Aksion ‘blic’ në Vlorë, grupi kriminal kapet në një lokal të zakonshëm! Pranga 6 personave
Këtë të martë, 9 qershor, është goditur një grup kriminal me rrezikshmëri të lartë që operonte në Vlorë e Fier.
Siç njofton Policia, në pranga janë vënë 6 persona, nga të cilët njëri ishte në kërkim ndërkombëtar. Ata u kapën në një lokal në fshatin Vranisht. Grupi, rezulton me aktivitet kriminal në fushën e krimeve kundër personit dhe në atë të narkotikëve.
“Lëviznin të armatosur dhe me mjete të blinduara”, theksojnë blutë.
Është arrestuar edhe autori i plagosjes së ndodhur dy ditë më parë në qytetin bregdetar.
“U arrestuan në flagrancë shtetasit F. Sh.(A.), 52 vjeç, N. D.(Q.), 50 vjeç, M. B., 35 vjeç dhe A. D. alias A. Th. alias I. D., 51 vjeç, ky i fundit i shpallur në kërkim ndërkombëtar, nga Italia, pasi Gjykata e Apelit Lecce, Itali, në vitin 2024, e ka dënuar me 6 vjet e 8 muaj burgim, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Pjesëmarrja në organizatë kriminale”, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike.
Gjithashtu, gjatë operacionit po në këtë lokal, në të njëjtën tavolinë, u kapën dhe shtetasit T. A., 55 vjeç (i dyshuar autor i plagosjes së ndodhur më datë 07.06.2026) dhe D. Ç., 48 vjeç, të shpallur në kërkim kombëtar, të dyshuar për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, thuhet më tej në njoftimin zyrtar.
Gjatë operacionit u sekuestruan 4 armë zjarri pistoleta të markave “Glock”, “Sig Sauer” dhe “Canik”, municion luftarak, 7 celularë, 1850 euro dhe 3 automjete (2 prej tyre, me targa të huaja dhe njëri prej tyre, i blinduar).
Nga hetimet ka rezultuar se njëri nga automjetet e sekuestruara, tip “BMW X5”, ishte përdorur nga 55-vjeçari për t’u larguar nga vendi i ngjarjes, pas plagosjes me armë zjarri, të ndodhur më 7 qershor.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.