria tek autorët antikë”. Studimet, artikujt dhe kumtesat e tij shkencore u përmblodhën edhe në veprën “Në kërkim të historisë ilire”.
Përmes gërmimeve, zbulimeve dhe botimeve shkencore, Hasan Ceka la një trashëgimi të rëndësishme në studimin e historisë dhe qytetërimit antik në trevat shqiptare. Ai u nda nga jeta më 2 nëntor 1998, duke mbetur një nga emrat themelorë të arkeologjisë shqiptare.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.