AKEP/ Operatorët celularë në janar ndryshojnë tarifat dhe minutat në paketat tarifore
Operatorët celularë që nga data 1 janar 2015, duhet të kenë të njëjtën sasi minutash brenda dhe me jashtë rrjetit, bën të ditur Autoriteti Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), ndërsa njofton se, ofertat nuk zgjasin më shumë se 3 muaj dhe në rast të moszbatimit Autoriteti i Konkurrencës ose AKEP do të vendosë gjoba.
Ky rregull parashikon që tarifat e thirrjeve drejt rrjeteve të tjera celulare kombëtare nuk duhet të jenë më të larta se tarifat e thirrjeve brenda rrjetit si dhe sasia e minutave brenda rrjetit të përfshira në oferta/pagesë fikse të paketave tarifore nuk duhet të jetë më e madhe se sasia e minutave drejt rrjeteve të tjera celulare kombëtare.
Sipas AKEP , kjo masë pritet të ndryshojë në mënyrë thelbësore ofertat e kompanive celulare ku vihen re diferencime të tarifave dhe minutave brena me jashtë rrjetit dhe tashmë nëse vendimi i AKEP do të zbatohet duhet që minutat e ofruara në oferta brenda rrjetit të jenë të barabarta me minutat jashtë rrjetit. AKEP është treguar i kujdesshëm që masat detyruese të zbatohen për të gjitha paketat tarifore standarte, ofertat, shportat, opsionet dhe skontot të ofruara për pajtimtarët.
Vendimi i AKEP i miratuar më 6 nëntor 2014 , parashikon secili operator celular duhet që në muajin Janar të cdo viti të paraqesë në AKEP tarifat e planeve standarde dhe ndryshimet e kryera në vitin paraardhës ofertat/promocionet apo skontot e përkohshme në tërësi. AKEP do të monitorojë me kujdes zbatimin e këtyre masave për mos-diskriminim nga operatorët dhe në rast mos-zbatimi do të aplikojë përcaktimet e ligjit 9918 për shkeljet e kryera.
AKEP njëkohësisht do të bashkëpunojë edhe me Autoritetin e Konkurrencës, në bazë të përcaktimit të nenit 61 të ligjit 9918 “Kur AKEP-i, me nismën e vet, ose nëpërmjet njoftimit nga sipërmarrës të tjerë apo palë të tjera të interesuara, gjykon se sipërmarrësi me fuqi të ndjeshme në treg po abuzon me pozitën e tij, e parashtron rastin përpara Autoritetit të Konkurrencës, duke i kërkuar fillimin e procedurave përkatëse ligjore”.