Aktakuzë ndaj një shtetasi të Shqipërisë, dyshohet se transportonte rreth 4.8 kilogramë marihuanë
Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj një shtetasi të Republikës së Shqipërisë, me inicialet A.B., nën dyshimin për veprën penale që lidhet me blerjen, posedimin, shpërndarjen dhe shitjen e paautorizuar të narkotikëve.
Sipas Prokurorisë, rasti ka ndodhur më 3 prill 2026, rreth orës 12:30, në rrugën “Megzon Boshnjaku” në Gjakovë.
Në aktakuzë thuhet se i pandehuri, me qëllim të shitjes ose shpërndarjes pa autorizim, dyshohet se ka poseduar dhe transportuar substanca të shpallura me ligj si narkotikë.
Policia e Kosovës, pasi kishte siguruar informacione lidhur me rastin, kishte nisur vëzhgimin e të pandehurit, i cili me automjetin e tij të markës “Ford Focus” ishte ndalur në parkingun e një restoranti.
Pas identifikimit dhe kontrollit të automjetit nga hetuesit policorë, në ulësen e pasme janë gjetur dhjetë qese të mbushura me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë.
Substanca është sekuestruar dhe më pas është dërguar për ekzaminim në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë.
Sipas raportit të AKF-së, është konstatuar se substanca e sekuestruar ishte marihuanë me peshë të përgjithshme prej 4 kilogramësh e 855.9 gramësh.
Me këto veprime, Prokuroria pretendon se A.B. ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, sipas nenit 267, paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas zhvillimit të shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit./Telegrafi.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.